Ministria e Financave njoftoi se stoku i detyrimeve të prapambetura (borxhet që entet publike nuk kanë shlyer në kohë ndaj operatorëve privatë për kontrata punësh dhe shërbimesh) arritën në fund të qershorit 2021 në 18.1 miliardë lekë (146 milionë euro).
Deri në muajin qershor, detyrimet e prapambetura zunë 1% të PBB së pritshme të këtij viti. Kjo shumë nuk raportohet në treguesit zyrtarë të borxhit publik.
Stoku i tyre ka rënë me 2 miliardë lekë nga tremujori i parë i vitit, teksa ka pasur një ecuri më të mirë në ecurinë e shlyerjes së detyrimeve nga rimbursimi i TVSH-së, por detyrimet në projekte të infrastrukturës po vijnë në rritje.
Nga totali i detyrimeve, 9.7 miliardë lekë ose 53% e totalit i kanë entet qendrore të qeverisë, kryesisht Ministria e Infrastrukturës dhe ajo e Mbrojtjes.
Pushteti vendor vijon të ketë një stok detyrimesh prej 6.6 miliardë lekësh, ose 36% të totalit, me ulje të lehtë nga tremujori i parë i vitit.
Detyrimet ndaj rimbursimit të TVSH ishin në fund të 6-mujorit 1,7 miliardë lekë nga 5.9 miliardë lekë që ishin këto detyrime në tremujorin e parë.
Ministria e Financave raportoi në Kuvend se ka përmirësuar monitorimin e detyrimeve të prapambetura, përmes monitorimit periodik intensiv të të gjitha detyrimeve të pashlyera të institucioneve buxhetore.
Duke nisur nga muaji dhjetor 2020, ky monitorim dhe raportim i cili më parë kryhej mbi bazë tremujore nëpërmjet raportimit shkresor të institucioneve tashmë gjenerohet automatikisht nga Sistemi Informatik Financiar i Qeverisë (SIFQ) sipas përcaktimeve të udhëzimit nr.37 të datës 06.10.2020.
Ky format i raportimit të detyrimeve të prapambetura përveçse rrit saktësinë dhe siguron të dhënat në kohë, është gjithashtu një format gjithëpërfshirës, duke unifikuar raportin për të gjithë njësitë e qeverisjes së përgjithshme.
Krahasuar me stokun e detyrimeve të raportuara për 6M e vitit 2020 rezulton që niveli i përgjithshëm i detyrimeve të prapambetura është rreth 9.2 miliardë lekë më i ulët.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.