Pse vendimet e njëpasnjëshme të Bankës së Shqipërisë për të reduktuar interesat bazë në ekonomi nuk po çojnë në zhvlerësimin e lekut? Si shpjegohet ky lek kaq i fortë në një ekonomi që nuk konsiderohet të ketë ndonjë rritje të fortë? Mendimet e ekspertëve dhe reagimet e bankave.Për bankierët ishte sa e vështirë aq dhe e lehtë të parashikohej ajo që po ndodh sot me kursin e këmbimit dhe interesat: Leku po i habit të gjithë, teksa është forcuar dita-ditës gjatë gjithë pjesës së parë të 2004. Banka e Shqipërisë, e shqetësuar për këtë situatë ka ulur 3 herë në tre muajt e fundit interesat bazë në ekonomi, duke arritur në nivelin më të ulët historik të 5.75%*. Por, përsëri leku vazhdon të jetë i fortë. Nga ana tjetër, ka dhe një zhvillim, që nuk është në rrjedhën normale të efekteve që priteshin nga vendimet dhe sinjalet e fundit të Bankës së Shqipërisë: interesat e bonove të thesarit kanë shfaqur një tendencë rritjeje. Bankat e nivelit të dytë fillojnë të ndiejnë shqetësime (që në fakt nuk janë të reja) nga pozita dominuese e Bankës së Kursimeve+Raiffeisen në tregun e bonove të thesarit. Ndërsa drejtuesit e bankave të nivelit të dytë shprehen se duan apo nuk duan, ata tani janë të detyruar të ulin interesat. Situata duket e paqartë dhe bankierët e ekspertët e këmbimeve valutore japin mendime të ndryshme… BK- nuk kemi vendosur ende për interesatUlja e interesave bazë është një vendim normal për një bankë qendore, në momentin që keni një monedhë të fortë, thotë për Monitor, Christian Canacaris, drejtori i Divizionit të Thesarit pranë Bankës së Kursimeve. Kjo e fundit ka kaluar tashmë tërësisht në duart e austriakëve të Raiffeisen dhe janë drejtuesit e rinj ata që do të vendosin për politikat e interesave të bankës më të madhe në vend. Deri në këto momente Raiffeisen ka ndjekur të njëjtën politikë si më parë, duke reaguar menjëherë pas vendimeve të Bankës Qendore. Pas uljes së REPO-ve në maj nga 6.25% në 6%, BK vendosi interesat më të ulëta në treg për depozitat 12 mujore me 6.3%. BK ka qenë gjithmonë si një udhëheqëse për tregun, pasi bankat e tjera prisnin në përgjithësi reagimet e saj.Lidhur me vendimin e fundit të BSH-së, Christian Canacaris thotë se nuk është vendosur akoma nëse do të ulen apo jo interesat. Gjithsesi ai përshëndet reduktimin e REPO-ve nga ana e BSH-së. Është një vendim i mirë, sepse ne së shpejti do të fillojmë të japim kredi në lekë, pohon ai. Nga ana tjetër është mirë që po ngushtohet diferenca e interesave me valutat. Nuk mund të themi që interesat e lekut do të shkojnë sa të euros, por një ulje do të ketë. Canacaris thotë se njerëzit duhet të fillojnë t i drejtohen kredisë në lekë. Banka Alpha, e para që reagonBanka Alpha është ndër të parat që ka reaguar me shpejtësi, duke ulur interesat e depozitave me 0.3-0.5 pikë përqindjeje. Ulja më e lartë është për depozitat me afat maturimi një, tre dhe gjashtë mujor. Vendimi i Bankës së Shqipërisë ishte brenda politikave që duhet të ndërmerrte, ndaj dhe ne e mbështesim atë, thotë Orfea Dhuci, nëndrejtor i Bankës Alpha. Kjo e fundit është mjaft agresive dhe në tregun e kredidhënies. Ardian Fullani, drejtor i Bankës Italo-Shqiptare dhe kryetar i Shoqatës së Bankave pohon se bankat do të reagojnë ndaj këtij vendimi, duke