Si mund të dimë se cili është ilaçi i duhur, pa diagnostikuar më parë sëmundjen?! Me këtë perifrazim, “qeveria e re” manovron rreth përgjegjësisë se çfarë do të ndodhë me premtimet për uljen e taksave
Fitorja në përmasa surprizë e opozitës ka vënë në diskutim opinionin, nëse zgjedhësit votuan për të ndërruar një pushtet 8-vjeçar të demokratëve apo panë programin me premtime të bollshme. Ndërsa koha do ta tregojë, diskutimet kanë qëndruar dhe do të mbeten për një kohë të gjatë, të paktën deri në formatimin e qeverisë dhe bërjen publike të programit të 300 ditëve të para, te premtimet për taksat.
Në dy javët e fundit të trajtimit të çështjes nga “Monitor”, tashmë është kuptuar një gjë: që as vetë opozita nuk po e kupton se çfarë ka premtuar, të paktën në aspektin e ndikimeve në ekonomi. Dakord! Angazhimet për rishikimin e barrës fiskale janë për t’u përshëndetur, por çështja shtrohet deri sa mban buxheti, pasi për fat të keq, në programin e dy partive kryesore të qeverisë së re, PS dhe LSI, nuk paraqitet asnjë efekt.
Me kalimin e ditëve pas daljes së rezultatit nga KQZ, por më së shumti me ardhjen e FMN-së, euforia e premtimeve për të bërë zero disa taksa ka rënë. Të paktën deri më tani, palët kanë rënë dakord për të hequr tatimin për biznesin e vogël dhe TVSH për barnat dhe shërbimet shëndetësore, duke nisur nga 1 janari, me efekte rreth 35 milionë euro minus në buxhet (sipas përllogaritjeve me ndihmën e tatimeve), një shumë e papërfillshme kjo, në rreth 1% të totalit të të ardhurave në buxhet.
Te kjo pjesë, PS dhe LSI kanë rënë dakord, por problemi qëndron tek angazhimet e programeve, një pjesë e të cilave, sipas premtimeve, do të nisnin zbatimin më 1 janar. Nga të dyja kampet nuk prononcohet njeri zyrtarisht për të pranuar efektet në buxhet, por thonë me gjysmë zëri se vetëm nga taksa, kemi një minus në të paktën 300 milionë euro.
Kjo është vetëm njëra anë, pasi në programet e dy partive, paraqiten skema të reja subvencionimi me fatura të rritura nga 5 deri në 10-fish. Nëse PS është për uljen e taksave, LSI bazohet më tepër te subvencioni, por megjithatë, pak rëndësi ka se cila vihet në zbatim, në kushtet kur që të dyja kërkojnë një buxhet në të paktën 150 milionë euro mbështetje.
Nëse LSI është për “rikthimin” e tollonëve, PS është për reduktimin e TVSH-së së ushqimeve bazë për familjet e varfra, por edhe kjo, fundja pak rëndësi ka, pasi që të dyja në thelb do të gërmojnë buxhetin e shtetit, në shifra dhjetëra miliona euro. Ka plot premtime të tjera, për të cilat u fol gjatë në tre muajt e fushatës, por siç duket ka pak shanse të vihen në zbatimin.
Fjala “diagnozë” shoqëron çdo përgjigje të anëtarit të grupit të punës për hartimin e programit qeverisës së 300 ditëve të para, për të dyja kampet, që do të thotë se pa parë më mirë gjendjen ekonomike, atë të “vërtetën”, siç thotë Ilir Beqaj, nuk mund të vendoset apriori se çfarë do të bëhet.
Po flasim për një program, ku biznesit i është kushtuar mjaft rëndësi, sa i takon subvencionimit të TVSH-së, heqjes së referencave, heqjes së tatimit mbi fitimit për X vite aktivitet, subvencionim për të punësuarit e rinj, e deri te kreditë e buta, të cilat, do të mbështeten me garanci shtetërore.
