Deklarimi i të ardhurave personale shtyhet në 31 dhjetor

21/11/2012 4:55 PM 0 komente

Vendimet e tjera të qeverisë për biznesin: Hiqet akciza e kafes; pesëfishohen gjobat për punonjësit e pasiguruar; nga 1 janari, procedura për blerjet e vogla bëhet tërësisht dixhitale; taksë 30% për eksportet e lëndës drusore..

 

 

Këshilli i Ministrave miratoi sot, një sërë masash fiskale dhe administrative, lehtësuese për biznesin. Kryeministri Berisha, duke prezantuar këto masa,  tha se qëllimi i tyre ishte përmirësimi më tej i klimës së bërjes biznes, lehtësimi i barrës fiskale dhe burokratike dhe rritja e transparencës. “Vendosim të shtyjmë deri më 31 dhjetor, deklaratën e pasurive individuale”, tha Kryeministri Berisha.

Konkretisht, u miratua:

 

Heqja e akcizës dhe tarifës doganore për kafen  

 

–       Heqja e akcizës për kafen e papjekur. Nga 30 lekë për kilogram bëhet zero.

–       Akciza e kafesë së pjekur nga 140 lekë zbret në 60 lekë për kilogram.

–       Tarifa doganore për kafenë nga 10 përqind bëhet zero.

“Këto ndryshime në ligjin “Për akcizat” janë propozuar pas diskutimeve që janë bërë me importuesit e kafesë dhe problemeve të krijuara nga mbajtja e këtyre akcizave në një nivel relativisht të lartë. Këto akciza do të ndikojnë fuqishëm në uljen  kostos së përpunimit të kafesë, nxitjen e prodhimit vendas për përpunimin e kafesë, nxitjen e uljes së informalitetit në këtë industri, ku suksesi është shumë i madh, pasi është trefishuar sasia e kafesë së zhdoganuar”, tha kryeministri Sali Berisha.

Me këtë vendim bëhet një përafrim i nivelit të akcizës së kafesë në Shqipëri me vendet e rajonit. Biznesi i kafesë fiton nga kjo ulje rreth 300 milionë lekë. “Uroj që ta pasqyrojnë edhe në çmimin e saj, ndonëse dyshoj shumë se do ta pasqyrojnë. Sidoqoftë, qeveria i ka konsideruar të arsyeshme kërkesat e këtyre biznesmenëve dhe nxit pjekjen e përpunimit të kafesë më së shumti në vend, pasi në këtë mënyrë punëson më shumë, edhe kostoja ulet”, tha Berisha.

Një tjetër ndryshim për tarifat doganore vjen për kafenë, për të cilën tarifa doganore nga 10 përqind bëhet zero. Në të gjitha këto masa ka një synim që të ndikohet edhe në formalizimin e plotë të këtij tregu. Ne e kemi gjetur me 1500 tonë të zhdoganuar dhe tani është tre-katërfishuar. Kjo është një industri me përdorim shumë të gjerë në Shqipëri. Kafeja është hobi e mund të them se jemi ndër vendet që e përdorim më shumë dhe kjo është shumë interesante, sepse ne nuk e rrisim as vetë.

 

 

Pesëfishohet gjoba për punonëjsit e pasiguruar

 

Rritet pesëfish masa e gjobës, në rastet e konstatimit të punonjësve të pasiguruar, apo në rastet e –       mosdeklarimit nga tatimpaguesit e regjistruar si subjekte, të tatimit mbi vlerën e shtuar dhe tatimit mbi        fitimin.

Projektigji parashikon edhe një rritje pesëfish të masës së gjobave, në rast të konstatimit të punonjësve të pasiguruar, në rastet e mos deklarimit nga tatimpaguesit e regjistruar si subjekte, të tatimit mbi vlerën e shtuar dhe tatimit mbi fitimin. “E theksoj se kjo masë nuk ka në mënyrë absolute as edhe një qëllim për të shtuar të ardhurat në arkën e shtetit, por ka vetëm një qëllim madhor, të thellojmë e zgjerojmë lirinë e tregut. Ajo që rastësisht do të mësoja ishte se një biznesmen nga Pogradeci, i cili ka një biznes në Strugë dhe një në Pogradec, deklaronte çdo punonjës në Strugë, sepse, në rast se tatimet do t’i gjenin punonjës të padeklaruar, atëherë ai do të paguante pesë mijë euro gjobë, ndaj nuk bëhej fjalë që ai të mbante punonjës pa pagesë. Ndërkohë në Pogradec iu gjetën disa punonjës të pasiguruar, sepse këtu gjoba është e parëndësishme. Në rast se një biznesmen paguan sigurimet shoqërore, paguan të ardhurat personale për punonjësit dhe një tjetër nuk i paguan, natyrisht, konkurrenca është shumë e pandershme. Në këtë rast, ai që nuk paguan shpenzon në pak, për të njëjtin produkt e për të njëjtën vlerë të punës”, tha kryeministri.

