Pse marrëveshja e paqëndrueshme midis Tiffany dhe LVMH mund të mbijetojë. Investitorët kanë besim në lidhjen korporative të argjendarisë amerikane
Romancat më të zjarrta rezultojnë gjithmonë në divorce më të ashpra. Në rastin e Tiffany dhe LVMH, zemërimi i parapriu romancës, shkruan The Economist.
Në fazën romantike, gjiganti luksoz francez që zotëron Louis Vuitton, e kishte përshkruar furnizuesin amerikan të unazave të fejesës si një xhevahir në botën e korporatave, duke rënë dakord për një blerje me vlerë 17 miliardë dollarë, dhjetë muaj më parë. Ai përdori një ton shumë më pak romantik këtë javë, në një gjykatë të Delaware, teksa u përpoq të prishte lidhjen. Ndërkohë, investitorët vënë bast se midis palëve do të ketë një fund të lumtur.
Kishin nisur thashethemet që nga fillimi i pandemisë COVID-19 në mars, se kreu i LVMH-së Bernard Arnault, donte të rinegocionte çmimin e kripur mbi të cilin kishin rënë dakord në nëntor. Më 9 shtator, LVMH njoftoi se nuk mund të vazhdonte me marrëveshjen, për një arsye të papritur: një letër nga ministri francez i Punëve të Jashtme, Jean-Yves Le Drian, i cili i kishte kërkuar korporatës franceze të shtynte blerjen e planifikuar të kompanisë amerikane për në janar 2021, përtej datës së rënë dakord fillimisht. Vonesa me sa duket do t’i jepte Francës më shumë karta në dorë në trazirën e tregtisë transatlantike.
Tiffany akuzoi LVMH-në se e kishte sajuar vetë bllokimin nga Ministria e Jashtme – e cila menjëherë këmbënguli se letra ishte thjesht një rekomandim i sjellshëm, jo një urdhër. LVMH e mohon kategorikisht se u ka kërkuar autoriteteve të ndërhyjnë. Si për t’i përkeqësuar punët edhe më tepër, më 22 shtator, zoti Le Drian i tha Parlamentit francez se kishte ndërhyrë vetëm pasi ia kishte kërkuar LVMH.
Kështu, argjendari amerikan ka hedhur në gjyq LVMH, duke kërkuar që ky i fundit të kryejë pagesën. Më 28 shtator, LVMH hodhi kundërpadi, duke thënë se Tiffany nuk ia vlente më të blihej. Ai e quajti “katastrofike” performancën e Tiffany pas shpërthimit të COVID-19. Kjo sipas LVMH-së, e kishte lënë argjendarinë me perspektiva “të turpshme”. Pandemia, shtoi korporata, krijoi një “efekt të pafavorshëm” që i jepte blerësit potencial arsye për t’i dhënë fund marrëveshjes.
Por Tiffany nuk pranon të zmbrapset. Ajo u përgjigj se LVMH ishte ende ligjërisht i detyruar për të ecur në altarin e korporatave. Megjithëse COVID-19 ka ulur me të vërtetë fitimet, gjërat po rimëkëmben tashmë, thotë Tiffany, çfarëdo që të pretendojë admiruesi i saj i dikurshëm. Për shembull, LVMH po i zvarriste këmbët që përpara ndërhyrjes së Ministrisë së Jashtme, duke vonuar njoftimin e autoriteteve antitrust.
Gjykatat e Delaware zakonisht nuk i shohin me sy të mirë rastet e pendimit të blerësit. Në të kaluarën, ato kanë rënë dakord vetëm një herë që të prishet një marrëveshje për shkak të efektit të pafavorshëm material. Kjo mund të shpjegojë çmimin e fortë të aksioneve të Tiffany. Rreth 116 dollarë, që është shumë më pak se sa shuma 135 dollarë që LVMH ra dakord për të paguar, por mbi shumën 90 dollarë që tregtohej para se të shfaqte interes sipërmarrësi Arnault.
Shifrat tregojnë se Tiffany mbetet një objektiv për blerje. Në të vërtetë, pretenduesi më i mundshëm ende mendohet të jetë LVMH. Shumica e investitorëve mendojnë se të dyja palët do të puthen dhe do të pajtohen përpara gjyqit të planifikuar në janar, mbase duke rënë dakord për një çmim paksa më të ulët.
Të paktë janë blerësit rivalë për argjendarinë, që kanë prestigjin e korporatës LVMH të zotit Arnault. Manjati luksoz dëshiron ende marka legjendare për t’i shtuar në haremin LVMH. Sapo avokatët të lodhen, do të duket në horizont dashuria – sidomos ajo për fitimet.