Të gjitha këto e kanë një faturë, por në kushtet ku ndodhet buxheti i shtetit, dhe sikurse e ka paralajmëruar Banka Botërore, “qeveria e re do t’i duhet heqë dorë të paktën nga njëra gjë: te taksat, pra uljen e tyre, ose tek investimet, sërish uljen e tyre. Dhe në fakt, te programi i të dyja forcave politike, pak thuhet për investimet, sikurse ishim mësuar me demokratët, por më së shumti janë bazuar te biznesi, që sipas tyre, duke e ndihmuar, për rrjedhojë do të kemi rritje ekonomike.
Fokusi është vendosur te turizmi, bujqësia dhe energjia, që të tria me fatura dhe efekte në buxhet, por pa një plan konkret se si do të rimëkëmbet buxheti.
PS: Fshati dhe taksat
Në programin e PS-së i është kushtuar mjaft rëndësi fermerit, stimulit fiskal për bujqësinë dhe blegtorinë. Mjafton të shikosh angazhimin për ta rritur nivelin e të punësuarve me 150 mijë vetë brenda katër viteve. Në total, premtimi është për të hapur 300 mijë vende pune, por vetëm për sektorin e prodhimit, PS ka vendosur në parim shifrën e mbështetjes me rreth 100 milionë euro, ndërsa për sektorë të tjerë ka lehtësi për punonjësit e rinj, për periudha 3-6 muaj.
Duke u ndalur te taksat, është thënë se do të kemi një tatim – fitim në dy nivele, një për biznesin e madh dhe një për biznesin e vogël, më të ulët, sikurse parashikohet të vendoset një taksim progresiv për të ardhurat nga paga, duke synuar uljen e barrës për 95 për qind të shqiptarëve. Në këtë pikë nuk kemi të llogaritur ndonjë efekt, por duke qenë se vetëm për punonjësit me pagë bruto deri në 30 mijë lekë, të cilët përjashtohen nga TAP, vlerësohet një minus në buxhet me rreth 17 milionë euro, megjithatë, në kushtet e progresives, e cila pëson rritje të ndjeshme për rrogat mbi 140 mijë lekë, mendohet të kemi kompensim.
Propozohet të hiqet TVSH për barnat dhe shërbimet shëndetësore, e cila aktualisht është 10 për qind, kurse efekti, të paktën te barnat, arrin në 16 milionë euro (sipas të dhënave nga tatimet, pasi në program nuk thuhet gjë). Duke u ndalur te TVSH, te taksa kryesore e të ardhurave, me peshë në buxhet afro 39 për qind të totalit të të ardhurave tatimore (shih grafikun: Struktura e të ardhurave tatimore në buxhet, 2012), kemi angazhimin për ta hequr apo ulur me 50 për qind sa i takon ushqimeve bazë, sikurse kemi premtimin për ta bërë TVSH për faturat e dritave për familjet në 6 për qind (te kjo e fundit efekti mund të arrijë në 25 milionë euro minus). Eliminim të TVSH do të kemi, në rast se zbatohet sipas programit, tek të gjitha lëndët e para në bujqësi, pasi për importin e makinerive dhe pajisjeve sakaq është hequr rreth dy muaj më parë nga qeveria ekzistuese. Sipas Ministrisë së Financave, heqja e TVSH për makineritë dhe pajisjet kishte një efekt minus në buxhet me rreth 10 milionë euro, por nuk dihet se sa do të jetë për imputet bujqësore, megjithatë, vlerësimet janë për ndikime më të ulëta.
Pas TVSH, radhën e ka akciza e karburantit, e cila do të hiqet për fermerin dhe peshkimin, e cila është 37 lekë për litër, plus do të hiqet taksa e qarkullimit, që është 7 lekë dhe me zbritjen e TVSH, vlerësohet një karburant me çmim 55 lekë më të ulët. Te tatimi mbi fitimin, është premtuar tre vjet pa taksa për kompanitë e rregullta në sektorin e koncesioneve, etj.
