Motorola siguron një marrëveshje për një model të ri telefoni të lirë që kushton 30 USD.Një studim i London Business School kishte arriti në konkluzionin se në një vend në zhvillim rritja e numrit të telefonave të lëvizshëm me 10 për 100 banorë rrit Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) të atij vendi me 0.6 pikë përqindjeje. Komunikimi nëpërmjet telefonizë së lëvizshme është kthyer tashmë në një mjet të pazëvendësueshëm për vendet e varfra dhe në zhvillim me infrastrukturë të dobët. Përdorimi më i madh këtyre shërbimeve do të mbështesë edhe zhvillimin ekonomik të këtyre vendeve. Qeveritë e vendeve të varfra tashmë kanë hartuar politikat e nxitjes së përdorimit të shërbimeve të telefonisë së lëvizshme. Masat e marra synojnë kryesisht të lehtësojnë tarifat e shërbimeve si dhe tarifat e detyrimet e ndryshme tatimore mbi importin e aparateve celularë apo të qarkullimit të bisedave telefonike. Por, siç vërente revista britanike “The Economist”, një nga pengesat në përhapjen e shërbimit të telefonisë së lëvizshme është çmimi relativisht i lartë me të cilin shiten aparatët celularë. Një çmim i cili është i vështirë të përballohet nga banorët me të ardhura të ulëta në vendet në zhvillim. Për të kapërcyer këtë pengesesë, shoqata GSM u bë nismëtare e një programi për të nxitur përdorimin e shërbimit të telefonisë së lëvizshme ndër këto ekonomi, duke ofruar aparate celularë të lirë. Agjencia britanike e lajmeve “Reuter” raporton se Motorola do të shesë më shumë se 6 milion telefona celularë për më pak se 30 USD secili në bazë të këtij programi të ri për të sjellë telefona të lirë në tregjet në zhvillim. Kosto për një telefon do të bjerë nën 30 USD nga 40 USD, që ishte në programin e parë të telefonave për tregjet në zhvillim (EMH) të zbatuar në shkurt, program i cili u fitua po nga Motorola në SHBA. 10 operatorë në tregjet në zhvillim kanë premtuar të blejnë rreth 6 milion prej dy modeleve që Motorola do të sigurojë për programin, përfshi modelin e ri C113, i cili është prodhuar ekskluzivisht për këtë program. “Mendoj se do ta tejkalojmë ndjeshëm shifrën prej 6 milion,” tha Ben Soppitt, drejtuesi i programit në Shoqatën GSM, duke shtuar se kërkesa për telefona celularë me kosto shumë të ulët është rritur në muajt e fundit. Shoqata GSM, e cila ishte nismëtare e këtij programi si pjesë të qëllimeve të saj “për të komunikuar me ta pakomunikueshmit”, grupon ofruesit e shërbimeve të telefonisë së lëvizshme në botë. Rreth 75 deri në 80% e popullsisë së Botës jetojnë në zona që mbulohen prej sistemeve të komunikimit të lëvizshëm, por vetëm 25% posedojnë dhe përdorin një aparat celular, më së shumti për shkak të kostos. Mbi 2 miliard njerëz në të gjithë Botën kanë në pronësi një telefon të lëvizshëm. Programi i dytë EMH fillon më 1 janar, 2006.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.