Tregu i medikamenteve ka ulur ritmet e rritjes në dy vitet e fundit duke reflektuar pasojat negative të krizës. Importet zënë mbi 95% të tij dhe dominojnë barnat nga Zvicra. Që nga viti 2010,kur u vendos TVSH prej 10% e barnave, çmimet e tyre janë rritur mesatarisht 7-10% në vit, duke e kaluar barrën te konsumatori, që nga ana e tij ka reaguar duke ulur konsumin.
Kriza po prek dhe një produkt të domosdoshëm për shëndetin e njeriut, siç janë barnat. Shqiptarët po blejnë më pak ilaçe në sasi, ndonëse janë të detyruar që të paguajnë më shumë për to, si rrjedhojë e rritjes së çmimeve gjatë viteve të fundit.
Tregu i produkteve farmaceutike kishte gëzuar rritje dyshifrore në dekadën e fundit deri në vitin 2011, kur ai nisi të ndalet për shkak të efekteve të krizës globale dhe rritjes së çmimeve të barnave.
Sipas të dhënave nga INSTAT-i, në vitin 2012 janë importuar rreth 16.9 miliardë lekë, me një rritje prej afro 6% në raport me një vit më parë.
Por, rritja e importeve në vlerë ka ardhur kryesisht si pasojë e shtrenjtimit të ilaçeve nga vendosja e TVSH-së prej 10% për barnat në vitin 2010 (më parë ato kishin TVSH zero). Shifrat zyrtare konfirmojnë se në sasi, importet kanë pësuar rënie duke u reduktuar me 4% në raport me vitin 2011. Në total, gjatë vitit të kaluar, janë importuar rreth 3.5 milionë kg ilaçe.
Ndonëse kur u vendos TVSH e ilaçeve prej 10% u tha se kjo ishte një masë për të luftuar abuzimet dhe informalitetin tek shpërndarësit e mëdhenj, që do të disiplinonte tregun pa rritur çmimet, ka ndodhur e kundërta. Që nga viti 2010, ato janë rritur mesatarisht 7-10% në vit, duke e kaluar barrën te konsumatori, që nga ana e tij ka reaguar duke ulur konsumin.
Edhe të dhënat e Indeksit të Çmimeve të Konsumit (IÇK) të INSTAT tregojnë një rritje të vazhdueshme të çmimeve të pakicës së medikamenteve dhe produkteve të tjera farmaceutike, që nga viti 2010, kur u vendos që edhe barnat të ngarkoheshin me një TVSH prej 10%.
Tregu mbetet i fokusuar tek importi, që zë rreth 95% të totalit të tij, ndërkohë që prodhimi vendas mbulon 3-5% të tij. Deri në 30% e totalit të tregut farmaceutik është i mbuluar nga rimbursimet e barnave shtetërore.
Sipas përllogaritjeve dhe të dhënave nga operatorët, konsumi i produkteve farmaceutike për frymë në Shqipëri është rreth 60 euro/vit, një nga më të lartit në Europë.
Në këtë sektor, duket se shqiptarët mbeten një “pararojë”, pasi shumica e tyre i konsumojnë medikamentet “pa kriter”, pa receta mjekësore.
Ndërkohë që tregu me pakicë i farmacive është i kontrolluar mirë nga Ministria e Shëndetësisë, e njëjta gjë nuk është e vërtetë për importuesit e mëdhenj, pasi është e vështirë për të kontrolluar çmimet e blerjes në vendet importuese.
Përpjekja e qeverisë për të kontrolluar këtë treg duke imponuar një TVSH 10% nuk ka qenë e suksesshme, pasi kjo vlerësohet të ketë rritur kontrabandën e barnave nga Greqia dhe Italia, sipas operatorëve.
Nga ana tjetër, sipas të dhënave nga Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë, numri i farmacive në vend ka vijuar të rritet, në kushtet kur ky treg është i liberalizuar dhe nuk ka asnjë kufi për distancën ndërmjet subjekteve.
“Është shënuar një rritje në numrin e farmacive, me 8% në vitin 2012 kundrejt vitit 2011. Por ndërkohë që disa farmaci janë hapur, të tjera janë mbyllur. Është fakt tashmë se po shtohet numri i farmacive që po detyrohen të mbyllin aktivitetin si pasojë e një tregu të çorganizuar dhe me një numër të lartë abuzuesish”, thotë për “Monitor”, presidenti i Urdhrit të Farmacistëve, Arjan Jaupllari.
Ajo që është vënë re gjatë viteve të fundit në tregun e medikamenteve është rritja e ndjeshme e konkurrencës nga importuesit më të mëdhenj që kanë rritur pjesën e tyre të tregut, ndërsa depot farmaceutike dytësore kanë pakësuar ndjeshëm aktivitetin.
