Drejtuesit e Bankës Qendrore të Kosovës po përcjellin zhvillimet lidhur me pandeminë në vend. Këtë e ka thënë Guvernatori Fehmi Mehmeti duke theksuar se sektori bankar është stabil, likuid dhe me afarizëm pozitiv.
Kosova do të ketë rënie ekonomike prej 7.2 për qind në vitin 2020, kanë thënë zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës.
Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, ka përmendur shkaqet kryesore që bashkë me pandeminë kanë ndikuar që të ketë rënie ekonomike kaq të madhe.
“Ekonomia do të shënojë rënie 7.2%. Shkaktarët lidhet me masat e ndërmarra që ndikuan negativisht në nivelin e investimeve. Një prej faktorëve që ka ndikuar në uljen e kërkesave agrare është rënia e vizitave nga diaspora. Kur jemi te diaspora një prej faktorëve që ka zbutur pandeminë janë remitencat që vazhdojnë të vijnë nga diaspora”, tha Mehmeti.
Në një konferencë për medie ka thënë se ka pasur rënie edhe të konsumit e cila u reflektua edhe në një rënie të importeve prej 9.9 për qind.
Ai thotë se investimet e huaja direkte kanë shënuar rritje. Mehmeti ka thënë se ka pasur rënie prej 5 për qind të lëshimit të kredive.
“Në këto kushte kur të hyrat kanë shënuar rënie vlera e kredive në shtator 2020 arriti në 3.2 miliard euro, kemi rënie 5 për qind. Zhvillime pozitive kemi edhe në sektorin sigurimeve. Rritja e kredive 218.6 milion euro”.
Mehmeti nuk ka komentuar çështjen e 2 milionëshit që ka ndodhur në Thesarin e Shtetit, duke thënë se kjo është punë e ministrisë
Sokol Havolli, Zëvendës Guvernator ritheksoi se do t’i japin numër rolit të bankave gjatë periudhës së suspendimit të pagesave.
“Likuiditeti është rritur 100 milion euro i kredimarrësve. Bankat kanë qenë, janë dhe do të jenë bartës të zhvillimit ekonomik në vend”, tha ai.
Guvernatori i BQK-së ka thënë se dërgesat nga diaspora këtë vit kanë shënuar rritje.
“643 milionë janë në këtë vit, kurse në vitin e kaluar remitancat kanë qenë 608.6 milionë euro”, u shpreh Mehmeti.
Mehmeti tha se çdo ditë vonesë për miratimin e Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike ka pasoja të mëdha.
“Është shqetësuese mos miratimi i planit të rimëkëmbjes ekonomike”, theksoi Mehmeti.
Guvernatori Mehmeti ka siguruar se sistemi financiar është i sigurt me sistem efektiv të kontrollave të brendshme.
Ai tha fitimi i bankave komerciale në këtë kohë të pandemisë është 58 milionë euro.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.