CMB Albania, kompania që kishte deri tani në pronësi rrjetin e shitjes me pakicë, Carrefour,ka bërë të ditur në një njoftim për shtyp se ka ndryshuar emrin në Qendra e Shpërndarjes së Ushqimit dhe se do të përqendrojë aktivitetin e saj në biznesin e shitjeve me shumicë. Aktiviteti i shitjeve me pakicë nuk do të jetë më pjesë e portofolit të biznesit të saj në Shqipëri. Qendra e Shpërndarjes së Ushqimit do të furnizojë tregun Shqiptar me produkte ushqimore dhe industriale.
Gjatë kësaj periudhe Qendra e Shpërndarjes së Ushqimit ka shlyer dhe do vijojë të shlyejë të gjitha detyrimet ndaj të gjithë furnitorëve vendas në Shqipëri. Detyrimet për pjesën më të madhe të furnitorëve tashmë janë shlyer, ndërkohë që po ndiqet me shumë vëmendje e përkushtim ky proces në mënyrë që të zgjidhet përfundimisht në një kohë shumë të shkurtër.
Gjithashtu duam të bëjmë me dije se Qendra e Shpërndarjes së Ushqimit (njohur më parë si CMB Albania) do të vijojë me prezencën e saj në Shqipëri duke i mbetur besnike klientëve shqiptare dhe duke u ofruar atyre produktet më cilësore në treg.
Monitor ka mësuar se aktiviteti i pakicës (rrjeti i supermarketeve Carrefour), i cili krijoi detyrime të mëdha ndaj furnitorëve, është blerë nga grupi Balfin, kompani që ka eksperiencë ne menaxhimin e rrjeteve me pakicë ( dikur ka qenë pronare e Euromax). (Lexoni: http://www.monitor.al/fillojne-sekuestrot-per-carrefour-furnitoret-kerkojne-parate-permes-permbarimit/).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.