Bizneset bëjnë 66% të pagesave vjetore në cash, kosto 8 mln USD në vit

25/12/2019 11:02 PM 0 komente

Epoka dixhitale në të cilën jetojmë nuk i ka nxitur ekonominë shqiptare të shfrytëzojë këto zhvillime në lëmin e pagesave. Banka e Shqipërisë në studimin të posaçëm që shoqëron projektligjin e pagesave raportoi se, bizneset shqiptare iniciojnë rreth 18,2 milionë pagesa në vit ose 792 pagesa, nga të cilat 66% janë cash. Sipas BSH pagesat cash kanë edhe kostot më të mëdha për bizneset me rreth 8 milionë dollarë në vit.

Përdorimi i cash-it ndryshon sipas madhësisë së biznesit, ku ndërmarrjet  mikro iniciojnë 93% të vëllimit vjetor të pagesave në cash, ndërsa bizneset e mëdha 47%.

Transfertat direkte të kreditit (si në formë letër dhe elektronike) dhe transfertat e debitimit direkt janë instrumentet më të përdorura, përkatësisht në vend të dytë dhe të tretë, pavarësisht madhësisë së biznesit.

Përgjithësisht shumica e pagesave të iniciuara të bizneseve janë për blerjen e mallrave me pakicë dhe të pajisjeve (37% e totalit të vëllimeve vjetore). 20% e totalit të pagesave të iniciuara nga bizneset përfaqësojnë pagat, ndërkohë që faturat periodike dhe sigurime të ndryshme përbëjnë përkatësisht 14% dhe 13% të totalit të pagesave.

Vlerësohet se shërbimet dhe pagesa të tjera, siç janë tatimet dhe detyrimet, përbëjnë secila 10% dhe 6% të totalit të pagesave.

Bazuar në metodën e transmetimit, 54% e pagesave të iniciuara nga biznesi bëhet nga pikat e ndërveprimit, ndërsa pagesat e degëve të internetit dhe pagesat në degët e ofruesve të shërbimeve të pagesave (PSP) përbëjnë secila nga 23% të pagesave të iniciuara nga bizneset.

Pagesat në cash, pavarësisht mënyrës së transmetimit, zënë një peshë të konsiderueshme në totalin e pagesave. Ato përbëjnë 97% të totalit të pagesave në pikën e ndërveprimet dhe 57% të pagesave brenda bankës. Përsa i përket pagesave të iniciuara përmes internetit, transfertat elektronike të kreditit përbëjnë gjysmën e këtyre pagesave, pasuar nga debitimet direkte (27%), dhe të ndjekura nga pagesat me kartë krediti dhe debiti (përkatësisht 13 dhe 9%).

Në anën tjetër, bizneset në Shqipëri kanë pranuar (marrë) 274 milionë pagesa çdo vit ose 2,543 pagesa për një biznes në vit. Shumica dërrmuese e të gjitha pagesave janë marrë nga ndërmarrjet mikro dhe janë marrë kryesisht në cash. Vërehet gjithashtu se të gjitha llojet e bizneseve kanë marrë pagesa me karta debiti dhe krediti, por bizneset e mëdha zënë një pjesë më të madhe. Siç pritej, transfertat elektronike të kreditit dhe transfertat e debitimit direkt nuk janë të rëndësishme për ndërmarrjet mikro dhe bizneset e vogla, por përdoren më së shumti nga bizneset e mesme dhe të mëdha.

Në total, bizneset në Shqipëri kanë shpenzime vjetore të barabarta me 0.6% të PBB-së në kontekstin e marrjes dhe inicimit të pagesave nëpërmjet gjithë instrumenteve të pagesave, ku vetëm cash-i përfaqëson 0.30% të PBB-së ose gjysmën e kostove totale. Në krahasim, kostoja e transfertave të kreditit në formë letër llogaritet në 0.13% të PBB-së, transfertat elektronike të kreditit në 0.05%, debitimet direkte në 0.04%, kartat e debitit dhe të kreditit, nga 0.03% secila.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of