Bëhet publike ndihma e Qeverisë për bizneset e prekura nga masat e reja

08/04/2021 1:48 PM 0 komente

Ministria e Financave e Kosovë ka marrë vendim që të subvencionojë 50 për qind të pagës së punëtorëve dhe 50 për qind të shpenzimeve të qirasë për sektorët më të prekur nga pandemia. Mjetet do të ndahen në fund të muajit prill, ose më së largu në fillim të muajit maj.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Berat Rukiqi ka treguar se pas takimit me ministrin e Financave, Punës dhe Trasfereve, Hekuran Muratin dhe kryetarin e Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës Petrit Kllokoqin, janë pajtuar që sektorëve direkt, të ndikuar nga masat e reja për luftim të pandemisë, t’iu subvencionohen pagat e punëtorëve dhe shpenzimet e qirasë për 50 për qind.

Rukiqi ka thënë se mjetet do të ndahen, në fund të muajit prill, ose më së largu në fillim të muajit maj.

“Gjithashtu do të ndërmerren veprime shtesë për përkrahje të sektorëve me specifika të veçanta, përfshirë sektorin e transportit, pas diskutimeve që do të zhvillohen me këta sektorë. Falënderojmë ministrin Murati për veprimin e shpejtë, në lehtësimin e gjendjes jo të lehtë të sektorëve të ndikuar nga masat e fundit kufizuese”, ka shkruar ai.

Rukiqi ka thënë mes tjerash se në takim është arritur pajtueshmëri që të merren veprime shtesë për sektorët tjerë, përfshirë atë të transportit.

“Sapo përfunduam një takim shumë përmbajtjesor me Ministrin Hekuran Murati. U dakorduam, që për sektorët e ndikuar direkt nga masat e fundit të: – Subvencionohet 50% e pagave të punëtorëve; – Subvencionohet 50% e shpenzimeve të qirasë; – Mjetet do të ndahen, në fund të muajit Prill, ose më se largu në fillim të muajit Maj. Gjithashtu do të ndërmerren veprime shtesë për përkrahje të sektorëve me specifika të veçanta, përfshirë sektorin e transportit, pas diskutimeve që do të zhvillohen me këta sektorë. Falënderojmë Ministrin Murati për veprimin e shpejtë, në lehtësimin e gjendjes jo të lehtë të sektorëve të ndikuar nga masat e fundit kufizuese”.

Ndërkaq, nënkryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka thënë se nuk kanë parë masa të duhura për trajtimin e gjendjes në ekonomi nga Qeveria e re.

Ai në një konferencë për medie tha se qeveria është duke u vonuar sa i përket masave për rimëkëmbjen e ekonomisë.

“Ne e dimë që jeta e secilit është shumë e rënduar por kemi masa të çekuilibruara, dhe nuk kemi parë masa të duhura për trajtimin e gjendjes ekonomike, janë duke u vonuar dhe nuk është qëllimi jonë që si opozitë vetëm të kritikojmë. Nuk po jep sinjale të duhura”, tha Hamza.

Ai ka thënë duhet të nis shpërndarja e mjeteve për bizneset.

“Duhet të zbatohet ligji për 200 milionë të fillohet tu shpërndahet bizneseve, dhe sektori i gastronomisë nuk është sektori i vetëm i dëmtuar. Është mirë të paralajmërohet më herët, dhe të ketë masa të qarta e të sakta dhe të zbatohet ligji. Është kërkesë e jona, ne do të jemi shumë kërkues që të zbatohet ligji, që pjesa e ndarë të kaloj në biznese edhe tek ata që kanë humbur vendet e punës, dhe kërkojmë nga qeveria një program të veçantë për rimëkëmbjen ekonomike, sepse jemi ndër vendet me probleme ekonomike shumë të mëdha”, tha Hamza.

Hamza tha që do duhet të jetë një kompani e duhur për vaksinim e qytetarëve kundër Covid-19, sikur çdo shtet tjetër.

Kurse, gjatë ditës së djeshme ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka deklaruar se momentalisht nuk do të ketë pako të rimëkëmbjes, por ndihmë financiare për bizneset që janë prekur nga masat të cilat kanë hyrë në fuqi që nga e mërkura e kësaj jave.

“Nuk po flasim për një pako të rimëkëmbjes meqenëse jemi në një situatë emergjente dhe ideja është të marrim kundërveprime për ato sektorë që ndikohen nga masat. Pra për çdo veprim që merret në aspektin shëndetësor, të merret edhe një kundërveprim në aspektin financiar, ashtu që të ruhet shëndeti i ekonomisë. Sa i përket pakos së rimëkëmbjes, ajo do të vijë dhe do të ketë përfshirje shumë më të gjerë, pra duhet të shikohet edhe më afatgjatë”, deklaroi Murati.

Ai tha se masat e tanishme nuk duhet të shihen si kufizuese, por si parapërgatitje për verën që vjen.

“Masat e tanishme le të mos i shohim si diçka kufizuese, por si një përgatitje për verën që na pret, kur e kemi edhe diasporën këtu e potencialisht të shfrytëzojmë tërë kapacitetin ekonomik dhe tërë kapitalin që mund ta mobilizojmë që të kemi një rimëkëmbje sa më të shpejtë”.

Nga 7 prilli, kur kanë filluar të zbatohen masat e reja për luftim të pandemisë së koronavirusit, e deri më 18 prill, bizneseve të gastronomisë u është ndalur puna.

Këtyre bizneseve u është mundësuar operimi vetëm me shërbimet “merr me vete”, “dërgesë me porosi” apo marrjes së porosive pa u larguar nga makinat.

Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, po ashtu është ndaluar edhe veprimtaria e qendrave të mbyllura tregtare, përveç shërbimeve esenciale në kuadër të tyre.

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka thënë më 7 prill në një konferencë për media se marrja e masave ka qenë e domosdoshme pasi situata me pandeminë është mjaft e rënduar dhe se sipas tij, ka qytetarë cilët ndonjëherë nuk arrijnë të marrin as trajtimin me kohë.

Prej 13 marsit të vitit të kaluar, kur janë raportuar rastet e para me koronavirus në Kosovë, autoritetet shëndetësore kanë regjistruar 95,341 të infektuar. Prej tyre 1,948 kanë vdekur.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of