Shqipëria ka varësi të madhe nga energjia e prodhuar nga hidrocentralet. Kjo varësi është mbi 97%. Kjo bën që në vite thatësirash, vendi të ekspozohet ndaj importeve të larta. Zgjidhja për këtë është diversifikimi me burime të tjera, e cila është theksuar vazhdimisht nga institucionet ndërkombëtare financiare.
Tentativa e parë drejt diversfikimit u bë me ndihmën e Bankës Botërore, kur u financua Termocentrali i Vlorës, i cili në fakt nuk ka punuar asnjë ditë dhe përpos kostos së lartë të prodhimit, nuk funksiononte siç duhet në sistemin e ftohjes.
Ky TEC, për disa kohë, u nxor për shprehje interesi për ta kaluar me koncesion, por procedura mbeti pezull. Pas këtij investimi të dështuar për të cilin Shqipëria paguan detyrimet, përpjekjet e diversifikimit shkuan drejt burimeve të rinovueshme, siç janë dielli dhe era. Aktualisht janë dy koncesione aktive me kompaninë Voltalia, për dy parqe fotovoltaike në Spitallë dhe Karavasta, me marrëveshje për blerje energjie.
Në ankandin e parë për Karavastanë, kompania franceze ofroi një çmim 24.89 euro/MWh, ku 70 MW do të nënshtrohen në këtë marrëveshje dhe 70 të tjera në treg të lirë. Për Spitallën, çmimi i ofruar ishte 29.89 euro/MWh, ku edhe këtu 70 MW do të jenë pjesë e tregut të rregulluar që do të blihet nga OSHEE dhe 30 MW për tregun e lirë. Voltalia parashikonte, sipas një dokumenti që të niste ndërtimin për Karavastanë në tremujorin e tretë të këtij viti, por nuk ka informacion se në çfarë faze është tani kompania. Nga ana tjetër, qeveria ka shpallur ankandet për energjinë eolike.
Përmes kësaj procedure do t’ju jepet mundësi prodhuesve që të japin ide për të ndërtuar impiante me kapaciteti 10 MW dhe 75 MW. Në fillim, çmimi i parafiksuar do të orientohet për 100 MW në total që do të blihen nga Shqipëria. Çmimi 75 euro për Mwh do të jetë tavani që të ofertojnë çmimin më të ulët. Do të ketë dy faza vlerësimi, ku faza e parë do të zgjasë 12 muaj për verifikimin e eksperiencës teknike dhe burimeve të financimit. Si përfundim, rezultati është që Shqipëria është diversifikuar vetëm në letra, pasi në praktikë nuk ka burime të rinovueshme alternative për t’u mbështetur kur hidro nuk është më zgjidhje.
Nevojën për diversifikim e nënvizon edhe vetë gjeneruesi publik i cili tashmë ka nisur punën për zgjerimin tek fotovoltaikët.
Me kalimin e viteve, gjithmonë e më shumë do të kemi thatësira të tejzgjatura apo periudha të shkurtra, në të cilat intensiteti i reshjeve do të jetë shumë i lartë. Kjo situatë i ka orientuar kompanitë, të cilat menaxhojnë/operojnë asete gjeneruese të energjisë elektrike, veçanërisht ato hidrike, në dy drejtime kryesore: të investojnë në drejtim të rritjes së sigurisë së veprave hidrike dhe të investojnë në diversifikimin e portofolit të burimeve gjeneruese të energjisë elektrike.
Më konkretisht, projekti i parë është ndërtimi i impiantit fotovoltaik në digën e Qyrsaqit, në hidrocentralin e Vaut të Dejës, me fuqi të instaluar 5.1MWp. Projekti konsiston në ndërtimin e një impianti fotovoltaik, i cili do të instalohet në sipërfaqen e digës së Qyrsaqit në hidrocentralin e Vaut të Dejës.
Projekti i dytë është ndërtimi i impiantit fotovoltaik lundrues në rezervuarin e hidrocentralit të Vaut të Dejës, me fuqi të instaluar 12.9MWp. Ky është projekti i parë për nga madhësia dhe teknologjia që do të përdoret, i cili do të zhvillohet në Shqipëri” do të nënvizonte administratori i KESH Ergys Verdho në një intervistë për “Monitor”.
Një tjetër, për vendin do të ishte lehtësim edhe Bursa e Energjisë. Sipas afatit fillestar, ajo duhet të ishte funksionale nga viti 2017, por në fakt është ende në procedura prokurimi për zgjidhjen e platformës së tregtimit. Kjo procedurë është anuluar dhe shpallur tre herë dhe së fundmi është ankimuar në Komisionin e Prokurimit Publik nga një kompani sllovake për shkak të kritereve.
