Kredia për ekonominë po shënon ritmet më të ulëta të rritjes në dekadën e fundit, duke ndikuar negativisht në rigjallërimin e ekonomisë së dobët shqiptare.
Në raport me dhjetorin 2012, kredia për ekonominë është tkurrur me 6.8 miliardë lekë, apo 1.2%. Një vit më parë, ndryshimet përkatëse ishin plus 10.7 miliardë lekë dhe plus 2%.
Studimi i BSH: Faktorët që po ndikojnë negativisht në huadhënie
Në një studim, “Kreditimi i sektorit privat: Analizë e zhvillimeve në vend dhe rajon” nga Erjona Suljoti dhe Sofika Note, Departamenti i Politikës Monetare, Banka e Shqipërisë, analizohen me detaje arsyet e ngadalësimit të kredisë.
Sipas studimit, zhvillimet në ecurinë e kredisë kanë reflektuar zhvillimet e tjera makroekonomike në vend. Ngadalësimi i kërkesës agregate është shoqëruar me rënien e kërkesës për kredi, si nga bizneset ashtu edhe nga individët.
Tkurrja e kërkesës
Sipas vrojtimit të kredisë me bankat e nivelit të dytë vlerësohet se rënia e kërkesës është faktori kryesor në ecurinë e dobët të kredisë për ekonominë pas gjysmës së parë të vitit 2012.
Ecuria e kredisë për biznese ka ndjekur zhvillimet në ekonominë reale. Në përgjithësi, në 3 vitet e fundit, sektorët më të kredituar të ekonomisë kanë qenë shërbimet dhe industria, të cilët kanë dhënë edhe vlerën më të madhe të shtuar në ekonomi. Kështu, sektori i shërbimeve, i cili ka dhënë një kontribut mesatar prej 2.4 pikë përqindjeje në rritjen e aktivitetit ekonomik në tre vitet e fundit, ka marrë 56% të kredisë për biznese të dhënë gjatë kësaj periudhe. Kontributi i sektorit të industrisë në rritjen ekonomike ka qenë mesatarisht 0.5 pikë përqindje në këto vite dhe ky sektor ka thithur rreth 35% të kredisë për biznese. Nga ana tjetër, kredia për sektorin e ndërtimit është rritur pak në vitet 2010-2011 dhe është tkurrur në vitin 2012 e në fillimin e vitit 2013, duke reflektuar edhe ecurinë e dobët ekonomike të këtij sektori (kontribut negativ prej 1.5 pikë përqindje në periudhën 2010-2012). Ndërkohë, sektori i bujqësisë, ndonëse me një kontribut të rëndësishëm në rritjen ekonomike (prej mesatarisht 1.1 pikë përqindjeje), mbetet i nënkredituar si pasojë e rrezikut të lartë të kredisë që mbart procesi i kreditimit në këtë sektor.
Kërkesa e bizneseve për financim është orientuar kryesisht drejt financimit të nevojave për kapital qarkullues, veçanërisht në dy vitet e fundit. Nga ana tjetër, kërkesa për financimin e investimeve ka qenë në rënie të vazhdueshme që nga fundi i vitit 2008. Kërkesa e ulët për kredi për investime ka ndikuar edhe në ngadalësimin e shpejtë e më pas tkurrjen e kredisë në valutë, e cila tradicionalisht ka qenë e lidhur me financimin e investimeve. Sipas raportimeve të bankave, arsyet kryesore pas rënies së kërkesës për kredi janë ngadalësimi i përgjithshëm i ekonomisë dhe veçanërisht rënia e nivelit të investimeve të reja.
Ndryshe nga bizneset, kërkesa e individëve për kredi ka rënë në të dyja segmentet e kredisë për individë, si atë për konsum, ashtu edhe atë hipotekore, pavarësisht se bankat kanë shtrënguar më pak kushtet e kreditimit për individë. Ajo është rritur lehtë në vitin 2011 dhe ka rënë sërish në vitin 2012. Faktorët kryesorë të identifikuar nga bankat për rënien e kërkesës për kredi të individëve janë situata në tregun e pasurive të paluajtshme dhe prania e burimeve të tjera (joformale) të financimit. Ndërkohë, ndikim pozitiv në kërkesën për kredi kanë dhënë politikat e ndjekura nga Banka e Shqipërisë, veçanërisht ato të uljes së normës bazë të interesit dhe sigurimi i qëndrueshmërisë së çmimeve, si ankorë stabiliteti në ekonomi. Sjellja e individëve duket të ndikohet nga pasiguritë për të ardhmen e financave të tyre, në kushtet e ngadalësimit të të ardhurave reale të disponueshme. Familjarët vijojnë të reflektojnë këtë pasiguri në ruajtjen e tendencës së tyre për të kursyer, e cila është reflektuar në rritjen e qëndrueshme të depozitave dhe mjeteve të tjera të investimit të kursimeve, si letrat me vlerë të qeverisë.