Një tjetër vendim është ai për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9920 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar. Projektligji bën disa thjeshtime dhe parashikon se regjistrimi dhe çregjistrimi i përfaqësuesit tatimor të kryhet pranë Drejtorisë Rajonale  të Tatimeve dhe jo pranë Agjencisë Kombëtare të Regjistrimit, sikurse është aktualisht. Ky vendim vjen në përmbushje të zotimit tonë, për të lehtësuar sa më shuam barrierat burokratike.

 

  Nga 1 janari, procedura për blerjet e vogla bëhet tërësisht dixhitale.

 

Ka përfunduar platforma dixhitale e blerjeve të vogla. Nga 1 janari, edhe blerjet e vogla do të jenë dixhitale. Vendosja e sistemit dixhital në blerjet e vogla përbën një hap të rëndësishëm për të shmangur çdo marrëveshje të shkurtër për këto blerje, që në fund bëhen të mëdha.

Agjencia e Prokurimeve Publike ka përfunduar me kompaninë përkatëse, soft-in e këtij programi dhe është e domosdoshme që të gjitha agjencitë që kanë autoritet kontraktues të trajnojnë personelin, në mënyrë që të kalohet tërësisht në blerje elektronike. Kjo përbën një hap shumë të rëndësishëm edhe në rritjen e transparencës së procesit të shpenzimeve publike.

 

Qartësohet nocioni i të ardhurës bruto për të vetëpunësuarit

 

Qartësohet nocioni i të ardhurës bruto për të vetëpunësuarit, sipas të cilit, e ardhur bruto për këtë kategori     do të konsiderohet vlera 20 përqind e të ardhurave vjetore bruto, nga zhvillim i aktivitetit ekonomik, tregtar    apo shërbimi.

“Gjithashtu i bëjmë një përmirësim të ndjeshëm nocionit të të ardhurës bruto, i cili ka krijuar probleme serioze tek të vetëpunësuarit që plotësojnë deklaratën e të ardhurave. Si do të bëhet deklarimi, për të vetëpunësuarit, me qarkullim nën 2 milionë lekë? Ky ndryshim qartëson që si e ardhur bruto për këtë kategori do të konsiderohet vlera 20 përqind e të ardhurave vjetore bruto, nga zhvillim i aktivitetit ekonomik, tregtar apo shërbimi. Pra, ata do të deklarojnë si të ardhur bruto, mbi të cilën do të bëhen edhe shpenzimet mbi këtë të ardhur, gjithsej 20 përqind të të ardhurave vjetore bruto”, tha Berisha.

“Po në mbështetje të biznesit, sot miratojmë një ndryshim të rëndësishëm në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”. Sipas këtij ndryshimi, përjashtohen nga detyrimi i këtij ligji, të ardhurat e përfitimit nga dëmshpërblimet e marra me vendim të formës së prerë të gjykatave, si dhe të kompensimit të kostove gjyqësore, të ardhurat e përfituara nga institucionet shtetërore për arritje, shkencë, sport, kulturë” ,tha kryeministri.

 

Taksë 30% për eksportet e lëndës drusore

 

Një vendim tjetër shumë i rëndësishëm është projektligji për disa ndryshime në ligjin për taksat kombëtare. Sipas këtij projektligji, vendosen eksporte për lëndën drusore dhe kjo masë propozohet të jetë 30 përqind. Kjo taksë do të mblidhet nga administrata doganore, në momentin e eksportimit dhe komisioni i agjentit tatimor propozohet të jetë zero. “Duhet të jemi realistë se kjo masë nuk përputhet me filozofinë tonë liberale. Por mjedisorët e kanë ngritur me të madhe këtë, duke kërkuar ta ndalojmë për pesë vjet”, tha Berisha.

 

Hidrocentrale të reja

 

Në rendin e ditës janë edhe vendimet për tre hidrocentrale të reja, Vërmik 1,2 dhe3, si dhe miratohet bonusi për ndërtimin e tyre. Çdo dy javë, Ministria e Ekonomisë sjell vendime, me të cilat nisma e Shqipërisë si superfuqi e energjisë së rinovueshme në rajon bëhet gjithnjë e më e madhe. Për kureshtjen tuaj, sot merret edhe një vendim për heqjen nga sipërfaqet pyjore të ngastrave që përmbyten nga liqenet e hidrocentraleve të Banjës, Koklit, Moglicës, të cilët do të ndërtohen në kaskadën e lumit Devoll. “Kjo kaskadë, që përbën projektin më të madh për hidrocentralet në Europë, fillon vitin që vjen. Është ulur kuota e saj nga 810 metra, në 720 metra, çka lejon ndërtime edhe mbi këtë kuotë të një hidrocentrali tjetër. Në këtë mënyrë bëhet një shfrytëzim edhe më racional i këtij lumi të bekuar, i jashtëzakonshëm për pasuritë ujore që mbart, me ujërat e të cilit vaditet edhe fusha e Myzeqesë, si dhe ka dobi shumë të mëdha,” tha berisha

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of