Flet Rako Paja, Administrator AR Ecoenergjia sh.p.k.
Kërkesat e biznesit të bëra një vit më parë për të rishikuar disa pika që do të nxisnin sektorin e fotovoltaikëve mbeten ende pa ndonjë miratim konkret, pavarësisht premtimeve.
Rako Paja, administrator i “AR Ecoenergjia sh.p.k.” shprehet se do të ishte me vlerë që në kushtet e krizës, kërkesat të merreshin parasysh, si një formë për të zbutur efektet e çmimeve të larta.
Sipas tij, vendosja e bilancit vjetor, apo masave të tjera mbështetëse, do të ishte një shtysë më e madhe për të investuar në këtë drejtim, jo vetëm nga bizneset, por edhe familjarët.
Vitin e kaluar, biznesi i fotovoltaikëve bëri disa kërkesa pranë qeverisë të cilat synonin mbështetjen dhe nxitjen e sektorit, duke synuar edhe zbutjen e ndikimit të krizës. Ku jemi sot me këto kërkesa që ju keni paraqitur?
Ne si grup interesi bëmë një sërë kërkesash pranë institucioneve, të cilat lidheshin me zbatimin e një bilanci vjetor, dyfishimin e fuqisë së instaluar për vetëprodhuesit, krijimin e një platforme online për aplikimin e lidhjes në rrjet të vetëprodhuesve, lejimin e instalimeve për vetëkonsum në distancë apo incentivimin e impianteve fotovoltatike rezidenciale.
Për këto pika nuk kemi marrë miratim, por shpresojmë që në shtator të ketë një përgjigje pozitive, mbështetur edhe në premtimet që na janë bërë nga institucionet nga komunikimet që kemi pasur vazhdimisht.
Ministria e Infrastrukturës është në fazë diskutimi për të ndërhyrë në ligjin për burimet e rinovueshme. A është përfshirë edhe sektori juaj në këto diskutime? Cilat janë pritshmëritë?
Sektori ynë është përfshirë në diskutime si grup interesi gjatë kësaj kohe. Shpresojmë që kërkesat tona të reflektohen në ndryshimet e pritura ligjore në ligjin për burimet e rinovueshme. Në këtë fazë të tanishme nuk kemi pasur konsultime, por mirëpresim draftin final, për të parë edhe reflektimet që janë bërë.
Si ka qenë ecuria e sektorit të fotovoltaikëve këtë vit, duke pasur parasysh përmasat që ka marrë kriza e energjisë? A ka interes nga biznesi dhe individët dhe si qëndron në shifra kjo rritje në raport me parakrizën?
Interesi për të instaluar impiante fotovoltaike është dyfishuar, nxitur edhe nga kriza e energjisë, e cila ka marrë përmasa botërore, por edhe nga zhvillimet në tregun e brendshëm ku bizneset në treg të lirë po blejnë energji me çmime disa herë më të larta se më parë.
Ndërkohë që edhe ata që janë me çmime fikse, pra pjesërisht të liberalizuar, kanë kosto të shtuar në raport me vitin e kaluar.
Çmimi i energjisë ka kërcyer në nivele të pamenduara më parë në bursë. Ndërkohë që bizneset në treg të lirë po përballen me kosto të shumta. Si ka ndryshuar koha e kthimit të investimit në kushtet e sotme?
Duke pasur parasysh rritjen e çmimeve të energjisë që ka arritur në nivele të jashtëzakonshme, kthimi i investimit të instalimit të një impianti fotovoltaik ka ndryshuar dukshëm. Në perspektivën e një plani biznesi për kthimin e investimit, përpara krizës koha ishte 4-5 vjet, sot me çmimet e reja të rritura është 2-3 vjet, që është një investim shumë i mirë edhe nga pikëpamja e kthimit të investimit.
Si ka qenë ecuria e kostove të materialeve të cilat shënuan rritje dhe si është reflektuar kjo kosto te projektet finale që instalohen? A është vënë re mungesë materialesh, duke nisur së pari për panelet?
Kostot e materialeve dhe pajisjeve, por edhe kosto të tjera indirekte janë rritur për shkak të rritjes së çmimeve të lëndëve të para e më pas materialeve në tregun botëror.
Kjo nisi si efekt i rikthimit të normalitetit të ekonomisë pas mbylljes nga COVID-19 dhe më pas presionin e shtoi lufta në Ukrainë.
Kostot e materialeve janë rritur deri në 20%. Mungesa e materialeve dhe pajisjeve për shkak të problematikës së krijuar nga kostot e transportit ndërkombëtar dhe linjave të furnizimit është problemi më i madh në aspektin e dorëzimit në kohë të porosive.
Cilat janë disa nga nismat që mund të merren për të nxitur sektorin, duke pasur parasysh skema të ndryshme financimi, ndryshimi i bilancit nga mujor në vjetor apo elemente të tjera shtesë që ju i shihni të vlefshëm?
Duhet të bëhet sa më parë ndryshimi i bilancit nga mujor në vjetor. Duhet të rritet fuqia e instaluar nga 500 kw, që tani është në 1 MW.
Duhet të hiqet TVSH për materialet dhe pajisjet, që t’i japë hov të ri investimeve, sepse do të ulë kostot për investitorin. Bankat përgjithësisht e kanë rritur dhe lehtësuar financimin e këtyre projekteve por duhen parë skema subvencionimi, ose garantimi nga qeveria për investitorët vetëprodhues, me konsum shumë të lartë energjie elektrike.
LEXONI EDHE:
Qeveria i bën hije energjisë diellore, si po zvarriten procedurat për fotovoltaikët
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.