ulur interesat me 0.2 deri në 0.25 pikë përqindjeje. Në fakt, thotë Fullani, pjesa më e madhe e bankave i kishin paraprirë këtij vendimi, ndërsa pritet të ulin interesat me një normë më të lartë dhe bankat e tjera. BSH, ndërhyrje të njëpasnjëshme për të forcuar euronBanka e Shqipërisë ka qenë aktive në tregun valutor fundjavën e kaluar dhe në fillim të kësaj jave. Të enjten dhe të premten e javës së kaluar, BSH filloi të blinte euro me 121.6 lekë, më pas me 121.75 dhe 122 lekë, për të arritur deri në 123 lekë gjatë të hënës së kësaj jave. Disa ekspertë të këmbimeve valutore mendojnë se Banka e Shqipërisë nuk kishte pse të ndërhynte në favor të euros, pasi euro është në rritje në tregjet ndërkombëtare, por do të ishte më mirë që BSH të blinte dollarë. Ekspertë të tjerë pohojnë se kjo ndërhyrje ishte e drejtë. Vitet e fundit në periudhën e verës, Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë gjithnjë në treg, duke blerë valutë, për të frenuar mbiçmimin e ndjeshëm të lekut, që vjen si rrjedhojë e ofertës së lartë për valutë nga emigrantët dhe turistët. Nga ana tjetër, në tre njoftimet e fundit të BSH-së, një nga argumentet e njëjta për uljen e interesave ishte ngushtimi i diferencave mes interesave të lekut e valutës me synim zhvlerësimin e lekut. Kursi: pse leku është kaq i fortë dhe ulja e interesave nuk po ndikonMonedha shqiptare është në pozita kaq të forta, pasi në treg ndihet mungesa e lekëve, thotë Adrian Shehu, analist i këmbimeve valutor. Euro ka arritur në nivelet më të ulëta, duke u krahasuar me janarin e vitit 2002, kur ajo doli si monedhë fizike, ndërsa dollari po i afrohet kuotës së 100 lekëve. Sipas Shehut, kjo situatë ka të bëjë me gjendjen në stanjacion të ekonomisë, mungesën e investimeve dhe kërkesën e brendshme.Ndërsa specialistë të Bankës së Shqipërisë thonë se është ende shpejt për të folur se përse ulja e interesave nuk po ndikon në nënçmimin e lekut. Ajo që duket është se individët nuk po i ndiejnë ende në kurriz uljet e interesave, pasi duhet t i kenë kursimet e tyre me afat maturimi një vjeçar, thonë specialistët e BSH-së. Specialistët e BSH-së shpjegojnë se leku i fortë është rezultante e një sërë faktorësh, që ndikojnë në favor të tij, por që nuk mund të thuhet se cili ka masën më të madhe. Këto faktorë janë: prodhimi vendas, hyrja e valutës nga turistët dhe transfertat e emigrantëve, shpenzimet e kontrolluara buxhetore si dhe të ardhurat nga kontrabanda e droga, që askush nuk e di se sa janë. Nuk është e vërtetë që nuk ka lekë në treg, vazhdojnë specialistët e BSH-së, varet se për çfarë përdoren ato: për kursime, investime, apo transaksione importi. A do nxitet kredia në lekë?Një nga synimet kryesore të BSH-së me uljen e interesave është që të nxitet kredia në lekë. Por, sipas ekspertëve argumentimi i reduktimit të normave të interesit me anë të moskreditimit të mjaftueshëm në lekë, gjë që nuk çoi në rritje të parasë në qarkullim është jo shumë i përshtatshëm. U paralajmerua prej eksperteve që ndikimi në kredinë në lekë nuk do të jetë i madh, për pasojë politika monetare ende nuk mund të mbështetet në kanalin e kreditimit, për të zbatuar me efikasitet vendimet e politikës monetare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.