Operatorë të tregut vlerësojnë se nëse Bursa do të ishte operacionale, Shqipëria do ta kishte më të thjeshtë sigurimin e energjisë ndërkohë që do ta paguante atë në lekë.
Borxhet mes kompanive publike nuk do ta bëjnë të lehtë situatën
Teksa kompanitë publike të energjisë nuk po përjetojnë ditë të mira, qoftë KESH për shkak të rezervës së ulët hidrike, qoftë OSHEE, për shkak të çmimeve të larta të importit, zinxhiri i borxheve mes njëra-tjetrës i akumuluar ndër vite, nuk pritet të lehtësojë situatën. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ajo e Financave dhe Ekonomisë dolën me një plan veprimi, për të zgjidhur situatën, e cila mbetet në plan të dytë në kushtet e reja që po jeton tregu.
Në atë kohë, raporti zyrtar deklaronte se midis OSHEE dhe KESH, detyrimi i papaguar, që nga zgjidhja e çështjes me CEZ, prej 51.4 miliardë lekësh është ristrukturuar në një marrëveshje dypalëshe të nënshkruar në 2018. Ajo parashikon pagesa këstesh të shtrira në 29 vjet. Që nga nënshkrimi i marrëveshjes (2018) deri tani janë bërë tre pagesa këstesh prej 2.8 miliardë lekësh, duke e ulur detyrimin e prapambetur në 48.6 miliardë lekë (fund 2020).
Pavarësisht marrëveshjes, raporti tregon se ndërkohë është krijuar një detyrim shtesë neto prej 4.1 miliardë lekësh, duke çuar nivelin e detyrimeve të prapambetura të OSHEE ndaj KESH në 53.4 miliardë lekë. Nga ana tjetër, KESH ka një detyrim ndaj OSHEE prej 6.3 miliardë lekësh si pasojë e mospërmbushjes së kontratës në kuadër të detyrimit të shërbimit publik, në 2019 dhe në 2020 e njohur nga të dy kompanitë.
Të njëjtat të dhëna tregojnë se deri në fund të vitit 2017, detyrimet e prapambetura ndaj OST ishin 9.1 miliardë lekë, prej të cilave 8.5 miliardë lekë, fatura të papaguara transmetimit. Që nga viti 2018, OSHEE ka paguar të gjitha shumat aktuale të faturave të tarifave të transmetimit. OSHEE ka paguar një pjesë të detyrimeve të prapambetura në bazë të rregullit të 105% por jo rregullisht.
“Ndërkohë, detyrimet e OSHEE ndaj OST janë rritur për shkak të disbalancave. OSHEE ka dy detyrime ndaj OST, një prej 2.79 miliardë lekësh (deri në fund të vitit 2019) të njohur nga të dy kompanitë dhe një tjetër prej 2.4 miliardë lekësh, pas një vendimi të ERE-s i cili është kundërshtuar në gjykatë nga OSHEE” – thuhet në raport.
Sa u takon marrëdhënieve me KESH, OST ka transferuar pjesën më të madhe të faturave të papaguara nga OSHEE për disbalancat te KESh në vlerë prej 4.4 miliardë lekësh. Kjo vlerë është e njohur nga të dy kompanitë.
Përpos detyrimeve mes njëra-tjetrës ndaj kompanive të energjisë kanë borxhe edhe palë të treta. “Deri në 2020, ndërmarrjet e ujësjellësit kanë krijuar detyrime të reja ndaj OSHEE/FSHU prej 17 miliardë lekësh, 9 miliardë nga të cilat janë kamatëvonesa. Pavarësisht diferencave në vlera midis asaj të raportuar nga OSHEE dhe të dhënave të raportuara nga ndërmarrjet e ujit (nëpërmjet AKUM), prirja në rritje e detyrimeve konfirmohet nga palët.
OSHEE/FSHU ka nënshkruar marrëveshje me disa nga ndërmarrjet e ujit për ristrukturimin e detyrimeve, por pak kane qene efektive deri me sot. Për OSHEE/FSHU rakordimi dhe ristrukturimi i borxheve të vjetra me ndërmarrjet e ujit është një çështje që duhet zgjidhur. Por me rëndësi se ristrukturimi i borxheve të vjetra, ka përmbushja e pagesave korrente nga ndërmarrjet”, thuhet në raport.
Sa u përket institucioneve buxhetore, raporti nënvizon se shuma e detyrimit të papaguar është 5 miliardë lekë, 3 miliardë prej të cilave principal.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.