Balneario Camboriu tregon se çfarë mund të arrihet kur zhvilluesve privatë u jepet kontroll i lirë
Pronat e paluajtshme më të shtrenjta në Brazil nuk ndodhen në plazhet e Rio de Janeiro-s apo në kullat me apartamente luksoze në Sau Paulo. Ndodhen pikërisht në qytetin e vogël Balneario Camboriu, i quajtur “Dubai i Brazilit”.
Ky qytet me rreth 150,000 banorë është shndërruar gjatë gjysmëshekullit të fundit, nga një fshat i vogël peshkimi, në një eksperiment të asaj që ndodh kur zhvilluesve privatë të pronave, i jepet në dorë kontrolli i plotë.
Në këtë qytezë janë ngritur shtatë nga dhjetë ndërtesat më të larta të Brazilit, duke përfshirë kullën më të lartë të banimit në Amerikën Latine.
Disa nga emrat e njohur që kanë apartamente aty, përfshijnë yllin brazilian të futbollit Neymar dhe familjet miliardere që zotërojnë biznese të mëdha në fushën e industrisë dhe bujqësisë.
Ky qytet është bërë një pikë popullore pushimesh, falë pamjeve panoramike, rrugëve të sigurta dhe nivelit relativisht të lartë të pasurisë, për një shtet si Brazili që ka probleme të mëdha me krimin dhe varfërinë. Qyteti gjithashtu nuk ka qenë i përgatitur mirë për rritjen e pakontrolluar të popullsisë, gjë që ka çuar në ndotjen e ujit, mbingarkimin e infrastrukturës dhe largimin e klasës së mesme për shkak të çmimeve të larta.
Disa vendas që po korrin përfitimet e këtij lulëzimi të papritur, përdorin shpesh shprehje si “O Brasil que deu certo” (Brazili që funksionoi), ose “O ceu e o limite” (Qielli është kufiri).
Të tjerë mendojnë se krahasimet me Dubain, Singaporin apo Majamin, janë vërtet për të qeshur. Kjo zonë nuk ka asnjë hotel me pesë yje. Ka pak banesa financiarisht të përballueshme dhe transporti publik lë për të dëshiruar. Për më tepër, shumë prej apartamenteve të shtrenjta që përdoren zakonisht si prona investimi ose shtëpi të dyta, qëndrojnë më së shumti bosh.
Veronica Alves Teixeira, një 57-vjeçare që shet rrobabanjo, ka jetuar në qytetin Balneario Camboriu për 40 vjet. Ajo nuk ka lëvizur nga ky vend që kur e bleu shtëpinë për herë të parë, sepse nuk mund të përballojë dot ekonomikisht asgjë tjetër.
“Vizitorët e huaj shpesh më thonë: ‘Unë kujtoja se Brazili ishte plot me lagje geto dhe kur mbërrita, pashë këtë vend’. Unë i përgjigjem: ‘Balneario nuk përfaqëson Brazilin’”, thotë Teixeira.
Kompania kryesore, përgjegjëse për rritjen e jashtëzakonshme të qytetit, është pa dyshim FG Empreendimentos. Kjo kompani e pasurive të paluajtshme në pronësi familjare, është e pranishme kudo, nga reklamat në aeroport, deri te tabelat në tokat boshe dhe zyrat e shitjeve, të shpërndara ngado nëpër qytet. Pastaj, sigurisht, janë edhe 60 kullat që ka ndërtuar kompania FG, mbi të cilat janë vendosur inicialet e emrit të kompanisë, që ndriçojnë gjatë natës.
Kompania FG ka gati 50% të tregut dhe ka ndërtuar në këtë zonë duke filluar që nga vitet 1990. Ajo është themeluar nga Francisco Graciola, një sipërmarrës dhe biznesmen vendas, me origjinë nga qyteza Gaspar që ndodhet aty pranë. Tani, kompania drejtohet nga i biri Jean Graciola, një 44-vjeçar i pashëm atletik, i cili, duke gjykuar nga dhëmbët e zbardhur profesionalisht dhe lëkura e nxirë, duket se i kushton shumë rëndësi pamjes fizike.
Ai dhe i ati kanë udhëtuar nëpër të gjithë globin, në Dubai, Singapor, Hong Kong, Panama City dhe New York City, për të mësuar rreth qiellgërvishtësve. Ata ndërtuan One Tower, kullën më të lartë në Brazil, dhe tani kanë në plan të ndërtojnë edhe një kullë 110-katëshe, e cila më pas do të ndiqet nga një ndërtesë 150-katëshe, që do të ishte projekti më i lartë rezidencial në botë.
“Ne i kemi trefishuar shitjet që nga viti 2019”, ka thënë Graciola disa vite më parë, në një intervistë në zyrën e tij, teksa po kalonte nëpër projektet e laminuara që planifikonte të niste. “Profili i blerësve ka ndryshuar. Më parë, një familje mund të blinte e shumta, një apartament për vete. Tani ata po blejnë apartamente për anëtarë të familjes”.