Importet, kryeson Zvicra
Mbi 65% e barnave importohen nga Europa. Shteti kryesor nga ku importohen barnat që hyjnë në Shqipëri është Zvicra, që zë 16% të totalit të importeve, ndjekur nga Gjermania me rreth 15%.
Prodhimi i brendshëm përbën vetëm 3-5% të totalit të tregut farmaceutik dhe ka ruajtur një ritëm rritjeje të ngadaltë edhe pasi kompania më e madhe në vend, “Profarma” u privatizua nga kompania gjermane “AG Dermapharm”.
Kjo performancë ka mbajtur një nivel të limituar eksportesh, që kanë shënuar rënie në vitin 2012. Pas një performance tepër pozitive në vitin 2011, eksportet kanë rënë me afro 35% në 2012-n, duke iu afruar niveleve të tri viteve më parë. Në total, Shqipëria ka eksportuar afro 150 milionë lekë ilaçe gjatë vitit të kaluar.
Shqipëria ka një gjeografi shumë të limituar të eksporteve dhe 82% e tyre i përkasin Kosovës.
“Të mëdhatë” vijojnë rritjen
Ngadalësimi tregut është reflektuar në trendin e xhiros totale të 24 firmave farmaceutike kryesore.
Kompanitë kryesore importuese (depot farmaceutike primare), kanë arritur të kompensojnë rënien e tregut duke shkëputur hallkën e shpërndarjes përmes të dytëve dhe duke shitur direkt në farmacitë e shitjes me pakicë, veçanërisht në qytetet kryesore të Shqipërisë. Kjo po çon në eliminimin e ngadaltë të depove farmaceutike dytësore.
Ky trend ka filluar në 2009-2010, por ka qenë më i dukshëm në vitet 2011-2012.
Disa nga kompanitë më të mëdha kanë arritur rritjen me dy shifra, ndërsa depot dytësore janë pakësuar shpejt, me disa prej tyre që gjatë vitit 2011 kanë vuajtur një rënie të xhiros deri në 90%.
Ndërsa 10 kompanitë më të mëdha kanë arritur të rrisin qarkullimin e tyre me 12%, 14 firmat e mbetura farmaceutike kanë pësuar rënie të qarkullimit prej 26% (shifrat për 2011).
Kompanitë më të mëdha farmaceutike në Shqipëri janë “Rejsi Pharma”, e ndjekur nga “Pharma One”, “Aldosch FARMA” dhe “Intermed”.
Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, këto shoqëri kanë xhiruar në total gjatë vitit të kaluar rreth 10.5 miliardë lekë, duke zënë një pjesë të konsiderueshme në totalin e tregut.
Kompania më e madhe mbetet “Rejsi Farma”, e cila gjatë vitit të kaluar ka shënuar një rritje prej 3%, duke realizuar një xhiro prej mbi 3.6 miliardë lekësh. Ky biznes ka vijuar të ruajë rritje pozitive, ndërkohë që kulmin e ka regjistruar në 2011-n.
Performancë gjithashtu pozitive ka shënuar edhe “Pharma One”, kompania e dytë më e madhe në vend. Gjatë 2012-s, xhiro e saj arriti në afro 3.4 miliardë lekë, duke shënuar rritje prej 4% në raport me vitin e kaluar.
Kompania “Aldosch Farma” ka shënuar rritjen më të ndjeshme gjatë vitit të kaluar, rreth 94% kundrejt 2011-s. Kompania ka realizuar një xhiro prej afro 2.2 miliardë lekësh duke tejkaluar kështu konkurrentet “Intermed”, e cila ka pasur një vit negativ.
Rritet rimbursimi
Shpenzimet për rimbusimin e barnave janë rritur gjatë vitit 2012, krahasuar me vitin paraardhës (2011). Këto shpenzime kanë zënë 51% të totalit të shpenzimeve faktike të Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2012, me një rritje si peshë specifike prej 2% ndaj faktit të vitit 2011.
Sipas Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, (ISKSH), vitin e kaluar, shpenzimet e rimbursimit kanë qenë në nivelet e programuara pas rishikimit të buxhetit. Në krahasim me vitin 2011, shpenzimet e rimbursimit të likuiduara janë rritur në vlerë absolute për 998 milionë lekë.
Ashtu sikurse dhe ishte parashikuar, ritmet e pranimit dhe likuidimit të listëtreguesve në krahasim me vitin 2011 paraqiten me rritje, theksohet në raport. Kështu, nëse për vitin 2011 pranoheshin e likuidoheshin mesatarisht 576 milionë lekë rimbursim në muaj, gjatë vitit 2012 kjo shifër është mesatarisht 656.6 milionë lekë në muaj.
Ndërkohë, fondi për listën e barnave të rimbursuara për vitin 2013 parashikohet të shkojë në 8.4 miliardë lekë. Kategoritë më në fokus që përfitojnë nga lista janë ajo e pensionistëve dhe veteranëve, të cilët mbulohen 100% nga lista e barnave të rimbursueshme.
Laura Çela
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.