Tenderimi i tonerave dhe bojërave të printerave për administratën publike është prej vitesh një objekt beteje ligjore mes disa operatorëve privatë dhe Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme.
Objekti i ankesës së subjekteve private është një kriter i vendosur prej në dokumentacionit standard të tenderave për prokurimin e këtyre produkteve, që parashikon si kriter kualifikues paraqitjen e autorizimit të prodhuesit ose distributorit të autorizuar nga prodhuesi për tregtimin e tonerave dhe bojërave. Sipas operatorëve, ky kriter është kufizues dhe i padrejtë.
Për këtë çështje, kompanitë kanë fituar edhe një çështje në Gjykatën e Lartë. Me një vendim të vitit 2015, Gjykata e Lartë është shprehur se “paraqitja e formës së autorizimit nga prodhuesi”, nuk plotëson kushtet për të qenë një kriter specifik kualifikues. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë është shprehur se vërtetimi i origjinalitetit të bojërave mund të garantohej me pajisjen e tyre me vulën e origjinalitetit të pahapur, duke konkluduar se kërkesa për “paraqitjen e formës së autorizimit të prodhuesit ose distributorit”, si kriter kualifikues, nuk mund të jetë i vetmi mjet që të mundësojë garantimin e origjinalitetit të mallit.
Pavarësisht nga kjo, autoriteti kontraktor vazhdon ta aplikojë një kriter të tillë në procedurat e tenderimit. Për këtë arsye, disa kompani private i janë drejtuar Autoritetit të Konkurrencës, ku ankohen për ndjekjen e këtij kriteri nga Agjencia e Blerjeve të Përqendruara. Sipas të dhënave të deklaruara nga ndërmarrjet ankuese, blerjet nëpërmjet Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara për administratën publike, përbëjnë rreth 40% të volumit të shitjeve të këtyre produkteve. Pas ka analizuar çështjen, Auoriteti i Konkurrencës ka dalë me një vendim ku i jep të drejtë bizneseve që janë ankuar dhe i ka rekomanduar Agjencisë se Prokurimeve Publike që të udhëzojë autoritetet kontraktore të mos vendosin kritere përjashtuese si autorizimin e prodhuesit apo distributorit, duke krijuar barriera dhe pengesa në hyrje në tregun e prokurimeve publike me objekt blerje tonera/bojëra.
Sipas informacionit të mbledhur nga AK, ndërmarrja ITD SHPK është distributori i vetëm i autorizuar në Shqipëri për tonerat e markave HP, Lexmark dhe Xerox dhe ndërmarrja BNT SHPK është distributori i vetëm i autorizuar në Shqipëri për markat OKI, Kyocera dhe Toshiba.
Ndërmarrjet e tjera importuese mund të furnizohen nga furnitorë jashtë vendit dhe të tregtojnë lirisht këto produkte pa patur kufizime në lidhje me pasjen ose jo të autorizimit të prodhuesit apo distributorit. Pajisja me autorizim prodhuesi me markat specifike përfitohet nëse bojërat blihen pranë distributorëve të autorizuar në vend përkatësisht në Shqipëri nga ndërmarrjet ITD dhe BNT me çmime të përcaktuara shumë më të larta se çmimi i blerjes. Ndërmarrjet në ankesë pohojnë se çmimi i ofruar nga ndërmarrjet ITD dhe BNT (distributorët) që zotërojnë autorizimin e prodhuesit, është më i lartë se çmimi i produktit të importuar nga jashtë dhe asnjë nga ndërmarrjet nuk ka praktikë furnizimi nga distributorët./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.