Perspektiva ekonomike e kompanive vendase është përkeqësuar për të gjashtin muaj radhazi në Bullgari. Treguesi i përgjithshëm për klimën e biznesit në muajin nëntor, është ulur me 2.2 pikë, krahasuar me muajin tetor dhe ka arritur në 13.6 pikë, sipas vrojtimeve nga IKSHP.
Vlerësimet e mjedisit të biznesit po përjetojnë rënien më të mprehtë në tregtinë me pakicë – 8.4 pikë më pak nga muaji i kaluar. Rënie ka pasur edhe në sektorin e ndërtimeve dhe shërbimeve dhe vetëm perspektivat në industri kanë pasur përmirësim të lehtë.
Vështirësia më e madhe për biznesin mbetet pasiguria e mjedisit ekonomik. Ndjenja pro-inflacioniste vazhdon të rritet: pritshmëritë e menaxherëve në të gjithë sektorët, përveç industrisë, tregojnë rritje të çmimeve të shitjes në tre muajt e ardhshëm.
Perspektivat në tregtinë me pakicë u ulën me 8.4 pikë krahasuar me muajin e kaluar, sipas të dhënave nga NSI. Menaxherët kanë vënë re një rënie të mprehtë në shitje gjatë tre muajve të fundit, dhe pritshmëritë për tre muajt e ardhshëm janë ulur gjithashtu. Tre nga katër kompanitë e përfshira në anketim, po përballen me vështirësi për shkak të pasigurisë ekonomike. Pesha e problemeve të tjera të mëdha, me të cilat përballet sektori – kërkesa dhe konkurrenca – është në një rënie të lehtë.
Në rënie është edhe vlerësimi i klimës së biznesit në sektorin e shërbimeve, i cili është ulur me 4.7 pikë. Qëndrimet ndaj situatës dhe kërkesës aktuale janë përkeqësuar dhe pritshmëritë për të ardhmen janë ulur gjithashtu. Krahas pasigurisë së përgjithshme, po rriten edhe vështirësitë me konkurrencën në industri, siç ka vënë në dukje rreth një e treta e drejtuesve të sektorit.