Dështon edhe ankandi i tretë i Albpetrol për shitjen e 48 mijë tonëve naftë

24/06/2020 10:00 AM 0 komente

Kompania publike e nxjerrjes dhe prodhimit të naftës Albpetrol nuk ka arritur të mbyllë me sukses ankandin e tretë të këtij viti sa i takon shitjes së naftës ku sipas argumentit të dhënë në faqen e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë lihet të kuptohet se nuk ka pasur oferta të vlefshme.

“Autoriteti shitës, Albpetrol sh.a njofton anulimin e procedurës të ankandit “Procedurë e hapur”, me objekt “Shitje nafte brut, sasia 48 000 ton”, zhvilluar më datë 03.06.2020, ora 11:00, në ambientet e Ministrisë të Infrastrukturës dhe Energjisë. Arsyeja e anulimit të procedurës të ankandit është për arsye të mos kualifikimit të asnjë oferte dhe mos sigurimit të konkurrencës, bazuar kjo në pikën 15, të urdhrit Nr. 83, datë 10.02.2012 “Për rregullat dhe procedurat e shitjes të produkteve hidrokarbure”, i ndryshuar” sqaron MIE.

Më herët Albpetrol bëri me dije se se vlera fillestare e naftës që do të dilte në ankand do të llogaritej me çmim minimal fillestar për njësi sipas formulës 73.3 % e Çmimit Brent + K.

“Në pikat e lëvrimit: Çmimi minimal fillestar për njësi është: 73.3 % e Çmimit Brent – 2.71 USD/bbl + K – 73.3 % është koefiçenti i cili përfaqëson karakteristikat mesatare të naftës (pesha specifike, aciditeti i naftës, % e squfurit). – Brent është çmimi në USD/bbl i Brent i Platts, i publikuar në Buletinin e Prokurimit Publik. – 2.71 USD/bbl kosto mesatare totale (transport, magazinim, stokim, analizim produkti, sigurim). – K- është vlera USD/bbl e ofruar nga ofertuesi mbi çmimin minimal të shitjes të përllogaritur nga formula (K≥0)” thuhej në dokument.

Ankandi i tretë që dështon këtë vit

Ky është ankandi i tretë që hap për këtë vit Albpetrol për sasi naftë bruto pas atij të janarit me 31 mijë ton dhe atij të marsit me 117 mijë ton të cilët dështuan të dy për mungesë të interesit nga ana e operatorëve.

Për shkak të koronavirusit dhe paralizimit të ekonomisë në një pjesë të mirë të globit nafta arriti rekorde negative çmimi në bursa ndërsa interesi për blerje dhe përpunim ra në minimum. Po kështu paralelisht një pjesë e kompanive që operonin në nxjerrje ndalën punën në puset e tyre një situatë kjo që u shfaq edhe në Shqipëri ku Albeptrol dhe Bankers Petroleum njoftuan për ndalim të punës.

Në bursa të hënën e kësaj jave një fuçi naftë u tregua me 38 dollarë me një rritje të lehtë nga mbyllja e sesionit të mëparshëm reflektuar me vetëm 0.5 për qind ndryshim. Ecuria e çmimeve të naftës pritet të ndikohet nga mënyra sesi do të vijojë mbledhja e ministrave të OPEC.

Për herë të fundit, Albpetrol shiti naftë në një ankand në fund të majit 2019 kur u nxorën në shitje 75 mijë tonë naftë. Në atë kohë, blerja e naftës bruto u bë nga kompania “Al Global Oil” për një vlerë rreth 30 milionë dollarë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of