Banka Europiane e Investimeve (BEI) do të ofrojë një hua me vlerë prej 25 milionë eurosh për Raiffeisen Leasing në Bosnjë dhe Hercegovinë, e cila do të shkojë në mbështetje të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (NVM-ve) në vend.
Raiffeisen Leasing do të përdorë huanë për të financuar projektet e investimeve në sektorë të ndryshëm, si ai i turizmit, bujqësisë, shërbimeve, si dhe duke inkurajuar në veçanti investimet që nxisin punësimin e të rinjve në kuadrin e Nismës Europiane të Punësimit dhe Trajnimit të të Rinjve për Ballkanin Perëndimor.
Autoritetet lokale do të përfitojnë nga kjo hua për të financuar investime të tjera në fushat e mbrojtjes së mjedisit, kujdesit shëndetësor dhe arsimit. Sipas vlerësimeve të BEI, dhënia e një huaje me këtë vlerë do të ndikojë në hapjen e një numri të madh vendesh të reja pune dhe në mbështetje të atyre që janë të hapura aktualisht, që të mos mbyllen (rreth 4,450 vende pune duke përfshirë ato ekzistuese dhe krijimin e vendeve të reja) dhe rreth 445 NVM.
Marrëveshja për dhënien e një kësti të parë prej 15 milionë eurosh u nënshkrua javën e kaluar në Sarajevë ndërmjet Matteo Rivellini, shefi i Divizionit në BEI, përgjegjës për Ballkanin Perëndimor, Kroacinë dhe Slloveninë dhe Karlheinz Dobnigg, drejtorit ekzekutiv të Raiffeisen Bank në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Z. Rivellini tha se ishte i kënaqur nga nënshkrimi i marrëveshjes, e cila do të shkonte kryesisht në mbështetje të sipërmarrësve të vegjël dhe të mesëm dhe do të ndikonte në hapjen e më shumë vendeve të reja të punës në Bosnjë dhe Hercegovinë. Nëpërmjet hapjes së vendeve të reja të punës, shpresohet që të ulet edhe numri i të rinjve që duan të emigrojnë jashtë vendit.
Kjo është linja e katërt e kredisë që ne nënshkruajmë me Raiffeisen Leasing në Bosnjë dhe Hercegovinë, duke u mbështetur në bashkëpunimin e suksesshëm të zhvilluar gjatë viteve midis BEI dhe grupit Raiffeisen në këtë shtet dhe në vende të tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Edhe drejtori i bankës, z. Dobnigg tha se ishte i kënaqur nga nënshkrimi i marrëveshjes, e cila nënkupton njëkohësisht edhe vazhdimësinë e bashkëpunimit midis Raiffeisen Group dhe BEI.
Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NVM-të) janë shtylla kryesore e ekonomisë së Bosnjës dhe Hercegovinës. Raiffeisen Bank dhe Raiffeisen Leasing prej vitesh janë ndër partnerët kryesorë të biznesit. Bashkëpunimi midis BEI dhe grupi Raiffeisen në Bosnjë dhe Hercegovinë ka filluar që në vitin 2005. Që atëherë, BEI ka ofruar gjashtë kredi për të dy entitetet e grupit në Bosnjë dhe Hercegovinë, tre për Raiffeisen Bank dhe tre për Raiffeisen Leasing, me një vlerë prej 130 milionë eurosh.
Deri më sot, BEI ka mbështetur kreditimin e NVM-ve në vend nëpërmjet bankave lokale, me një vlerë prej 710 milionë eurosh.
Që nga fillimi i aktiviteteve të saj në Bosnjë dhe Hercegovinë, BEI ka ofruar mbi 2.4 miliardë euro financime në sektorët e ekonomisë, veçanërisht në mbështetje të NVM-ve dhe transportit, por pa lënë prapa edhe sektorët e energjisë, shëndetësisë, kanalizimeve dhe ujit.