Nuk e dimë se ç’do të ndodhë, nëse Bashkia e Tiranës nuk nis dhënien e lejeve
Besimi në ekonomi është më i ulëti që nga tremujori i parë 2009, kur sapo filluan të ndihen pasojat e krizës ekonomike globale. Më pesimistët janë ndërtimi dhe shërbimet, në nivelet më të ulëta rekord teksa pritshmëritë mbeten negative.
Sipas të dhënave nga vrojtimi i fundit i Bankës së Shqipërisë në tremujorin e tretë të vitit 2012, treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) ra me 2.3 pikë, duke shënuar nivelin 76.1. Rënia u shkaktua nga besimi i dobët i bizneseve, ndërsa besimi i konsumatorëve u përmirësua lehtë.
Ndërtimi, në “depresion”
Një nga sektorët më pesimist për muajt e ardhshëm është ndërtimi, i cili zë mbi 11% të totalit të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Në tremujorin e tretë të vitit 2012, treguesi i besimit të sektorit të ndërtimit (TBN) ra me afërsisht 6 pikë përqindjeje. Niveli aktual i tij qëndron rreth 30 pikë përqindjeje poshtë mesatares afatgjatë dhe përbën minimumin historik të TBN-së që nga fillimi i matjes së tij.
Përkeqësimi i TBN-së u përcaktua nga rënia e të tre balancave përbërëse të tij: vlerësimi për kërkesën (-8.6 pikë përqindje), për prodhimin (-4.9 pikë përqindje) dhe për punësimin (-3.9 pikë përqindje).
Përfaqësues të sektorit kanë deklaruar për “Monitor” se kompanitë janë sot para një mungese të thellë të fronteve të punës dhe të aftësive për të investuar.
Sipas të dhënave nga Shoqata e Ndërtuesve, kompanitë po punojnë me borxhe, me më pak se 50% të kapaciteteve, ndërkohë që një numër i konsiderueshëm firmash e kanë ndërprerë aktivitetin.
“Është evidente se jo të gjitha firmat do të mbijetojnë, sidomos kur një pjesë janë në mungesa të mëdha të likuiditetit”, thotë Arben Dervishi, sekretar i përgjithshëm i shoqatës.
Kriza më e madhe ka ardhur nga rënia e ndjeshme e punimeve në infrastrukturë, në rrugë, shkolla apo spitale, por edhe nga stopimi i dhënies së lejeve të ndërtimit gjatë 2 viteve të fundit, sidomos në kryeqytet, ku është edhe përqendrimi më i madh i kërkesës për blerje apartamentesh.
“Ka dy vjet që janë bllokuar lejet e ndërtimit, jemi të bllokuar nuk e dimë se ç’do të bëhet. Plani rregullues i kryeqytetit është shumë i mirë, si në gjithë qytetet europiane, por nuk ka nisur ende zbatimi. Jemi disi të zhgënjyer nga Basha, sepse po zvarritet shumë procesi”, thotë Hajredin Fratari, kryetar i Konfindustrisë Shqiptare.
Së shpejti shoqata të ndryshme biznesi do të mblidhen që të diskutojnë për rrugët e zgjidhjes, sepse të gjithë janë të pasigurt mbi vazhdimësinë e sektorit.
Shoqata e Ndërtuesve ka dërguar pesë letra në kohë të ndryshme në Bashkinë e Tiranës, ku kërkon bashkëpunim, për lejet e ndërtimit dhe nxitjen e sektorit.
“Ne si shoqatë po presim që bashkia të ulet me ne, por nuk kemi asnjë përgjigje. Siç po duket, lejet e para të ndërtimit do të mund të jepen nga fillimi i muajit mars, nëse gjithçka do të ecë me ritmet e duhura”, thotë z. Dervishi.
Shumë firma të ndryshme kanë piketuar tashmë zonat e mira në Tiranë dhe janë në pritje të miratimit të lejeve të ndërtimit nga Bashkia e Tiranës. Ato kanë detajuar dosjet dhe kryesisht janë në zonat pranë qendrës, ku kërkesa ka vijuar të mbetet e lartë me gjithë efektet negative të krizës ekonomike, por nuk po mundin të ndërtojnë nga mungesa e lejeve.
