Doganat në Kosovë kanë arkëtuar 757 milion euro, shifër e cila krahasuar me vitin e kaluar është 4.42 për qind, apo 24 milion euro.
Këto statistika janë bërë të ditura nga Ministri i Financave Besim Beqaj, i cili përmes një njoftimi, thuhet se të ketë dhënë vlerësime të larta për performancën e Doganës së Kosovës.
Ai i ka inkurajuar ata, që të vazhdojnë me përpikëri që t’i realizojnë obligimet e tyre ligjore.
“Që nga themelimi i Doganës së Kosovës ka pasur zhvillim shumë të rëndësishëm si në fushën e mbledhjes së detyrimeve doganore për buxhet të shtetit, po ashtu edhe në fushën e sundimit të ligjit dhe aftësimin e oficerëve doganor që me sukses t’i realizojnë obligimet e veta ligjore”, thuhet t’u ketë thënë Beqaj zyrtarëve të Doganës, transmeton Kosovapress.
Ministri Beqaj deklaroi se reforma domethënëse në Doganë ka për qëllim rritjen e cilësisë së shërbimeve në raport me bizneset dhe të punësuarit janë duke dhënë rezultate të rëndësishme konkrete.
“Luftimi i ekonomisë joformale është një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Financave, respektivisht Qeverisë së Republikës së Kosovës. Dhe duke u mbështetur në dokumentet strategjike të Qeverisë për parandalimin dhe luftimin e ekonomisë joformale, pastrimin e parave, financimin e terrorizmit dhe krimeve financiare, në hartimin e të cilave ishin të inkuadruar edhe përfaqësuesit e biznesit, shoqërisë civile dhe institucionet relevante shtetërore, synohet një rritje e qëndrueshme ekonomike ku sektori privat ka rolin udhëheqës në ekonomi. Në këtë drejtim rol të pazëvendësueshëm ka edhe Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Ndërsa pikë tjetër e bërë e ditur në njoftim është se kreu i Financave të Kosovës po përgatitet për një nismë e re – krijimi i ekipeve të specializuara doganore dhe tatimore të cilat do të merret me parandalimin e kontrabandës jashtë pikave doganore.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.