Edhe oferta është shtrënguar
Nga ana e ofertës, analiza e rezultateve të vrojtimit të bankave tregon për një ofertë të shtrënguar, edhe pse bankat kanë likuiditet dhe kapital të mjaftueshëm për të kryer funksionin e ndërmjetësimit në ekonomi.
Standardet e kreditimit
Analiza e ecurisë së kushteve të kreditimit, sipas vrojtimit të kredisë, tregon se kushtet e kreditimit të bankave kanë qenë në kahun shtrëngues që prej fundit të vitit 2008. Në fund të vitit 2010 dhe në fillim të vitit 2011 u vu re një tendencë lehtësuese e kushteve të kreditimit për biznese, si për qëllime likuiditeti ashtu edhe për atë për investime. Kjo ecuri ishte në linjë me përmirësimin e kushteve makroekonomike, si dhe besimin për përmirësim të mëtejshëm të tyre. Ndërkohë, nga gjysma e dytë e vitit 2011 e më pas, thellimi i krizës së Eurozonës dhe në veçanti rikthimi i një recesioni të dytë në vendet e Europës Qendrore dhe Juglindore, duket se riktheu tendencën për shtrëngimin e kushteve. Kushtet për bizneset u shtrënguan ndjeshëm, dhe në veçanti për kredinë për investime. Në vrojtimin e kredisë, bankat identifikojnë probleme specifike të sektorëve të ekonomisë, situatën makro dhe ecurinë e kredive me probleme si faktorët kryesorë që kanë ndikuar në rikthimin e politikave shtrënguese për kreditim. Faktorët që kanë vepruar në kahun lehtësues vlerësohen të jenë konkurrenca dhe gjendja e mirë e likuiditetit në sistem bankar. Ndërkohë, kërkesat për kapital janë evidentuar të veprojnë në kahun shtrëngues, veçanërisht pas fundit të vitit 2011, duke reflektuar kështu aplikimin e kërkesave të reja rregullative të autoritetit bankar europian.
Ndërkohë, në segmentin e kredidhënies për individë, zhvillimet në standardet e kreditimit shfaqen ndryshe nga ato për biznese. Kushtet e kreditimit për individë janë shtrënguar ndjeshëm deri në fund të vitit 2009 dhe më pas kanë ndjekur një tendencë lehtësuese, në veçanti për kredinë për banesa, deri në mes të vitit 2011. Më pas, pati një kthim të lehtë të kësaj trajektore në dy tremujorët e fundit të vitit 2011 dhe standardet vazhdojnë të qëndrojnë në këto nivele deri më sot. Në tregun e kredidhënies për individë, bankat kanë ndjekur politika më lehtësuese krahasuar me bizneset. Kjo ka qenë në përputhje me strategjitë e bankave, veçanërisht atyre të mëdha, për t’u rritur në këtë treg gjatë kësaj periudhe. Si faktorë kryesorë që kanë përcaktuar ecurinë e kushteve të individëve, bankat përmendin ecurinë e tregut të banesave, gjendjen financiare të individëve dhe ecurinë e raportit të kredive me probleme ndaj totalit (NPL-të). Në kahun e kundërt, likuiditeti, konkurrenca midis bankave dhe vendimet e Bankës së Shqipërisë kanë ndikuar në lehtësimin e standardeve të kreditimit për individë.
Në tërësi, nga analiza e mësipërme, ekspertët e BSH-së konstatojnë se kushtet e shtrënguara të kreditimit, krahas shqetësimeve të bankave për ecurinë makroekonomike në vend, reflektojnë edhe përkeqësimin e portofolit të kredive me probleme.
Përkeqësimi i cilësisë së portofolit të bankave e ndikon në dy drejtime të rëndësishme rolin ndërmjetësues që ato kryejnë. Nga njëra anë, ato rrisin nevojën për kapital për përmbushjen e kërkesave rregullative të autoritetit mbikëqyrës dhe nga ana tjetër, sinjalizojnë drejtpërsëdrejti mbi rrezikun e ndryshëm që kanë sektorë të caktuar të ekonomisë. Në lidhje me këtë të fundit, vihet re që portofoli i individëve karakterizohet nga një raport më i ulët i kredisë me probleme ndaj totalit, prej 17.8%, krahasuar me 27.4% që e kanë bizneset. Brenda sektorëve të ekonomisë, vihet re se kreditë me probleme janë rritur nga viti në vit pothuajse për të gjithë sektorët, ndërkohë që ato mbeten problematike për sektorin e ndërtimit dhe atë të tregtisë.
