Danimarka do t’i japë fund të gjitha kërkimeve të reja të naftës dhe gazit në Detin e Veriut, si pjesë e një plani më të gjerë për të ndaluar nxjerrjen e lëndëve djegëse fosile deri në vitin 2050.
Qeveria e saj gjithashtu ra dakord të anulojë fazën e saj të fundit të licencimit të enjten, e cila u jep kompanive leje për të kërkuar dhe prodhuar naftë dhe gaz.
“Tani po i japim fundin përfundimtar epokës fosile,” tha ministri danez i klimës. Zyra e “Greenpeace” në Danimarkë e përshkroi njoftimin si një “çast vendimtar”.
Sidoqoftë, faza e fundit e licencimit të vendit po përballej me pasiguri, pasi kompania franceze “Total” u tërhoq në Tetor, duke lënë vetëm një aplikant tjetër.
Danimarka aktualisht është prodhuesi më i madh i naftës në Bashkimin Europian, megjithëse prodhon shumë më pak sesa Norvegjia ose Britania e Madhe, tashmë jo-anëtare e BE-së.
Ajo mbushte rreth 103 mijë fuçi në ditë në vitin 2019, sipas analizës nga gjigandi i naftës në Mbretërinë e Bashkuar, British Petroleum.
Ka 55 platforma shpimi në territorin e saj, nëpër 20 fusha nafte dhe gazi.
“Ne jemi prodhuesi më i madh i naftës i Bashkimit Europian dhe ky vendim do të bëjë jehonë në të gjithë botën,” tha ministri danez i klimës, Dan Jorgensen.
Vendimi do t’i kushtojë Danimarkës rreth 13 miliardë korona (1.1 miliardë paund), sipas vlerësimeve nga ministria e energjisë, megjithëse tha se kjo shumë ishte subjekt i pasigurisë thelbësore./BBC
*Greenpeace, është një organizatë mjedisore joqeveritare me zyra në mbi 55 vende.