“Tentohet të ndërtohet, sepse banesat në vendet e mira gjithnjë shiten, megjithëse jo me çmimet e mëparshme. Në vendet pa infrastrukturë, si zonën e Kasharit, Dajtit, Farkës, nuk ka treg, sepse edhe njerëzit kanë tendencë të blejnë në zonat e mira. Në momentin që do të hapen lejet, do të fillojë të hapet tregu i banesave, përmes kreditimit dhe ecuria do të jetë pozitive, por gjithçka varet nga bashkia, është ajo që duhet të hapë tregun”, thotë z. Dervishi.
Edhe të dhënat e Institutit të Statistikave konfirmojnë se numri i lejeve të ndërtimit të miratuara në tremujorin e dytë të 2012-s është 18, nga të cilat 14 leje janë miratuar për ndërtesa banimi dhe 4 për ndërtesa të tjera si hotele, ndërtesa tregtare, etj. Në totalin e vlerës së ndërtimit, ndërtesat zënë 100 për qind të vlerës. Në total, si gjashtëmujor, janë dhënë gjithsej vetëm 37 leje ndërtimi, një nivel i ulët rekord i viteve të fundit, duke pasur parasysh që në tremujorin e fundit 2011 u dhanë 670 leje ndërtimi, në tremujorin e tretë 2011 u dhanë 285 leje, ndërsa në tremujorin e dytë, 180 leje.
Nga 18 leje ndërtimi që janë dhënë gjithsej në Shqipëri në tremujorin e dytë, 15 prej tyre kanë qenë në Vlorë, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Durrës.
Në Tiranë rezultojnë të jenë dhënë 226 leje ndërtimi vetëm në tremujorin e katërt 2011, ndërsa në tremujorët e tjerë janë dhënë minimalisht 1-3 leje.
Krahas Tiranës, bie në sy numri i madh i lejeve të ndërtimit që janë dhënë në Vlorë, në tremujorin e katërt 2012, me një shifër që arriti në 128.
Edhe sipërfaqja për ndërtesa të reja të miratuara sipas lejeve të ndërtimit ka rënë ndjeshëm në gjashtëmujorin e parë 2012, në 286 mijë m², kur vetëm në tremujorin e fundit 2011 u dhanë leje ndërtimi për një sipërfaqe mbi 1.3 milionë m². Përkatësisht në vlerë ishin rreth 8 miliardë lekë për gjashtëmujorin e parë 2012, nga 37.3 miliardë lekë në tremujorin e fundit.
Me shpresë tek “Albpetrol”…
Ndërtuesit janë tashmë me shpresën te paratë që do të arkëtohen nga privatizimi i kompanisë shtetërore të naftës “Albpetrol”, ku pritet të arkëtohen rreth 850 milionë euro.
Pritet që një pjesë e parave, rreth 100 milionë euro, të shkojnë për shlyerjen e borxheve të kompanive të ndërtimit, jo vetëm tek pushteti qendror, por edhe ai vendor.
Aktualisht jo vetëm qeveria, por edhe komunat e bashkitë nuk kanë fonde për të shlyer detyrimet ndaj ndërtuesve.
“Firmat e infrastrukturës shpresojnë që të arkëtojnë një pjesë të borxheve, që nëse do të shlyhen, do të përfundohen edhe më shumë investime, ku tenderët janë çelur, si aksi i Rrogozhinës, Fushë-Krujës, etj., por punimet kanë ngecur për shkak të mungesës së fondeve. Nëse do jepen të paktën 100 milionë euro, do të çlirohet disi sektori”, thotë Arben Dervishi.
Industria, rënie e thellë
Industria përpunuese, që është një nga sektorët më dinamikë në vend, është gjithashtu në rënie të thellë.
Treguesi i besimit në industri (TBI) ra me 1.4 pikë përqindjeje në tremujorin e tretë të vitit 2012. TBI ka ndjekur një trend rënës që në tremujorin e katërt të vitit 2011. Aktualisht niveli i tij qëndron rreth 9 pikë përqindjeje poshtë mesatares së tij afatgjatë.
Në fakt, të dhënat nga Instituti i Statistikave konfirmojnë rënien e ndjeshme në aktivitetin e sektorëve të ndryshëm të industrisë përpunuese, që nga tekstilet, këpucët, mobiliet, përpunimi i letrës, etj.
