Fabrikat e këpucëve dhe prodhimit të veshjeve ishin më të goditurat nga kriza pandemike.
Kufizimet në lëvizje kanë ulur blerjet e veshjeve e për rrjedhojë fabrikat kanë më pak punë, duke bërë që shumë gra të punësuara në këto aktivitete të mbeten të papuna. Pothuajse të gjitha vijnë nga familje të varfra.
Agjencia Suedeze e Zhvillimit Ndërkombëtar nëpërmjet Organizatës Ndërkombëtare të Punës ILO ka angazhuar një shume prek 556 mijë dollarësh e cila do mbështesë gratë në industrinë e tekstilit dhe këpucëve për t’i bërë ballë ndikimeve negative të krizës Covid-19 në jetesën e tyre dhe për të përgatitur terrenin për një kthim afatshkurtër në punë nën kushte më të sigurta dhe të përmirësuara të shëndetit dhe sigurisë.
Pandemia e Coronavirus ka pasur një ndikim të madh në industritë e tekstileve, veshjeve, lëkurës dhe këpucëve. Masat e karantinës, mbyllja e dyqaneve me pakicë, sëmundjet dhe uljet e pagave kanë ulur konsumin. Fabrikat po punojnë nën kapacitet dhe shumë punonjës janë pushuar nga puna. Gratë në sektorin e veshjeve dhe këpucëve në Shqipëri janë ndër më të goditurat nga problemet ekonomike të lidhura me krizën shëndetësore Covid-19.
Fondi prej mbi 500 mijë dollarësh do të aktivizohet deri në 30 prill 2021 parashikon pagesa direkte gratë e papuna. Kjo shumë do të shkojë edhe për shërbime të tjera që përfshijnë asistencën teknike të ILO-s për fabrikat e zgjedhura të angazhuara për zbatimin e standardeve për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë.
Në mënyrë që të sigurojë që vendet e punës të mbeten të qëndrueshme, projekti synon të lehtësojë një dialog midis blerësve ndërkombëtarë që burojnë nga sektori i veshjeve dhe këpucëve në Shqipëri dhe homologëve kombëtarë për të identifikuar potencialet për bashkëpunimi i mëtejshëm ose i ri midis tyre.
Viti 2021 është i mbushur me pasiguri për sektorin e tekstilit dhe prodhimit të këpucëve. Nga njëra anë, kriza po prodhon mundësi për të diversifikuar prodhimin dhe burimet e eksportit, por rënia e porosive dhe pasiguritë për zgjatjen e pandemisë zbehin shpresat për përmirësim këtë vit.
Florian Zekja, nga Dhoma Kombëtare e Veshjeve, tha se fabrikat do të përballen me rënie të kërkesës edhe në 6-mujorin e parë të vitit 2021, pasi partnerët tregtarë, kryesisht në Europën Perëndimore, po zbatojnë masa të rrepta të kufizimeve në lëvizje.
Përmirësimet do të qartësohen në 6-mujorin e dytë, pasi aplikimi në masë i vaksinës dhe krijimi i imunitetit të tufës ndaj koronavirusit pritet t’i çojë zhvillimet drejt normalitetit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.