Në kompensim të këtyre uljeje, PS mendon se vetëm po të respektohen dhe vendoset rregulli në sektorin e koncesioneve të karburanteve, arkës së shtetit do t’i shtohen rreth 150 milionë euro.
LSI: Punësim dhe subvencionim
Me jo pak fatura të larta llogariten premtimet e LSI, forca surprizë në zgjedhjet e fundit, që mori 16 mandate, 4-fish më shumë. Dhe duke u ndalur te shumëfishimi, po aq janë edhe angazhimet e saj, ku të paktën në bujqësi, programin të çojë një faturë për bujqësinë deri në 200 milionë euro në vit, ose në raport me PBB-në, nga 0.5 për qind, në 2 për qind.
Kjo forcë politike bazohet më së shumti te subvencionimi se sa tek ulja e taksave, sa u takon shtresave të varfra. Nëse PS kërkon të prekë TVSH për ushqimet dhe dritat, LSI synon futjen e tollonit, për rimbursim të shpenzimeve bazë në masën 20 për qind, apo deri në 20 mijë lekë, dhe të rritjes së tavanit të konsumit të energjisë për familjet në pamundësi ekonomike.
Për hapjen e vendeve të punës, LSI angazhohet për 175 mijë vetë, gati 1.5 herë më pak se PS, por edhe këtu faturat janë të larta. Programi bazohet kryesisht te punësimi. Në sektorin e bujqësisë, blegtori dhe peshkim, LSI thotë se do të hapë 50 mijë vende pune, por kjo do të realizohet duke vendosur në dispozicion një buxhet grantesh me vlerë 70 milionë euro, ose 10-fish më shumë nga sa është sot, thuhet në program. Këto para do të shkojnë për subvencionimin e investimeve të fermerëve në masën nga 25 deri në 50 për qind, përfshi garancitë shtetërore për kooperativat me 3 hektar, etj.
Për turizmin, ashtu si PS, LSI është për uljen me 50 për qind të TVSH, pra duke e bërë me 10 për qind koston e shërbimit të këtij sektori.
Në industri dhe infrastrukturë, do të hapen 50 mijë vende pune, por si? Duke i dhënë kredi me interes 3 për qind bizneseve nga donatorët për linjat e përpunimit dhe makinerive, apo bërjen me 0 për qind të tatimit mbi fitimin për 3 vitet e para për bizneset prodhuese kush punëson 30 vetë, sikurse është premtuar (dhe që sipas Ilir Metës, LSI e mban fjalën), taksa dhe tatime 0 për qind për investimet e huaja, me plan investimi 30 milionë euro në vit, në 5 vjet, apo sërish 5 vjet pa taksa për bizneset që operojnë në zonat e lira ekonomike. Për të gjitha këto zbritje, nuk është vendosur asnjë faturë se sa do të ndikojnë në buxhetin e shtetit.
Duke dalë nga taksat, mjaftojmë të shikojmë se buxhetet e dy ministrive kryesore, Arsim dhe Shëndetësi do të pësojnë dyfishim, përkatësisht në 600 dhe 500 milionë euro.
Takimet e para kanë nisur, por gjithçka varet nga misioni i muajit shtator
Bashkëqeverisja me FMN-në
Të dyja forcat aleate të qeverisë së ardhshme kanë rënë dakord, e kanë ftuar për bashkëpunim, madje dhe pa kushte, element ky pozitiv për rënien dakord në shumë çështje. Megjithatë, vizita e parë e FMN-së, me anë të një ekipi prej disa vetësh, në përbërje dhe nga Banka Botërore, ka zbehur disi euforinë e premtimeve për uljen e taksave. Dihet se natyra konservatore e Fondit Monetar Ndërkombëtar nuk të lë shumë hapësira për të manovruar, në kushtet kur borxhi publik ka kapërcyer drejt 63 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. FMN është për ulje borxhi, pra për më pak shpenzime dhe natyrisht, për të mbajtur financat sa më nën kontroll do të kërkojë me patjetër një kujdes për taksat.