Industria tekstile dhe e këpucëve kanë njohur rënien më të thellë që nga fillimi i krizës katër vjet më parë. Në të dhënat më të fundit të Institutit të Statistikave konfirmohet se prodhimi në tremujorin e dytë të këtij viti në ndërmarrjet tekstile në vend ka rënë 24% krahasuar me një vit më parë, ndërsa në atë të këpucëve, rënia ka qenë 18%.
Ky sektor po vazhdon të vuajë uljen e kërkesës nga partnerët ndërkombëtarë, me ritmet e rënies që janë përkeqësuar në raport me muajt e parë të vitit. Eksportet e tekstileve dhe këpucëve ranë me 5.1% me bazë vjetore në 41.2 miliardë lekë për periudhën janar-gusht, duke humbur vendin e parë në eksportet shqiptare sipas grupmallrave.
Edhe në sektorin e mobilieve ka rënie të pandalshme në ecurinë e aktivitetit, si pasojë e rënies së shitjeve të apartamenteve. Shumë firma kanë shkurtuar stafin dhe janë detyruar të mbyllin ekspozitat në përpjekje për të reduktuar kostot.
Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, në keqësimin e TBI-së në tremujorin e tretë ndikuan vlerësimi më pesimist i bizneseve për prodhimin dhe situatën e punësimit. Nga ana tjetër, pakësimi i inventarëve dha një kontribut pozitiv në llogaritjen e TBI-së.
Bizneset e sektorit të industrisë kanë vlerësuar në rënie pothuaj të gjitha aspektet që lidhen me aktivitetin e tyre. Vlerësimi i bizneseve të sektorit të industrisë për ecurinë e përgjithshme të ekonomisë dhe gjendjen e përgjithshme të aktivitetit të tyre është keqësuar në tremujorin e tretë të vitit 2012. Balancat përkatëse ranë me 16.3 dhe 4.9 pikë përqindje.
Balancat e kërkesës së brendshme dhe të jashtme kanë vazhduar të regjistrojnë rënie që prej tremujorit të katërt të vitit 2011. Në ndryshim nga tremujori i kaluar, rënia ishte më e theksuar për kërkesën e huaj (-3.1 pikë përqindje) se sa për atë të brendshme (-0.1 pikë përqindje). Megjithëse bizneset kanë vlerësuar në rënie kërkesën, niveli i inventarëve është pakësuar në tremujorin e tretë të vitit 2012, duke reflektuar rënien në një masë më të madhe të prodhimit industrial. Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2012, bazuar në opinionet e bizneseve, çmimet e produkteve industriale kanë pësuar rritje pas tre tremujorësh rënie të njëpasnjëshme. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në industri mbeti pothuajse e pandryshuar duke regjistruar vlerën 68% (-0.2 pikë përqindje) në periudhën në analizë. Kjo normë qëndron rreth 2.6 pikë përqindjeje poshtë mesatares së saj afatgjatë. Pritjet e sektorit të industrisë për tremujorin e katërt të vitit 2012 janë përkeqësuar për ecurinë e kërkesës totale, gjendjen e ekonomisë dhe të biznesit, në krahasim me pritjet e dhëna gjatë vrojtimit të kaluar për tremujorin e tretë të vitit 2012. Bizneset e sektorit të industrisë shprehen më optimistë për kërkesën e huaj, prodhimin dhe gjendjen e punësimit në tremujorin e ardhshëm.
Turizmi, risk për falimente
Në rënie të ndjeshme duket se është edhe sektori i shërbimeve. Treguesi i besimit në shërbime (TBSH) regjistroi rënie me 6 pikë përqindjeje në tremujorin e tretë të vitit 2012. Aktualisht ky tregues qëndron ndjeshëm poshtë mesatares së tij afatgjatë dhe niveli i tij është në minimumin historik. Përkeqësimi i TBSH-së është shkaktuar nga përkeqësimi i vlerësimeve të bizneseve për situatën e përgjithshme ekonomike, gjendjen financiare të biznesit të tyre dhe punësimin. Balanca e vlerësimit të gjendjes së përgjithshme shënoi rënie modeste me 2.2 pikë përqindjeje, në krahasim me rënien më të theksuar prej 7.6 pikë përqindjeje të balancave të lidhura më ngushtë me gjendjen e tyre të biznesit (punësimin dhe gjendjen financiare).
