Publikim i Artikullit të Sponsorizuar

Digital Day Lite, ndikimi ndërkombëtar i një tregu rajonal në lulëzim

21/06/2021 10:30 AM

Digital Day Lite, ndikimi ndërkombëtar i një tregu rajonal në lulëzim

Dekada në të cilën jetojmë është dekadë ndryshimesh, përshtatjeje ndaj komunikimit digjital, sofistikimi të marketingut dhe të të gjithë profesionistëve në industrinë krijuese dhe të komunikimit; sidoqoftë, ndryshimi në epokën që po vjen do të ndodhë me shpejtësinë e dritës.

Gerton Bejo, CEO,Vatra Agency

Ballkani po kthehet në vatër të nxehtë rritjeje eksponenciale në sektorin e marketingut digjital. Më 3 qershor, këtë trend e vërtetoi një event me rëndësi rajonale. Në Beograd, u mbajt edicioni i dhjetë i Digital Day Lite. E organizuar tradicionalisht nga Shoqata IAB Serbia, edhe këtë vit konferenca theu një sërë rekordesh për sa i përket audiencës dhe shpërndarjes nga mediat. Midis të ftuarve dhe lektorëve kryesorë, vendi ynë përfaqësohej vetëm nga CEO i VATRA, një prej agjencive më në zë në Shqipëri. Gerton Bejo, foli përballë një audience ndërkombëtare për sfidat që na ndihmojnë të rritemi më shumë.

Konteksti në të cilin u realizua ky event është në lulëzim e sipër. Industria e marketingut dhe e advertising në Serbi, veçanërisht në Beograd, po i kthen sytë drejt përparësive të botës digjitale. Serbia po shndërrohet në kampione rajonale në marketingun digjital. Më saktësisht, vitin e kaluar, ekspertët e marketingut digjital në Serbi kanë shpenzuar pak më shumë se 56 milionë euro për fushatat e tyre. Ky treg është rritur me 19.5%, shifër kjo që i jep Serbisë vendin e tretë në Evropë. Brenda një dekade, tregu serb është rritur deri në gjashtë herë.

Qëllimi i Digital Day Lite në edicionin e tij të dhjetë ishte analizimi i ndryshimeve që ka pësuar industria digjitale gjatë dekadës së kaluar. Ndryshe nga disa vite më parë, kur prisnim 3-12 muaj për të llogaritur efektivitetin e një fushate klasike dhe kishim tregues dhe terma të tjerë për matjen e audiencës dhe rezultateve, tani marrim çdo reagim dhe feedback në kohë reale: nga shitjet e mediave të shkruara, ndarja nga audienca, etj., tani TKP-të janë klikimet, shpërndarja, përshtypjet, angazhimi dhe përmes marketingut digjital, ne mund të llogarisim fitimin nga investimi në kohë reale.

Ivan RadojičIć, Brand Partnerships Manager, Tik Tok

A jemi dëshmitarë të një revolucioni të paprecedent? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje themelore, gjatë konferencës u bënë diskutime në panel, u mbajtën katër leksione kryesore dhe u paraqitën dy raste studimore, nga përfaqësues të kompanive kryesore digjitale botërore dhe vendase.

Ndër fjalimet e shkëlqyera të ekspertëve ndërkombëtarë të kompanive prestigjoze si TikTok dhe Burger King, të ftuarit në sallë dhe ndjekësit online ndoqën gjithashtu një leksion nga themeluesi i Vatrës, Gerton Bejo. Ai theksoi se në kohët e sotme, agjencitë ndihen nën trysninë që të dyja aftësitë e mëposhtme t’i zhvillojnë njëkohësisht:

“…të jenë teknikisht të forta dhe njëkohësisht krijuese. Asnjëra prej tyre nuk mund të bëhet pa tjetrën. Tranzicioni i agjencive tradicionale përballet me një sfidë, e cila kërkon që njerëzit krijues të arrijnë të përqafojnë teknologjinë, sepse agjencitë e dizajnit dhe ato digjitale tani janë përgjegjëse për konvertimin e investimit në shanse përfitimi.
Në ditët e sotme ushtrohet presion edhe mbi Dizenjatorët Grafikë, sepse këta të fundit për të mbajtur ritmin duhet të përditësohen akoma shpejt me teknikat dhe teknologjitë e reja.
Sot universitetet nuk munden të hartojnë programe arsimore afatgjata për krijuesit, për shkak të ndryshimeve të shpejta në teknologji dhe zbatimit të shpejtë; si rrjedhim, përparimin e industrisë krijuese universitetet ia kanë lënë kryesisht të vetë-mësuarit dhe punës autodidakte.