Manjati miliarder, Luciano Hang, i cili zotëron kompaninë e shitjes me pakicë Havan dhe ishte mbështetës i madh i Bolsonaro-s, ka lindur në qytetin Brusque aty pranë dhe zotëron prona të shumta në Balneario. Edhe ai po zhvillon projekte të reja me kompaninë e ndërtimit FG, pasi ka investuar së bashku me të në disa projekte në të kaluarën.
Familjet e pasura industriale, shpesh me origjinë gjermane dhe italiane nga shteti Santa Catarina, ishin nismëtarët e parë të investimeve në qytetin bregdetar, së bashku me blerësit nga shtetet e afërta Rio Grande do Sul dhe Parana. Vitet e fundit, edhe fermerët e pasur kanë filluar të blejnë prona në Balneario Camboriu, aq sa firmat e pasurive të paluajtshme kanë krijuar plane të posaçme pagese, që përkojnë me sezonin e korrjes.
Çmimet më të shtrenjta në Brazil
Me një çmim 12,624 realë (2,580 USD) për metër katror, qyteti Balneario Camboriu ka pasurinë e paluajtshme më të shtrenjtë në Brazil, sipas firmës FipeZAP që gjurmon çmimet. Pandemia e përshpejtoi vrullin në treg dhe vlerat e çmimeve u rritën me 11% vitin e kaluar.
Ndërkohë, çmimet e disa pronave buzë detit, u rritën më shumë se 30%, pasi bregu i detit u zgjerua. Këtë projekt e financoi sektori privat, dhe jo qeveria vendore, një shenjë e ndikimit që kanë zhvilluesit e pronave.
Të gjithë personat që punojnë në tregun e banesave, duken të befasuar nga pyetja nëse është formuar një flluskë e pasurive të paluajtshme që mund të shpërthejë dhe të shkaktojë dhimbje të gjerë në ekonominë vendase.
Tani, rryma që nisi në Balneario Camboriu, po përhapet. Në qytetet fqinje Itapema dhe Itajai janë rritur çmimet e pasurive të paluajtshme me përkatësisht 20% dhe 13%, në 12 muajt e fundit, sipas firmës FipeZAP. Kjo i bën ato tre qytetet më të shtrenjta në vend për të blerë prona, përveç kryeqyteteve të shteteve braziliane.
Agjenti i pasurive të paluajtshme Custodio Ribeiro Jr., 36 vjeç, ka operuar edhe si blerës, edhe si shitës. Ai thotë se nuk ka kuptim të investosh në bursë ose në bono qeveritare, kur çmimet e pasurive të paluajtshme vazhdojnë të rriten. Në vetëm gjashtë muaj, ai ka parë blerës që i rishesin pronat për fitim dhe blerjet shpesh i financojnë zhvilluesit, jo bankat.
Më shumë se 60% e veprimtarisë në firmën e tij CRI është për qëllime investimi, ndërsa një i njohur i tij, ka investuar para në më shumë se 20 prona.
“Lidhja e sektorit privat dhe atij publik është shumë e fortë dhe krijon shumë para”, thotë ai. “Duke pasur vetëm qiellin si kufi dhe një qytet që nuk kufizon lartësitë e ndërtesave, ju mund të ndërtoni ndërtesën më të lartë në planet, nëse keni një sipërfaqe mjaftueshëm të madhe dhe zotëroni aftësi inxhinierike”.
Përgjatë gjithë bregdetit, zhvilluesit po bëjnë garë për të arritur të parët projektin që do të kushtojë 100,000 realë për metër katror.
Në skajin jugor të plazhit kryesor, zhvilluesit lokalë u lidhën me kompaninë Pininfarina, për të ndërtuar kompleksin Jachthouse me dy kulla 80-katëshe. Në këtë kompleks, ylli i futbollit Neymar ka blerë një apartament që shtrihet në katër kate, me vlerë më shumë se 80 milionë realë. Dhe falë pistës së helikopterit, banorët mund të hyjnë në ndërtesë dhe të hipin në një jaht në gjirin aty pranë, pa dalë fare në rrugë.
Rreth 10 kilometra (6.2 milje) në veri në plazhin Brava, ndërtimet duket se nuk reshtin kurrë, me ngritjen e godinave private dhe kullave.
Pikërisht në këtë zonë, Carlos Trossini ka ndërtuar kompleksin Bravissima, me apartamente shumë të shtrenjta që shtrihen deri në 800 metra katrorë (8611 këmbë katrore) dhe vila private. Por kjo zonë duket shumë ndryshe nga pjesa tjetër e qytetit Balneario Camboriu, sepse përfshin edhe pyje të mbrojtura dhe është disi e veçuar.
Blerësit e hyrjeve në këtë zonë përfshijnë anëtarë të familjeve miliardere që zotërojnë gjigantin industrial Weg SA, si dhe familjen multimilionere Logemann, që zotëron prodhuesin bujqësor SLC Agricola.
Trossini tregoi edhe disa foto të supermodeles Gisele Bundchen në Instagram, që janë postuar nga apartamenti që ajo ka blerë në pronën e tij. Blerësit e mundshëm duhet të shqyrtohen 48 orë përpara një vizite.