Ekspertët e programit të PS dhe LSI janë të ndërgjegjshëm se me FMN nuk do të jetë e lehtë të bashkëqeverisin me Fondin Monetar, ndaj njëri nga kryetarët e grupit, Ilir Beqaj, i bën parapritë duke thënë se do të kërkojnë një marrëveshje tjetër nga ajo e mëparshmja. Sipas tij, vendi nuk ka ato kushte ekonomike si 8 vjet më parë, ndaj FMN duhet të mirëkuptojë ndihmën që kërkojmë, pa vendosur shumë kushte.
Sipas PS, e rëndësishme është që misionet e FMN, në muajt tetor dhe nëntor, do të mundësojnë një skanim të arkës së shtetit, mbi të cilën do të hartohet më pas buxheti i vitit 2014.
Programit të Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP), i shumëdiskutueshëm ditët e fundit, është kryer një herë në vitin 2005, dhe ky ushtrim i planifikuar do të realizojë një përditësim të vlerësimit të mëparshëm. Për këtë program, ekipi i FMN dhe BB ka kryer ditët e fundit disa takime me zyrtarë të Bankës së Shqipërisë, Ministrisë së Financave dhe drejtues të PS, sa u takon çështjeve ekonomike. I gjithë thelbi i diskutimeve vërtitet te transparenca e të dhënave, kurse për shifrën e mbështetjes me kredi nga këto institucione, nuk ka ende një vendim.
Puna kryesore për FSAP-në do të kryhet gjatë një misioni të mëvonshëm, i planifikuar paraprakisht në periudhën tetor-nëntor 2013. Pas këtij misioni, stafi i FMN-së do të paraqesë pikëpamjet e tij të nxjerra nga kryerja e FSAP-së në një raport të quajtur Vlerësimi i Stabilitetit të Sektorit Financiar (FSSA).
Gjendja në arkën e shtetit, të paktën si 6-mujor, paraqitet negativ, me minus 150 milionë euro, por Ministria e Financave thotë se ndikimi negativ, nëse mund të cilësohet i tillë, është dhënë nga rimbursimet e TVSH, të cilat janë rreth 10 milionë euro më të larta se në vitin 2012, pa llogaritur “Kurum”-in, që bleu 4 hidrocentralet.
Megjithatë, veçmas nga ky proces, një mision ekspertësh të FMN-së pritet të vizitojë Tiranën në fund të muajit shtator 2013. Qëllimi i vizitës do të jetë vlerësimi i zhvillimeve të fundit në ekonominë tonë si dhe diskutimi me qeverinë dhe bankën qendrore rreth politikave ekonomike dhe atyre financiare që do të ndiqen në të ardhmen. Kjo vizitë do të jetë pjesë e mbikëqyrjes ekonomike që kryen FMN-ja dhe do të pasohet nga një mision i Konsultimeve për Artikullin IV nga fundi i këtij viti. Zakonisht, gjetjet më të rëndësishme të Artikullit IV dhe FSAP-së përfshihen në raportin e stafit të FMN-së në përfundim të ciklit të konsultimeve.
Programi/PS
Tatim fitimi me dy nivele
Taksim progresiv për të ardhurat personale, mbi 10%
TVSH 0% për barnat, shërbimet shëndetësore, imputet bujqësore
TVSH 10% për turizmin dhe 6% për faturat e dritave
TVSH 0% ose 10% për ushqimet bazë
Akcizë 0% për karburantin në bujqësi dhe peshkim
Taksë 0% për biznesin e vogël
Programi/LSI
5 vjet pa taksa kooperativat me 3 Ha
TVSH 10% për shërbimet në turizëm
TVSH në disa shkallë për ushqimet në zonat rurale
Tatim fitimi 0% për 3 vitet e para për bizneset prodhuese për atë që punëson 30 punonjës
Taksa dhe tatime zero për investimet e huaja, me plan investimi 30 milionë euro në vit, në 5 vjet!
Zonat e lira ekonomike, 5 vjet pa taksa
Taksim progresiv, por jo më të lartë se 10%
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.