Pas Seria 6 Coupe, BMW e shton gamën e kësaj serie me modelin cabriolet. Në momentin kur të tërë rendin pas modeleve coupe-cabriolet me tavan metalik, duket sikur BMW kërkon të remojë kundër rymës duke propozuar këtë cabriolet tradicionale. Në të vërtetë, veturat e hapura kanë gjithmonë një përdorim të kufizuar dhe kjo është arsyeja që shumica po rendin drejt modeleve me tavan që paloset në bagazh. Por kjo ka si të metë rritjen e peshës së veturës, kërkon shumë mekanizma ndihmës dhe zvogëlon shumë vëllimin e bagazhit kur vetura është e hapur.Për këto arsye, marka bavareze i ktheu shpinën modës dhe për këtë version cabriolet, propozoi mbulesèn tradicionale. Kjo zgjidhje justifikon deri në një farë mase kursimin në peshë dhe kufizon efektin e zhvendosjes së qendrës së rëndesës, duke ruajtur gati të pandryshueshëm raportin e shpërndarjes së peshës ndërmjet urës së parë dhe të pasme. Mbulesa hapet dhe mbyllet me komandim elektrik në 25 sekonda dhe mund të kryhet gjatë ecjes deri në shpejtësi 30 km/orë. Vlerësohet shumë dhe mundësia e uljes automatike të xhamit të pasëm. Në fakt, kur udhëtohet nën një diell përvëlues me kapotë të mbyllur, mund të ulen xhamat anësorë dhe të përmirësohet më tej ajrosja duke ulur edhe xhamin e pasëm me përmasa të vogla dhe vertikal. Karroceria është elegante dhe është realizuar me materiale të ndryshme (alumin, çelik etj), ndërsa nga ana mekanike dhe elektronike është shumë e sofistikuar.Fillimisht vetura do të jetë vetëm me motorin 8 cilindërsh me benzinë me 333 kf dhe 450 Nm. Nuk mungojnë sistemi variabël i fazaturës dhe ngritjes së valvolave (valvetronic), si dhe tubat e thithjes me gjatësi të ndryshueshme. Ky motor mund të shoqërohet me një kuti shpejtësie manuale, një sekuenciale SMG (Sequential Manual Gearbox) me komanda edhe nga timoni, si dhe një automatike që mund të përdoret edhe në funksion sekuencial. Të treja janë me 6 marshe, ndërsa për të mbajtur nën fre kuajt e motorit, mendojnë sistemet e sofistikuar të stabilitetit dhe të kontrollit të tërheqjes (kundër rrëshqitjes së rrotave motorike). Shpejtësia është e vetkufizuar në 250 km/orë.Ashtu si tek versioni 645 Ci Coupe, edhe këtu janë të pranishëm sistemet Active Steering (ndryshon këndin e kthimit të rrotave kundrejt atij të rrotullimit të timonit), Dynamic Drive (kufizon mënjanimin në kthesë) dhe sistemi që orienton fenerët në kthesë. Nuk mungojnë dhe sisteme të tillë si, komandimi zanor i disa funksioneve dhe HUD (Head-Up Displey), projektimi i disa të dhënave të instrumentave tek xhani i përparmë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.