Politikat e grupit
Oferta për kredi nga sistemi bankar dhe në veçanti zhvillimet në standardet e kreditimit, duket të jenë kushtëzuar edhe nga origjina e kapitalit të bankave. Sikurse tregon studimi më i fundit i FMN-së (prill 2013), standardet e kreditimit dhe politikat e ndjekura nga bankat në vendet e EQJL janë të kushtëzuara nga politikat e grupit (bankave mëma), në veçanti për ato me prejardhje europiane. Ngërçi në kredidhënie në këto banka ndikohet drejtpërsëdrejti nga modeli i centralizuar i bankingut të bankave europiane, duke pasqyruar edhe impaktin shtrëngues që pati aplikimi i rregullave të reja të vendosura nga Autoriteti Bankar Europian në këtë periudhë (FMN, 2013). Në Shqipëri, këto zhvillime janë pasqyruar në ndryshimin e strukturës së tregut të aktivitetit kreditues. Kështu, bankat greke, pas krizës financiare të vitit 2008 kanë ndjekur politika konsoliduese, duke ulur dukshëm portofolin e kredisë dhe peshën e tyre në treg, sikurse vihet re edhe në vendet e tjera të rajonit (OENB, 2012). Tkurrja e aktivitetit kreditues të bankave greke duket të jetë balancuar kryesisht nga banka të tjera të sistemit. Ndërkohë, bankat që janë pjesë e grupeve bankare europiane, pasi shfaqën rritje të kreditimit deri në mesin e vitit 2011, kanë më shumë se një vit që mbajnë një nivel të pandryshuar të portofolit të kredisë.
Konkluzione
Kriza financiare globale, ashtu sikurse në shumë vende të botës, edhe në Shqipëri, dha një ndikim të rëndësishëm në rolin e sistemit bankar si ndërmjetës financiar. Pas vitit 2008, dhe në veçanti gjatë dy viteve të fundit, roli ndërmjetësues i bankave për kanalizimin e fondeve në ekonomi është reduktuar. Gjatë kësaj periudhe, aktiviteti kreditues është ngadalësuar dhe përdorimi i levës financiare në ekonomi është ulur. Ky fenomen është ndikuar si nga faktorë të kërkesës ashtu edhe ata të ofertës, të cilët kanë vepruar me intensitet të ndryshëm ndër vite. Fillimisht ishin faktorët e ofertës ata që përcaktuan shtrëngimin e kushteve të kreditimit dhe dekurajuan kërkesën për kredi. Ndërkohë, në vitin e fundit, kërkesa për kredi është ulur ndjeshëm, duke dhënë edhe kontributin kryesor në ecurinë e dobët të kredisë në gjysmën e dytë të vitit 2012 dhe gjysmën e parë të vitit 2013.
Zhvillimet në kreditimin në Shqipëri duket se janë në një linjë me zhvillimet në vendet e rajonit. Kërkesa e ulët për kredi është reflektim i ecurisë së dobët ekonomike në këto vende. Ndërkohë, oferta për kredi vijon të jetë e shtrënguar prej dy faktorëve kryesorë: nevoja për të financuar aktivitetin ndërmjetësues nga burime të brendshme të financimit (depozita) dhe rritja e rrezikut të kredisë (niveli i lartë i huave me probleme). Analiza krahasuese e vendos Shqipërinë në një pozicion më të mirë ndër vendet e rajonit, duke qenë se financimi i huaj zë një peshë të ulët në bilancet e bankave shqiptare. Nga ana tjetër, kreditë me probleme mbeten në nivele të larta, sikurse në të gjithë rajonin. Adresimi dhe menaxhimi i shpejtë i tyre përbën një ndër sfidat e radhës për politikëbërësit dhe bankat në rajon. Pastrimi i bilanceve të bankave prej tyre do të rriste aftësinë e bankave për të kredituar dhe do të ndihmonte në rimëkëmbjen e ekonomisë në të ardhmen.
Për sa i takon së ardhmes, në afatin e shkurtër, ecuria e kreditimit duket se do të vijojë të kushtëzohet nga kërkesa e ulët për kredi, pasiguritë e agjentëve ekonomikë dhe të bankave për ecurinë e ardhshme dhe menaxhimin e kredive me probleme. Nga ana tjetër, Shqipëria konsiderohet një vend me potencial të lartë të rritjes ekonomike, ndërkohë që ajo ka një përdorim të ulët të levës financiare përkundrejt aksesit të një baze të gjerë depozitash nga bankat. Këta faktorë bazë përcaktojnë një prospekt pozitiv për ecurinë e kreditimit në Shqipëri në afat të mesëm e të gjatë, përfundon studimi i BSH-së.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.