Flet Soni Thano, Drejtore e Divizionit të Administrimit të Riskut
Klientët, qoftë biznese ose individë, kanë filluar të paraqesin në banka kërkesat e tyre për mundësinë e shtyrjes së kësteve të kredive.
Soni Thano, Drejtore e Divizionit të Administrimit të Riskut, the se banka Credins po trajton ngrirjen e pagesave të kësteve të kredisë për periudhën 13 mars – 31 maj 2020. Ngrirja nënkupton mospagesë të principalit dhe interesit për periudhën në fjalë, por jo falje të tyre.
Kërkesat e klientëve lidhen me pamundësinë aktuale për të shlyer detyrimet financiare, si rrjedhojë e stopimit të plotë të aktivitetit të tyre. Ajo tha se për shkak të pamundësisë së parashikimeve të sakta të kohëzgjatjes së krizës, logjika të çon drejt një procesi negocimi e analizash me klientët, që nuk do të mbyllet me këta 3 muaj, por do të vazhdojë gjatë periudhës në vijim.
A kanë filluar kërkesat nga biznesi për ristrukturim të kredive sipas orientimeve të BSH-së?
Klientët, qoftë biznese ose individë, kanë filluar të paraqesin kërkesat e tyre për mundësinë e mospagesës së detyrimeve që rrjedhin nga ekspozimet kreditore. Deri në momentet që shkruajmë, Banka Credins po trajton ngrirjen e këtyre pagesave për periudhën 13 mars – 31 maj 2020. Ngrirja nënkupton mospagesë të principalit dhe interesit për periudhën në fjalë, por jo falje të tyre.
Pra, duhet kuptuar që mospagesa aktuale do të shtyhet për periudhën në vijim, por do të vazhdojë të jetë një detyrim kontraktual i klientëve. Ajo që Banka ka stopuar është gjenerimi automatik i penaliteteve për detyrimet në vonesë, duke bërë që klientët të mos rëndohen me penalitete gjatë periudhës së sipërpërmendur.
Ky zerim është bërë për të gjithë portofolin e klientëve të kredisë, duke përfshirë edhe ata që nuk kanë bërë kërkesë për mospagesë të përkohshme, ose për ata që nuk plotësojnë kushtet për të përfituar nga ky lehtësim. Periudha e vendosur për të zbutur efektet e vështirësive të krijuara nga situata e momentit nuk përfshin muajt paraardhës, detyrimet e të cilëve duhet të përmbushen nga kredimarrësit.
Nëse keni dijeni, çfarë natyre kanë kërkesat e klientëve?
Kërkesat e klientëve lidhen me pamundësinë aktuale për të shlyer detyrimet financiare, si rrjedhojë e stopimit të plotë të aktivitetit të tyre (biznese të ndaluar për t’u hapur); reduktimit të të ardhurave si rezultat indirekt i mbylljes së një pjesë të bizneseve me të cilët kundërveprojnë; ose reduktim i të ardhurave familjare për kreditë e individëve, pagat e të cilëve lidhen me biznese të mbyllur.
A parashikojnë bankat ndikim në afatgjatë të këtij procesi?
Gjasat janë që kjo situatë do të këtë inercinë e saj, por nuk jemi në gjendje të bëjmë një parashikim konkret të madhësisë, ose të afateve të kësaj problematike. Logjika të çon drejt një procesi negocimi e analizash me klientët, që nuk do të mbyllet me këta 3 muaj, por do të vazhdojë gjatë periudhës në vijim. Sidoqoftë zgjidhja do të jetë rast pas rasti, duke e personalizuar në lidhje me potencialin e çdo klienti.
Cilët klientë përfshihen? Të gjithë lejohen të kërkojnë këtë trajtim? (Klientë retail, biznes i vogël e biznes i madh)?
Të gjithë klientët e portofolit të kredisë, duke filluar nga individët e duke përfunduar me bizneset e mëdha, legjitimohen të bëjnë kërkesë për këtë trajtim. Duhet theksuar se përfitimi i këtij lehtësimi gëzohet vetëm nga klientët që janë prekur nga situata e virusit COVID-19. Pra, kërkesa e klientëve duhet të jetë e argumentuar në lidhje me arsyet që kanë sjellë reduktimin e aftësisë paguese dhe pamundësinë e shlyerjes së detyrimeve. Banka shqyrton kërkesat përkatëse dhe del në marrjen e një vendimi, duke u kthyer përgjigje klientëve brenda 3 ditësh pune nga momenti i dorëzimit të kërkesës zyrtare.
A ka filluar procesi i aplikimit?
Po, procesi i aplikimit ka filluar. Banka Credins ka përgatitur formatin përkatës të aplikimit, i cili u është vënë në dispozicion klientëve, gjatë takimeve me stafin tonë të Degëve, ose online në faqen zyrtare të internetit. Një pjesë e madhe e klientëve që kanë dorëzuar aplikimet, kanë marrë përgjigjet zyrtare nga Banka jonë.
Cilat janë arsyet për aplikim?
Çdo arsye që ka sjellë reduktim të kapacitetit pagues, si rrjedhojë e masave të marra nga Qeveria, do të merret në konsideratë nga Banka, gjatë analizës së saj. Pra në rastet e bizneseve, ndërprerja e punës me urdhër të Qeverisë, reduktimi ose pezullimi i pagesave që lidhen me subjektet që operojnë me tenderët publikë (nëse ka konfirmime nga Shteti), reduktimi i të ardhurave si rrjedhojë e lidhjes indirekte me këta biznese (kompani tregtie nafte, kompani tregtie hekuri, etj.), do të merren në shqyrtim nga Banka Credins.
Ndërkohë, në rastet e klientëve individë, kriteret që do të merren në konsideratë janë kryesisht vonesa në marrjen e pagës, reduktim i masës së pagës, një kombinim i të dyjave, papunësi e përkohshme, si dhe zgjidhja e kontratës së punësimit, apo çdo kriter tjetër që subjektet e vlerësojnë të arsyeshme.
Kriteret e mësipërme do të zbatohen, si për klientët që janë të punësuar në institucione shtetërore/publike, ashtu edhe ata të punësuar në biznese private, pa dallime. Materializimi i kritereve duhet të dokumentohet dhe është subjekt verifikimi nga ana e Bankës.
Çfarë përfiton klienti nga shtyrja e pagesave për periudhën në fjalë?
Si rrjedhojë e masave mbështetëse të Qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë, klientit i jepet mundësia:
– të vazhdojë të gëzojë statusin aktual të klasifikimit, duke mbajtur historik pozitiv pagesash;
– të shtyjë pagesat, pa rrezikun që Banka të fillojë procesin e ekzekutimit të kolateralit dhe;
– të përqendrojë burimet/likuiditetet në dispozicion (pa përfshirë detyrimet financiare), në drejtim të shpenzimeve jetike, për të përballuar këtë periudhë vështirësie.
Banka e shqyrton në detaje kërkesën e klientit dhe a mund të bjerë dakord me të për më shumë se sa kaq, nëse e gjykon të nevojshme?
Situata aktuale mbart ende paqartësi, por theksojmë se procesi i analizës është i rëndësishëm edhe për të kuptuar situatën post-tremujore dhe mundësinë e klientit për të rikuperuar në një periudhë të shkurtër detyrimet e akumuluara. Analiza do të jetë e detajuar dhe përgjigjja e individualizuar për secilin klient.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.