Në muajin shkurt të këtij viti, shuma totale e huave që maqedonasit morën nga bankat ishte rreth 1.2 milionë euro. Kjo shumë i rendit ata në fund të listës së shteteve ballkanike, kur bëhet fjalë për borxhet ndaj bankave.
Në një vend me një popullsi prej rreth 2 milionë banorësh, kjo nënkupton se çdo maqedonas i detyrohet bankës ose bankave mesatarisht rreth 600 euro.
Sipas të dhënave të bëra publike nga Shoqata e Bankave të Serbisë, UBS, duke pasur një pagë mesatare prej 330 eurosh, maqedonasit kanë nevojë për 1.8 paga mujore për të shlyer borxhet e tyre.
Me 3.3 milionë euro borxh në shkurt, boshnjakët ishin pak më të zhytur në kredi, me rreth 730 euro për person. Duke pasur të ardhura mesatare prej 423 eurosh, ata kanë nevojë për 1.7 paga mujore për të mbuluar huatë e tyre.
Serbët janë të tretët në listë. Ata morën 5.9 milionë euro hua ose rreth 800 euro për person. Duke marrë në konsideratë se paga mesatare në Serbi është 370, serbëve do t’u duhej të punonin më shumë se dy muaj në mënyrë që të kthenin huatë e tyre.
Rumunët morën hua në një shumë të madhe, rreth 24 milionë euro. Por duke qenë se vendi ka një popullsi të madhe prej 21.5 milionë eurosh, ata nuk renditen në listën e borxhlinjve më të mëdhenj.
Sipas statistikave, çdo rumun ka rreth 1000 euro borxh dhe do t’i duheshin 3.3 rroga, në mënyrë që të mbulonin huatë. Paga mesatare në Rumani është 340 euro.
Bankat në Mal të Zi dhanë shumën më të vogël të huave. Në total, malazezët morën 842,000 euro. Por, duke qenë se popullsia e Malit të Zi është rreth 620,000 persona, niveli i borxhit për çdo person është rreth 1,300 euro.
Me një pagë mesatare prej 480 eurosh, malazezëve do t’u duhen 2.8 paga për të mbuluar huatë.
Sllovenia ka nivelin më të lartë të borxhit për person. Bankat e këtij vendi kanë dhënë hua në nivelin e 7.8 milionë eurove, ndaj borxhi i tyre për person është rreth 3,900 euro.
Gjithsesi, duke pasur të ardhurat më të larta në rajon prej 980 eurosh, sllovenët nuk ndodhen në pozitën më të keqe kur vjen puna për të shlyer huatë. Ata kanë nevojë vetëm për rreth 4 muaj punë që të mbulojnë borxhet e tyre.
Megjithëse bullgarët dhe kroatët kanë më pak borxhe sesa sllovenët, ata janë në një situatë më të pafavorshme nëse krahason raportin e borxhit me të ardhurat.
Borxhi total i bullgarëve është rreth 9.5 milionë euro. Për person ata zotërojnë rreth 1,300 euro. Ndërsa paga mesatare në Bullgari është 250 euro, ata kanë nevojë për 5.2 paga për të shlyer huatë e tyre.
Kroatët janë në një pozicion të ngjashëm. Me 3,800 euro borxh për person dhe një pagë mesatare prej 720 eurosh, ata kanë nevojë për 5.4 paga që të mbulojnë huatë e tyre. Shuma totale që kroatët morën hua në banka ishte rreth 17 milionë euro.