Përmbajtjet përpiqen të “shënjestrojë” një audiencë që nuk ka më privatësi, pasi rrjeti është si një “supermarket ” pa dyer apo kufij: quhet social. Tashmë, ka ndryshuar edhe përqasja me dizajnin dhe kjo lidhet me vetë shqisat tona. Dizajni dikur ishte statik dhe gjithçka përvetësohej me anë të njërës shqisë: shikimit. Sot, dizajni përfshin nxitjen e të gjitha shqisave përmes shikimit, dëgjimit, lëvizjes… Përmbajtja ka vetëm një qëllim: të “sulmojë” shqisat.

Me gjithçka që po ndodh para syve tanë dhe me shpejtësi marramendëse, sfidë të veçantë përbën përshtatja e brezave të ndryshëm me kodet dhe kushtet e reja. Aktualisht VATRA ka të punësuar staf të lindur në kontekstin digjital dhe staf që vjen nga një brez i arsimuar me metoda tradicionale. Ky diversitet është kthyer në avantazh. “Përballja” e brezave me njëri-tjetrin, kryesisht në bërjen e gjërave me të njëjtin ritëm në kohë, ka sjellë më shumë kreativitet dhe cilësi për klientët e agjencisë.

Sa më shumë kohë të kalojë, aq më shpejt do të ndodhin ndryshimet dhe aq më shumë njerëz që duan të sfidohen do të kenë të tilla sfida në dekadën e re që ka filluar.

Nenad Milic, Executive Director At Iab Serbia

Ndërkohë, agjencitë duhet të dalin nga gjendja e “zvarranikut”. Për t’iu përgjigjur dinamikës dhe fuqizimit të pandalshëm të teknologjisë dhe gjithçkaje tjetër që do të sjellë ky zhvillim (rezultate pozitive ose të kundërtën). Ndryshimi që pritet do të na sjelli sfida të forta. Për të mbijetuar, agjencitë e marketingut do të duhet të shndërrohen në makineri gjigante prodhimi të dizajnit, shërbimeve dhe përmbajtjes.

Duhet të mësohemi me idenë: novacionet dhe ngjarjet që deri më sot janë zhvilluar në harkun e 10 viteve, në të ardhmen pritet të ndodhin në një kohë shumë më të shkurtër… Ndoshta, në vitet e ardhshme, dinamikat e evolucionit do të na bëjnë të përjetojmë një dekadë të tërë brenda një viti. Si kurrë më parë në historinë njerëzore, koncepti i kohës dhe hapësirës tashmë ka një kuptim tjetër.

A jemi gati për këtë stad evolutiv? Ndoshta po, ndoshta jo. Pavarësisht kësaj, ne e dimë mirë që ndryshimet mund të ndodhin në çdo moment, madje edhe teksa jemi duke folur; shumë gjëra tashmë kanë përparuar.

Shumë agjenci kanë zgjedhur të dalin nga zona e tyre e rehatisë; disa prej tyre janë akoma në kushtet e mbijetesës, ndërsa disa të tjera kanë bërë përpara duke lundruar në të ardhmen. Si rrjedhim, për të eksploruar njeriun brenda nesh (agjencitë e së ardhmes), së pari do të duhet të “luftojmë zvarranikët” brenda nesh (agjencitë e sotme).

Një gjë është e sigurt: sa më shumë dhe sa më shpejt të ndodhin ndryshimet, aq më shumë njerëz që dëshirojnë të sfidohen do të përballen me beteja të paimagjinueshme dhe të jashtëzakonshme në “të ardhmen” e re që sapo ka filluar për të gjithë ne, për të gjithë ata që ndajnë të njëjtin mendim me ne, për njerëzimin gjithashtu (audiencën tonë).” – tha Bejo gjatë konferencës.

Digital Day Lite pati ndikim rajonal dhe ndërkombëtar në mediat tradicionale (TV & Radio) dhe në të gjithë rrjetin. Një sërë mediash shkruan për këtë event, si Revista Progresive, e cila e cilëson VATRA-n “si lidere të marketingut digjital në Shqipëri”. Serbia Business dhe BiznisTelegraf, të cilat botuan informacione shumë të sakta dhe të hollësishme rreth eventit, i kushtuan hapësirë të veçantë leksionit të Bejos.

Lajmet për Digital Day Lite u shkruan në 5 gjuhë të ndryshme. Midis artikujve në gjuhën shqipe, angleze, gjermane dhe serbe, pati edhe artikuj në gjuhën portugeze. Ngjarja u raportua nga gazetarë që vinin nga më shumë se dhjetë vende dhe nga media të panumërta me domaine nga i gjithë Ballkani.