Në këtë degë, sektori i turizmit, ku përfshihen hoteleri dhe restorante, zë një peshë të konsiderueshme.
Sadik Malaj, kryetar i Unionit të Operatorëve Turistikë, thotë se megjithëse ka pasur rritje të flukseve hyrëse në vend, ka një tendencë negative për sa i përket frekuentimit të hoteleve dhe restoranteve.
“Ne shohim se rritja e flukseve hyrëse dhe kërkesave për të ardhur në Shqipëri ka rritur kërkesat për cilësinë e shërbimeve hoteliere dhe të restoranteve. Realiteti këtu është se nuk justifikohet çmimi me shërbimin, nuk janë në nivelin e duhur. Edhe në këtë rast duket se është një maturim i tregut dhe kjo vjen në një kohë kur ne po faktorizohemi si destinacion turistik në rajon”, thotë z. Malaj.
Problematika më të mëdha për shërbimin janë në Vlorë dhe përgjatë zonës së Jugut, që nga Llogoraja e deri në Himarë, ku shërbimi në hotele dhe restorante lë mjaft për të dëshiruar. Ky përbën një problem, për faktin se megjithëse ka rritje të turistëve nga vendet e Bashkimit Europian, ata zhgënjehen kur përballen me këtë nivel shërbimi.
Ndërkohë që në zonën e Jugut ka probleme me shërbimin, në zonën e Shkëmbit të Kavajës ka mangësi në infrastrukturë.
Nga zona e Shkëmbit të Kavajës deri te Mali i Robit ka problematika të mëdha që largojnë turistët, që nga kanalizimet e ujërave të zeza, mungesa e ujit të pijshëm, që nuk japin kënaqësi për pushuesit.
“Çështja e ndërtimit pa kriter dhe spontan, do të thotë që rrezikshmëria e falimentit është evidente, në një kohë që edhe tregu kosovar mund të arrijë më shpejt në zona shumë më pak të mbipopulluara, si në Vlorë dhe Sarandë, falë rrugës së re. Rritja dhe përmirësimi i strukturave akomoduese në zona të tjera sjell ulje të turistëve në zonat me më pak cilësi”, thotë z. Malaj.
Sipas tij, nëse zona e Golemit nuk do të ketë ndërhyrje, ndoshta edhe projekte afatgjata për urbanizimin, disiplinim të infrastrukturës, siç ka ndodhur edhe në vende të tjera të Europës, dështimi për shumë njësi akomoduese nuk do të jetë i largët.
Ajo që vihet re tashmë tek ata turistë që vijnë në Shqipëri është ofrimi i paketave të kombinuara, me turizëm turistik dhe malor dhe shumë më pak me atë ranor.
“Turizmi i rërës dhe i detit, që në vendet e rajonit është i suksesshëm, po rezulton i pasuksesshëm në Shqipëri. Paketat që ofrohen për turistët e huaj janë ekskursionet e kombinuara, turizëm kulturor turistik dhe ndonjë ditë plazhi, aktivitete me turizëm malor dhe aventurë, si dhe agroturizëm ku shijohen gatime vendase. Të gjitha këto po kombinohen dhe kjo ka sjellë një efekt pozitiv në turizëm”, thotë z. Malaj.
Individëve u rikthehet optimizmi
Ndryshe nga bizneset, të cilët vazhdojnë që të mbeten pesimistë për ecurinë e biznesit të tyre dhe të ekonomisë, tek individët tendenca ka ndryshuar, teksa po vihen re shenja të rritjes së optimizmit prej dy tremujorësh radhazi, me individët që deklarojnë se kostoja e jetesës është ulur në tremujorin aktual. Treguesi i besimit të konsumatorëve (TBK) u rrit 1.3 pikë përqindjeje në tremujorin e tretë të vitit 2012, sipas vrojtimit të besimit të bizneseve e konsumatorëve të Bankës së Shqipërisë. Ndonëse i përmirësuar, ky tregues vazhdon të qëndrojë nën mesataren e tij historike (me 0.93 pikë përqindjeje). Përmirësimi i besimit konsumator gjatë këtij tremujori u ndikua nga përmirësimi i tre prej balancave përbërëse të tij. Rritje të ndjeshme pësoi balanca e situatës së kursim shpenzimeve, e cila u rrit me 5.6 pikë përqindjeje. Në të njëjtin drejtim, por në shkallë më të ulët ndikuan balancat mbi blerjet në shuma të mëdha dhe situata e pritshme financiare, të cilat u rritën me përkatësisht 1.1 dhe 0.4 pikë përqindje. Tendenca e shtuar e konsumatorëve për kursim është shoqëruar me përkeqësimin e pritjeve për situatën ekonomike në të ardhmen. Balanca e kësaj të fundit është ulur me 1.8 pikë përqindjeje në tremujorin e tretë të vitit 2012.
