Popullsia e Bullgarisë, Letonisë, Polonisë, Rumanisë, Kroacisë dhe Ukrainës është në rënie. Në disa prej këtyre shteteve, ajo po bie me një ritëm drastik. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, rritja e nivelit të papunësisë po e përkeqëson këtë tablo gri.
Sipas Institutit të Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare (WiiW), deri në vitin 2045, shtetet e mësipërme mund të humbasin mbi 20% të popullsisë së tyre në moshë pune. Në Hungari, e cila është e varur nga eksportet, shumë kompani ankohen për mungesën e punës. Për këtë vend, që ashtu si Polonia, ka shënuar rritje të jashtëzakonshme ekonomike në vitet e fundit, ekspertët parashikojnë një ngadalësim serioz në vitet e ardhshme. Sipas Institutit të Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare, WiiW, kjo vjen edhe për shkak të rënies së kërkesës për mallrat hungareze nga shtete si Gjermania dhe Kina.
Studimi thotë më tej se trendi rënës nuk do të prekë vetëm Hungarinë, por edhe shtete të tjera.
Shumica e vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore kanë arritur kulmin e rritjes ekonomike gjatë 2017-2018, ndërsa në dy apo tre vitet e ardhshme, ato do të shënojnë rënie.
Pavarësisht pagave në rritje, normat e ulëta të interesit për huatë dhe perspektivat e pakta për investime, do të bëjnë që rritja ekonomike gjatë vitit 2021 të jetë më e ulët se ajo gjatë viteve 2016-2018.
Në të vërtetë, sipas ekspertëve të institutit WiiW, pagat në vendet e lartpërmendura po rriten edhe për shkak të mungesës së fuqisë punëtore, gjë që çon edhe në rritjen e konsumit privat. Megjithatë, kjo mund të ndikojë duke dëmtuar konkurrueshmërinë në vendet e Europës Qendrore, Lindore dhe Juglindore dhe të bëjë që investitorët e huaj të lëvizin në pjesë të tjera të botës.
Sipas institutit të WiiW, ekonomitë e Kosovës, Shqipërisë dhe Moldavisë do të rriten në ritme më të shpejta, ndërsa ekonomitë e Rusisë, Bjellorusisë dhe të Turqisë do të rriten me ritme më të ngadalta.
Ngadalësimi në ekonominë globale, proteksionizmi amerikan, Brexit dhe problemet e pazgjidhura në Eurozonë paraqesin një kërcënim serioz për ekonomitë e vendeve të Europës Qendrore, Lindore dhe Juglindore të orientuara nga eksporti.
Konkretisht për Bullgarinë, ekspertët e Institutit WiiW parashikojnë zhvillimet e mëposhtme: PBB-ja e vendit pritet të bjerë në 2.8% në 2019, në 2.5% në 2020 dhe po me 2.5% edhe gjatë 2021. Në vitin 2021, çmimet e konsumit do të jenë rritur me një mesatare prej 2.5% në vit; papunësia do të shkojë në 5% në vitin 2019, në 4.8% në vitin 2020 dhe 4.6% në vitin 2021. Në vitin 2019, bilanci i llogarisë korrente do të përbëjë 3% të PBB-së dhe në vitin 2021, ai do të bjerë në 1.1% të PBB-së. Sipas autorëve të këtij raporti, popullsia e vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore do të vazhdojë të shënojë rënie.
Kjo situatë po ndodh për herë të parë në zona që nuk vuajnë nga nivelet e varfërisë ekstreme apo ku nuk po zhvillohen luftëra. Autoritarizmi, nënvlerësimi i pushtetit shtetëror dhe ndërhyrja në pavarësinë e institucioneve do të jenë fenomene me të cilat vendet e mësipërme do të përballen me shpesh në të ardhmen, përfundoi raporti i Institutit të Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare.