Bosnja ka rënë dakord për të pranuar financimin e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) prej 210 milionë eurosh kredi (235.2 milionë dollarë amerikanë) për ndërtimin e projektit në Doboj, tha Kryeministri i Republikës Srpska.
“150 milionë euro do t’i huazohen Republikës Serbe dhe 60 milionë, Federatës së Bosnjës”, u tha Kryeministri Radovan Viskoviç gazetarëve të pranishëm në Forumin e Biznesit në Sarajevë. Qeveria e Republikës Serbe i ka paraqitur BERZH edhe një sërë projektesh, për të cilat shpreson që të marrë mbështetjen e këtij huadhënësi.
“Republika Serbe synon të ndërtojë njësi që do të merren me prodhimin e energjisë së rinovueshme, me kapacitet të kombinuar 1.000 MW. Shpresoj se projekte të tilla do të shoqërohen edhe me financimin e duhur, duke qenë se edhe BERZH është e interesuar në financimin e projekteve në fushën e energjisë së gjelbër”, tha më tej z. Viskoviç.
Projekti infrastrukturor i Dobojit është pjesë e Korridorit Vc, një degë e Korridorit V të transportit evropian, me gjatësi 700 km, i cili do të lidhë Hungarinë dhe Kroacinë lindore me Bosnjën dhe Hercegovinën dhe në Detin Adriatik. Doboj, pjesë e Republikës Serbe, është një qytet në kufi me Federatën. Republika Serbe dhe Federata Boshnjake janë dy entitete që formojnë Bosnjë – Hercegovinën.