Banka Europiane e Investimeve (BEI) nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Kantonin e Sarajevës dhe Universitetin e Sarajevës për të mbështetur zhvillimin e një masterplani për kampusin kryesor në qendër të qytetit.
Granti prej 500 000 eurosh do të jepet nën Nismën e Financimit të Projekteve Urbane (UPFI) në partneritet me bankën franceze të zhvillimit AFD, dhe financuar nga Nisma e Qëndrueshmërisë Ekonomike të BEI-së. Financimi do të mundësojë përgatitjen e një masterplani dhe studimi të fizibilitetit për integrimin e njësive të ndryshme kërkimore arsimore dhe shkencore të Universitetit të Sarajevës në një kampus të konsoliduar.
Strategjia që do të zhvillohet nën asistencën teknike të programit, do të konsistojë në rizhvillimin e ish-kazermave të ushtrisë në qendër të Sarajevës së bashku me ndërtimin e fakulteteve, instituteve, mjediseve të tjera dhe infrastrukturës shoqëruese, duke rezultuar në krijimin e një kampusi të cilësisë së lartë. Ai do të sigurojë lehtësi për studentët dhe stafin akademik, si dhe një bashkëpunim efektiv midis fakulteteve, akademive dhe instituteve kërkimore.
Nënkryetarja e BEI-së, Lilyana Pavlova, e cila është përgjegjëse për operacionet në Bosnjë-Hercegovinë, tha: “Së bashku me Bashkimin Europian, BEI ka kënaqësinë të mbështesë këtë alokim të buxhetit për përgatitjen e një projekti të ardhshëm që është thelbësor për rritjen e mundësive të arsimimit për banorët në Bosnjë-Hercegovinë. Shpresojmë që investimi të mundësojë që Universiteti i Sarajevës, si institucioni më i madh dhe më i vjetër i arsimit në Bosnjë-Hercegovinë, të ketë ndikim edhe më të madh në zhvillimin e vendit, duke edukuar brezat e studentëve në institucione të reja arsimore të integruara dhe të pajisura mirë. Përmes Nismës së Qëndrueshmërisë Ekonomike të BEI-së, ne mbështesim projekte me ndikim të lartë që inkurajojnë zhvillimin, punësimin dhe rritjen e qëndrueshmërisë, dhe ky projekt do të rrisë cilësinë dhe efektivitetin e proceseve arsimore, madje edhe gjatë emergjencave si pandemia COVID-19”.
Kryeministri i kantonit të Sarajevës, Edin Forto, tha: “Ne më në fund po fillojmë me një nga projektet më të mëdha të zhvillimit në Sarajevë. Pas dy dekadash, vizioni i një kampusi modern si qendra e arsimit dhe përparimit të vendit, po bëhet realitet. Projekti është përtej të gjitha interesave politike dhe individuale. Shoqëria jonë duhet të ketë një themel njohurish dhe pa investime të qëndrueshme, të planifikuara mirë dhe të guximshme, ky vizion nuk do të ishte i mundur. Në emër të të gjithëve që e kanë ëndërruar këtë ëndërr, ne së bashku po përparojmë në përmbushjen e detyrimit tonë ndaj brezave të ardhshëm”.
Rektori i Universitetit të Sarajevës Rifat Rikrijelj, tha: “Projekti i Rigjenerimit Urban të Kampusit të Universitetit të Sarajevës që do të zhvillohet dhe zbatohet me mbështetjen e fondeve të BEI-së, është i një rëndësie thelbësore për zhvillimin e ardhshëm të këtij kompleksi që i përket Universitetit të Sarajevës”.