“Bursa përfitim për gjithë lojtarët e tregut, menaxhohet risku i çmimit”

04/06/2019 2:07 PM 0 komente

Flet Nick Frydas Specialist i Lartë i Energjisë i IFC-së

Projekti për Bursën e Energjisë po asistohet prej vitesh nga Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC). Nick Frydas, specialist i Lartë i Energjisë i IFC-së dhe Menaxher Projekti për Bursën Shqiptare të Energjisë (APEX) dhe krijimit të Tregut Shqiptar të Balancuar të Energjisë që nga viti 2016 nënvizon se miratimi i vendimit të fundit nga qeveria është një hap i madh për projektin.

Ai nënvizon se krijimi i saj do të ndikojë mënyrën sesi operon tregu në çdo hallkë të tij që nga lojtarët kryesorë deri tek konsumatori fundor. Sipas Frydas të pasurit të një Burse gjithashtu e bën më të thjeshtë menaxhimin e riskut të çmimit.

 

Qeveria ka miratuar tashmë vendimin për Bursën e Energjisë çka i hap rrugë konkretizimit të saj. Ç’do të thotë ky hap për tregun e energjisë në vend?

 Ky është një hap i madh përpara për liberalizimin e plotë dhe konkurrencën e lirë në sektorin e energjisë elektrike në vend, ku, për më tepër, ai që është konsumatori fundor i energjisë elektrike do të përfitojë nga kjo. Shqipëria tani do të ketë një çmim transparent shitje të energjisë elektrike në çdo orë, i cili do të fuqizojë hidrocentralet me rezervuarë të Shqipërisë, importet dhe eksportet, dhe përmirësojë kontratat e energjisë elektrike.

Treguesi i çmimeve të një tregu konkurrues shërben si udhërrëfyesi më i mirë për investime, vendime operacionale dhe orientues për sjelljen e konsumatorëve. Sigurisht që i gjithë procesi duhet të menaxhohet me kujdes nga Qeveria për të paktën 3 vjet pas operimit tregtar, në mënyrë që të mbrojë konsumatorin fundor nga çdo ndikim në çmim.

Çfarë ndikimesh pritet të ketë Bursa për të gjithë palët e përfshira në treg si kompanitë publike, furnizuesit, prodhuesit me përparësi të energjisë?

Bursa do t’u sigurojë atyre mjetet dhe mundësinë për të optimizuar funksionimin e sektorit dhe për të menaxhuar rrezikun e çmimit të energjisë. Bursa gjithashtu do të ndihmojë për të ndërmarrë vendimin e duhur operacional dhe të investimeve. Mbi të gjitha do t’i bëjë të gjithë lojtarët shumë më të “sofistikuar”, pasi ata tani do të konkurrojnë për të ofruar marrëveshjen më mirë për klientët e tyre. Më i zgjuari fiton dhe klienti është mbret në mjedisin e ri.

A është tregu shqiptar i maturuar në të gjithë hallkat e tij tashmë për të funksionuar sipas modelit të ri? Çfarë mund të bëhet më mirë?

Hallkat janë vetëm “virtuale”. Shqipëria po tërheq investime në sektorin e energjisë dhe veçanërisht në energjinë e rinovueshme ku hidrocentralet e saj kanë vlerë të madhe në tregun rajonal si një alternativë e rëndësishme. Rreziku i stinëve të thata do të menaxhohet shumë më mirë përmes Bursës të Energjisë dhe gjithashtu një treg i përbashkët i tregut hidrik të Shqipërisë me tregun termik të Kosovës do të ofrojë përfitime të mëdha. APEX synon të veprojë si platformë e përbashkët e tregut për të dy vendet. Përvoja tregon se sektori privat si dhe edhe sektori publik, ne momentin kur paraqitet mundësia, i përgjigjen menjëherë sfidës “sipërmarrëse”, dhe menjëherë konkurrojnë për të ofruar shërbimin më të mirë dhe produktin më të mirë për konsumatorin. Të gjitha këto do të bëjnë që të përfitojnë edhe konsumatorët fundorë.

Po për konsumatorin fundor a do të ketë ndonjë ndikim bursa?

Do ketë përfitime afatmesme dhe afatgjata. Së shpejti do të zhvillohen dhe ofrohen lloje të reja produktesh shërbimi dhe çmime të reja të cilat do të kenë në qendër interesin e konsumatorit fundor. Mundësia e zgjedhjes nga ana e konsumatorit, mundësia e vendimmarrjes nga ana e konsumatorit për përzgjedhjen e mënyrës më të mirë të menaxhimit të profilit të tij konsumator, mundësia e grupimit të konsumatorëve komercialë dhe industrialë, mundësia e ndërprerjes së marrëdhënieve kontraktuale për çmime më të mira etj. Janë disa nga të rejat që do të aplikohen së shpejti. Kjo në fund të fundit është arsyeja se pse 32 nga 33 vendet Evropiane kanë krijuar tashmë Bursat e Energjisë dhe tregjet konkurruese. E ftoj lexuesin që të reflektojë mbi këtë të fundit.

 

Ndikimi

Bursa do t’u sigurojë palëve të interesuara mjetet dhe mundësinë për të optimizuar funksionimin e sektorit dhe për të menaxhuar rrezikun e çmimit të energjisë. Bursa gjithashtu do të ndihmojë për të ndërmarrë vendimin e duhur operacional dhe të investimeve. Mbi të gjitha do t’i bëjë të gjithë lojtarët shumë më të “sofistikuar”, pasi ata tani do të konkurrojnë për të ofruar marrëveshjen më mirë për klientët e tyre

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of