Edhe në skenarin më pozitiv, BB parashikon që ekonomitë e Ballkanit Perëndimor do të tkurren deri në 5.6%

12/05/2020 4:54 PM 0 komente

Ekonomitë në rajonin e Ballkanit Perëndimor do të kontraktohen deri në 5.6% në skenarin më pozitiv që tregon pasojat e mundshme të pandemisë së koronavirusit në Europë, tha Banka Botërore të mërkurën.

Sipas këtij “skenari bazë”, masat e kontrollit mund të hiqen në fund të qershorit dhe një rimëkëmbje graduale mund të fillojë në gjysmën e dytë të vitit 2020.

“Skenari negativ” supozon se masat e kontrollit mund të hiqen vetëm në fund të gushtit dhe rimëkëmbja e aktivitetit ekonomik mund të fillojë vetëm në tremujorin e fundit të vitit 2020.

“Shkalla e recesionit varet nga kohëzgjatja e pandemisë në Europë”, tha Linda Van Gelder, drejtoresha e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, në një deklaratë mbi raportin e fundit ekonomik të bankës.

Në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor – Shqipëri, Kosovë, Mal i Zi, Bosnjë, Maqedoni e Veriut dhe Serbi – recesioni do të shkaktohet nga një rënie e kërkesës së brendshme dhe të huaj gjatë krizës së COVID-19, tha banka.

Të gjitha vendet kanë imponuar karantina, të cilat pritet të ndikojnë në bizneset dhe shërbimet në ekonomitë e eksportit dhe ato të orientuara nga turizmi. Dërgesat dhe investimet gjithashtu pritet të bien ndjeshëm.

Edhe sipas skenarit bazë, Shqipëria dhe Kosova, struktura ekonomike e të cilave varet nga eksporti i shërbimeve dhe turizmi, do të goditen shumë dhe ekonomitë e tyre parashikohet të kontraktohen me rreth 5%, thuhet në raport. Ekonomia e Malit të Zi parashikohet të tkurret me 5.6%.

Bosnja, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, të orientuara nga eksporti dhe të varura nga tregu i BE-së, pritet të përjetojnë recesione paksa më të buta. Ekonomitë e tyre do të vuajnë nga ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit dhe pritet të kontraktohen përkatësisht me 3.2%, 1.4% dhe 2.5%.

Sipas skenarit negativ, ekonomia do të kontraktohet në rajon mesatarisht rreth 5.7% në vitin 2020, duke shkaktuar një recesion më të rëndë sesa kriza globale financiare, tha banka. Ajo nuk dha një mesatare sipas skenarit bazë.

Duke parë vendet specifike sipas skenarit negativ, ekonomia e Kosovës do të tkurret me 11.3%, ajo e Malit të Zi me 8.9% dhe e Shqipërisë me 6.9%.

Van Gelder tha se rritja pritet të kthehet fuqishëm në rajon në një periudhë afatmesme, pasi aktiviteti ekonomik do të kthehet gradualisht në normalitet, “por kjo gjithashtu varet nga kohëzgjatja dhe intensiteti i krizës aktuale, si dhe nga fakti se çfarë hapash do të ndërmarrin politikanët për t’u përballur me këtë pandemi”.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of