Inflacioni, masat dhe mënyra si do të miratohet euro – këto ishin temat që diskutuan deputetët e Komisionit për Buxhetin me ekonomistë dhe ekspertë.
Bullgaria po largohet gjithnjë e më shumë nga synimi i adoptimit të euros në vitin 2024. Kështu u shpreh për gazetarët Lubomir Karimanski, kryetari i Komisionit për Buxhetin.
Inflacioni është një nga kriteret kryesore për anëtarësimin e një shteti në Eurozonë. “Inflacioni i lartë mund të ndalet nga normat e larta pozitive të interesit dhe një recesion. Kjo do të thotë se grupe të caktuara njerëzish, duhet të ulin të ardhurat e tyre reale për një periudhë të caktuar kohore. Përndryshe, dhënia mekanike e parave krijon rrezik të lartë të rritjes së inflacionit”, tha Kalin Hristov, zëvendësguvernator i BNB-së.
“Fatkeqësisht, deri tani, ne nuk kemi mundur të kufizojmë këtë lloj pandemie të re të quajtur inflacion. Ajo po përhapet me shpejtësi. Është e qartë se nuk mund ta ulim, ose ta kontrollojmë, inflacionin me masa fiskale”, tha Milen, financier.
“Inflacioni nuk është shkaku i asgjëje. Ai është rezultat i politikave të gabuara apo zhvillimeve makroekonomike. Dhe prandaj, ne duhet të përmbahemi, që të mos e përshpejtojmë. Masat duhet të jenë më të fokusuara, sepse hedhja e parave në të gjithë tregun, ka më shumë gjasa të rrisë inflacionin sesa ta ulë atë”, shtoi Vladislav Goranov, një tjetër financier.
Nuk është vetëm inflacioni pengesë për anëtarësimin e Bullgarisë në Eurozonë, por ka edhe arsye të tjera.
“Shanset tona nuk janë të mëdha, sepse nëse i mbajmë kriteret aktuale, do të ishte e vështirë t’i përmbushnim ato në aspektin e inflacionit”, tha Lubomir Karimanski, kryetari i Komisionit për Buxhetin në Asamblenë Kombëtare.
“Problemi për Bullgarinë është se ne kemi një konkurrencë të ulët. Jemi vendi më pak i zhvilluar në Bashkimin Europian. Dhe kjo na vendos në kushte të veçanta, sepse politika monetare e BE-së, nuk mund të zhvillohet njësoj si për vendet shumë të zhvilluara, ashtu edhe për ato të pazhvilluara”, tha Rumen Gechev, nga Partia Socialiste Bullgare.
Një raport mbi këtë çështje nga ekspertët, do t’i paraqitet Këshillit të Ministrave.