Fushata kundër regjimit të vizave për shtetasit e Kosovës nga ana e Bosnjë-Hercegovinës ka dhënë rezultatet e para pasi qeveria ka nisur procesin e lehtësimit të procedurave për dhënien e vizave.
Në një nga mbledhjet e Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës është nxjerrë vendimi me të cilën Ministria e Jashtme e BeH-së është udhëzuar që të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të thjeshtësuar procedurën e dhënies së vizave për shqiptarët e Kosovës.
“Këshilli i Ministrave është njoftuar me anë të informatave nga Ministria e Jashtme në lidhje me aktivitetet që kanë për qëllim thjeshtësimin e procedurave të dhënies së vizave për shtetasit e Kosovës, dhe madje me qëllim të pakësimit të dëmit që vuan Bosnjë-Hercegovina për shkak të procedurave të ndërlikuara”, thuhet në konkluzionet e mbledhjes së 58-të të Këshillit të Ministrave të BeH-së. /Koha Ditore