Bashkia e Tiranës njoftoi se ka lidhur tashmë kontratën me kompaninë Salillari sh.p.k për të vijuar zbatimin e projektit që lidhet me rikonstruksionin e Markatës Mish – Peshkut në sheshin e Pazarit të Ri, në Tiranë. Në buletinin e fundit të Agjencisë së Prokurimit Publik bëhet me dije se kjo është një shtesë kontrate për vijimin e lotit të dytë që ka kohë që është shpallur.
Bashkia e Tiranës ka zgjedhur që këtë kontratë ta negociojë pa shpallje paraprake me kompaninë zbatuese të pjesës së parë të punimeve Salillari sh.p.k. Shtesa e kontratës do t’i kushtojë bashkisë më shumë se 18 milionë lekë pa TVSH ose saktësisht 21.8 milionë me gjithë TVSH.
Totali për gjithë Lotin e dytë të punimeve te Pazari i Ri kap nivelin prej 109 milionë lekësh me TVSH.
Ndërhyrja e dytë
Ndërhyrjet te Pazari i Ri dhe konkretisht te markata synojnë kthimin e saj në origjinë sa i përket pjesës arkitektonike, ndërkohë që do të ketë edhe një riorganizim të mjediseve të brendshme për të përfituar më shumë hapësirë.
Markata do të ketë një raport të njëjtë me atë të mëparshme sa u përket shitësve të mishit, peshkut apo bulmetit. Për markatën projekti parashikonte edhe disa ndërhyrje në çati dhe në anësore, duke lejuar që përveç ndriçimit artificial, të ketë edhe një variant natyral.
Pazari i Ri
Zona e Pazarit të Ri menjëherë pas inaugurimit të saj u kthye në një qendër aktive të kryeqytetit. Vetë kryebashkiaku por edhe Kryeministri Rama u siguruan që disa nga daljet e tyre t’i kishin nga kjo pikë e kryeqytetit. Projekti fillestar kishte kohë që ishte në letër dhe më pas mori mbështetjen e Fondacionit Shqiptar-Amerikan.
Totali i investimit u parashikua 6 milionë euro nga të cilat 3 u financuan nga Bashkia e Tiranës. Zbatuese e projektit edhe në fazën e parë ishte kompania Saliallari sh.p.k.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.