Në fund të tremujorit të tretë të këtij viti, borxhet e nënshkruara dhe të patërhequra të Shqipërisë arritën në 565 milionë euro. Kjo shumë ishte 51% më e ulët se ajo e vitit 2015 kur borxhet e patërhequra, për të cilat tashmë kishte marrëveshje, arritën kulmin mbi 1,2 miliardë euro.
Gjithnjë, Shqipëria ka shfaqur dobësi për disbursimin e kredive të huaja në kohë, pasi nuk ka arritur të plotësojë në kohë kushtet e vëna nga palët për tërheqjen e kredive.
Nga shuma e borxhit të patërhequr prej 565 milionë eurosh, 58% i takon borxhit shumëpalësh dhe kryesisht bankave ndërkombëtare të zhvillimit, pjesa tjetër 42% i takon borxhit dypalësh.
Në borxhin shumëpalësh të nënshkruar dhe të patërhequr, kreditori më i madh është IBRD me 207 milionë euro, e ndjekur nga EBRD me 58 milionë euro, IBD me28 milionë euro dhe EIB me 25 milionë euro.
Rreth 60% të borxhit dypalësh të nënshkruar, por të patërhequr e ka Gjermania. Aktualisht qeveria shqiptare kanë të nënshkruar me qeverinë gjermane 132 milionë euro kredi, të cilat ende nuk janë tërhequr. Kreditori i dytë më i madh është qeveria italiane me 51 milionë euro hua të nënshkruara me Shqipërinë, të cilat ende nuk janë disbursuar, e ndjekur nga Japonia dhe Kuvajti përkatësisht me 21 dhe 28 milionë euro.
Borxhi dy palësh jepet për financimin e projekteve të negociuara paraprakisht dhe ka interesa më të ulta dhe afate me të gjata maturimi se borxhi që merret nga bankat ndërkombëtare.
Të dhënat tregojnë se vendi ynë ka konsumuar 7 miliardë euro borxhe të huaja që nga 1990 deri në tremujorin e tretë 2020, ndërsa i duhet të paguajë për shlyerjen e tij, 8 miliardë euro me gjithë interesat.
Nga shuma 8 miliardë që duhet paguar, 3,3 miliardë euro janë shlyer tashmë dhe do të duhet të shlyhen edhe 4.7 miliardë euro të tjera.
Borxhi publik arriti në 79.72% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në fund të shtatorit, duke reflektuar një ulje të lehtë në raport me nivelin e deklaruar në prill-qershor që ishte mbi 80%, duke u luhatur afër niveleve më të larta rekord të arritura ndonjëherë.
Në krahasim me fundin e 2019-s, kur ishte 66.2% e PBB-së, stoku i borxhit është rritur me 13.5 pikë përqindjeje, për shkak të situatës së krijuar nga Covid-19 dhe rindërtimit pas tërmetit.
Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se stoku i borxhit në fund të shtatorit në vlerë ishte 1.26 trilionë lekë, ose 9.13 mld euro./B.Hoxha
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.