Perspektiva e munguar
Eduardo Zanatta është një nga 19 anëtarët e këshillit të qytetit Balneario Camboriu dhe është i vetmi anëtar i Partisë së Punëtorëve, një parti me orientim politik të majtë. Kjo është një detyrë e frikshme në një qytet që votoi gati 90% për Jair Bolsonaro-n në zgjedhjet e fundit. Djali më i vogël i Bolsonaros, Jair Renan, tani jeton atje dhe ka në plan të garojë në zgjedhjet e këtij viti për një vend në këshill.
“Flas me shumë të rinj në qytet, prindërit e të cilëve kanë blerë këtu 20 apo 30 vjet më parë. Por brezi i sotëm nuk ka asnjë perspektivë për të pasur pronën e vet”, tha Zanatta, 38 vjeç. “Është shumë shtrenjtë”.
Mariana Schlickmann është një prej tyre. Kjo pedagoge universiteti shkroi një libër për historinë e qytetit ku u rrit dhe jetoi pjesën më të madhe të jetës. Tani, duke pirë një kafe në Itajai, ajo thotë se të ardhurat e saj relativisht modeste, e bëjnë të pamundur blerjen e një shtëpie në këtë qytet.
“Është një sjellje injorante që të duash vetëm të fitosh para tani dhe të mos mendosh për të ardhmen e qytetit, – thotë ajo. – Është e paqëndrueshme”.
Punëtorët e ndërtimit dhe shërbimeve e kanë pothuajse të pamundur të jetojnë pranë vendit të punës. Qyteti Camboriu, që ndodhet përgjatë autostradës së mbingarkuar BR-101, është shumë më i varfër dhe një pjesë e ndotjes në plazh, vjen nga mungesa e ujit të përpunuar atje.
Ashtu si shumica e anëtarëve të këshillit, edhe kryebashkiaku me dy mandate i qytetit Balneario Camboriu, Fabricio Oliveira, është konservator.
Gjatë një interviste të shkurtër në zyrën e tij, 48-vjeçari reklamoi programet sociale dhe përfitimet mjedisore. Uji i ndotur? Është një problem që duhet rregulluar nga qyteti fqinj, pasi Balneario e ka 98% të rrjetit të kanalizimit të lidhur.
Ai lavdëroi rrugët e sigurta në enklavën e vogël të patrulluar nga policia bashkiake dhe shpjegoi se po nis një fushatë të re që do t’u kërkojë njerëzve të mos i japin para lypësve në semaforë. Qyteti ka një politikë të veçantë për të pastrehët. I ushqen, i dërgon për t’u larë dhe më pas i jep një biletë për t’u larguar jashtë qytetit.
“Në vend që të jepni para, telefononi zyrën e kryetarit. Ne do të kujdesemi për ta”, thotë ai.
Popullsia e qytetit zakonisht fryhet në rreth 1 milion gjatë fundvitit. Këtë vit, Abu Dhabi dhuroi dronë për një shfaqje me fishekzjarrë.
Pjesa më e madhe e turistëve janë të klasës së mesme, gjë që bën kontrast me çmimet e larta të pasurive të paluajtshme në Balneario Camboriu.
Një anije e madhe lundrimi e ankoruar në det të hapur shkarkon një grup të vogël pasagjerësh, për shkak të mungesës së një porti. Turistët mbushin baret dhe restorantet, ndërsa të moshuarit luajnë domino ose një lojë të quajtur “bocha”, të ngjashme me bowling.
Nëpër trotuare ndodhen kioska që shesin pije kaipirinha, birrë, ujë kokosi, misër dhe churro.
Nëpër rrugën kryesore, kalojnë ditë e natë vrapues dhe biçikleta elektrike, dhe në të rrallë, ndonjë makinë Ferrari apo Porsche. Por gjatë mesit të dhjetorit, shumica e dritave në kullat e larta me apartamente luksoze, janë të fikura.
Megjithatë, zhvilluesit e pasurive të paluajtshme, shohin ende mundësi të pashfrytëzuara.
Graciola nga kompania FG thotë se firma ka ende zona boshe me hapësirë 3.2 milionë metra katrorë, që mund t’i shfrytëzojë. Duke qenë se qyteti nuk kufizon lartësinë e kullave, kompania FG nuk ka plane të zgjerohet jashtë tregut vendas, por është në bisedime me zinxhirët globalë të hoteleve me cilësinë më të lartë.
Kompania FG po përpiqet të shesë më shumë për klientët e pasur në Sao Paulo, Minas Gerais dhe Rio de Janeiro. Ambasadori më i fundit i markës së kompanisë, është ylli portugez i futbollit Cristiano Ronaldo, imazhi i të cilit mund të ndihmojë për të tërhequr blerësit europianë.
“Me projekte që do ta bëjnë qytetin Balneario Camboriu të njohur në botë, si ndërtesa e ardhshme 150-katëshe, ne do të kemi nevojë edhe për klientë nga jashtë, – tha Graciola. – Njerëzit kanë filluar ta shohin Brazilin me një sy tjetër”. / Bloomberg
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.