Në tremujorin e tretë të vitit 2012, vlerësimi i konsumatorëve për situatën financiare të familjeve dhe situatën e përgjithshme ekonomike në vend vlerësohet në rritje. Balancat përkatëse rezultuan me rritje përkatësisht 5.7 dhe 3.4 pikë përqindjeje. Konsumatorët shprehen se kostoja e jetesës është ulur në tremujorin aktual. Ata gjithashtu presin ulje të nivelit të papunësisë në gjashtëmujorin e ardhshëm.
Bankat shtrëngojnë më tej kredinë për bizneset
Nga ana tjetër, bizneset që kërkojnë kredi, janë përballuar me kërkesa më të rrepta nga bankat gjatë tremujorit të tretë të këtij viti, si zgjerimi i marzhit mesatar, rritja e komisioneve, ulja e madhësisë së huasë, rritja e madhësisë së kolateralit në raport me madhësinë e huasë si dhe zvogëlimi i maturitetit. Sipas vrojtimit të aktivitetit kreditues të tremujorit të tretë 2012, publikuar nga Banka e Shqipërisë, bankat kanë shtrënguar në të njëjtën shkallë kredinë dhënë bizneseve sipas madhësisë (SME dhe korporatave të mëdha) dhe sipas qëllimit (financim i kapitalit qarkullues dhe i investimeve). Për kredinë dhënë konsumatorëve, bankat vijuan të mbajnë të pandryshuara standardet, për të dytin tremujor rresht, si për blerje banese, ashtu edhe për financim të konsumit.
Faktorët kryesorë që shpjegojnë shtrëngimin e standardeve të kredisë për biznese janë problemet specifike të sektorit ku operon biznesi, situata e kredive me probleme dhe situata e përgjithshme makroekonomike. Gjatë dy tremujorëve të fundit, mjaftueshmëria e kapitalit është vlerësuar si një faktor tjetër që ka dhënë kontribut në shtrëngimin e standardeve. Në lidhje me kredinë dhënë individëve, gjendja financiare e individëve, kreditë me probleme dhe tregu i pasurive të paluajtshme kanë kontribuar në shtrëngimin e standardeve, ndërsa likuiditeti dhe konkurrenca janë faktorë të cilët kanë dhënë kontribut për lehtësimin e tyre.
Ndryshimi në kushtet dhe kriteret për miratimin e kredive të reja të miratuara gjatë tremujorit të tretë të vitit 2012 ka reflektuar shtrëngimin e standardeve për bizneset. Për individët ato kanë ngelur pothuaj të pandryshuara. Për bizneset, kushtet kryesore me të cilat bankat kanë zbatuar politikën shtrënguese të kreditimit janë zgjerimi i marzhit mesatar, rritja e komisioneve, ulja e madhësisë së huasë, rritja e madhësisë së kolateralit në raport me madhësinë e huasë si dhe zvogëlimi i maturitetit.
Kërkesa neto për kredi, bazuar në perceptimin e ekspertëve pranë bankave, është zvogëluar edhe gjatë tremujorit të tretë të vitit 2012 si për bizneset ashtu edhe për individët, por me ritëm më të vogël në krahasim me tremujorin e dytë.
Pritjet e bankave për tremujorin e katërt të vitit 2012 shfaqin pamje më optimiste. Standardet e kredidhënies priten të lehtësohen dhe kërkesa të rritet, për të dyja llojet e klientëve, biznese dhe individë. Pritjet janë përmirësuar si në krahasim me një tremujor më parë, ashtu dhe me vlerësimin për gjendjen aktuale gjatë tremujorit të tretë të vitit 2012.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.