Edi HILA është një nga piktorët më të rëndësishëm bashkëkohorë shqiptarë. Ai ishte nxënës i Kacelit (në Lice); student i Shijakut, Jukniut, Kilicës dhe Ramës gjatë studimeve akademike. HILA e filloi krijmtarinë në fundin e viteve 60, periudhë kjo e një fryme më liberale në jetën poltikeekonomike dhe artistike në Shqipëri. Në ekspozitat e arteve figurative të kësaj periudhe në Shqipëri ekspozonin tri breza artistësh: brezi i parë përbëhej nga artistët, që kishin studiuar në shkollat perëndimore (Itali, Francë, Greqi); brezi i dytë përbëhej nga artistët e formuar në akademitë lindore (ish. BRSS, Poloni, ish Çekosllovakia, Rumani, Bullgari); dhe brezi i tretë përbëhej nga artistët e formuar në Akademinë e Tiranës, që porsa ishte krijuar. Sigurisht në kuadrin e kanoneve të rrepta që “kornizonin” artin shqiptar sipas metodës së Realizmit socialist, krijimi i një fryme liberale në jetën artistike të vendit krijoi tek artistët shqiptarë iluzione të zbatimit dhe në Shqipëri të artit bashkëkohor, si kudo në vendet europiane. Mjaft artistë, ndërmjet tyre dhe HILA, lëvruan temat aktuale dhe ato historike “ndryshe” (“Mbjellja e pemëve”-1971, GKA; “28 tetor 1941”, 1981, GKA, “Vizita”, 1989, GKA). Veçanërisht kjo pasqyrohej në trajtimin piktorik, konceptimin kompozicional dhe dekorativitetin e veprave. Megjithatë në këtë periudhë të krijimtarisë, tablotë janë figurative dhe figura e njeriut është gjithmonë e pranishme, herë si personazh kryesor, që tërheq vëmendjen me veprimet e tij; e here si pjesë përbërëse në tablotë ku mbizotëron kryesisht peizazhi e ku figura e njeriut kthehet në një element figurativ dekorativ. Ndryshe nga mjaft piktorë, që lëvruan temat historike dhe ato bashkëkohore në mënyrë tregimtare, realiste e shpesh illustrative, tek tablotë e HILES vërejmë një kujdes dhe interes të veçantë për ngjyrën, raportet e saj brenda kornizës së imazhit, që kishte prirje gjithmonë e më të fuqishme të sillte “realitetin” e rikrijuar artistik. Prirjet drejt një arti të lirë bashkëkohor europian, HILA përveçse në tablotë e kavaletit, i shfaqi dhe në realizimin e dekoreve televizive, kur krijonte e realizonte të gjitha dekoret për Televizionin Shetëror Shqiptar(196874). HILA krahas artistëve të tjerë ishte nga pjesmarrësit kryesorë në grupin e artistëve figurative, që menduan dhe realizuan vepra në kundërshtim me kornizimet dhe kanonet e artit të realizmit socialist dhe që u dënuan nga pushteti i kohës për të mos ushtruar profesionin apo dhe për të mos ekspozuar (19741977). Duke vëzhguar me kujdes krijimtarinë artistike të piktorit Edi HILA me një vazhdueshmëri rreth 40 vjeçare mendojmë se ajo mund të grupohet në dy periudha: a) periudha para viteve 90 (196890) dhe b) periudha 19902005.Piktori HILA, që student ishte një vrojtues i vëmendshëm i natyrës dhe veçanërisht i dukurive shoqërore e politike. I prirur në vazhdimësi drejt realizimeve figurative konceptuale, i pajisur me ndjeshmëri ndaj ngjyrës, duke shfrytëzuar aftësinë si një vizatues i fuqishëm, ai nga vepra në vepër, gjatë periudhës së parë “shpaloste” në një formë “të mbuluar”, filozofinë e tij jokonformiste si në tablotë historike, qoftë dhe në ato me temën e kohës. Mjafton të kujtojmë tablonë e njohur “Mbjellja e pemëve”. Delikat gjithmonë në tonalitetet koloristike, Hila në vazhdimësi ishte artisti estet, ku ngjyra po luante një rol të rëndësishëm e parësor në tablotë që realizonte. Shumë nga tablotë, por ndofta me qindra vizatime të kësaj periudhe të paekspozuara ruhen nga kjo periudhë në studion e artistit, ku janë shpalosur lirshëm elementët figurative: kubistë, metafizikë, abstraktë e konstruktivistë. Në këto vepra ndihen rrezatimet e artit dhe artistëve më të rëndësishëm modernë të kohës, por edhe individualiteti i veçantë i artistit në pasqyrimin e temave, që trajton. Këto vepra akoma nuk janë studiuar dhe analizuar në mënyrë serioze nga studiuesit e artit.Duke mos patur mundësi ekspozimi, komunikimi e vlerësimi të eksperimentimeve dhe duke qenë nën trysninë e autocensurës dhe të censurës mbi artin në periudhën e parë, HILA , krijon një “kod” personal të komunikimit me ngjarjet dhe dukuritë, që vazhdon ta përdorë dhe pas viteve 90. Kështu HILA, kur realizon ciklin e Shkodrës, nuk priret të ilustrojë apo të pikturojë qytetin, as personazhet e tij, atij nuk i intereson historia e qytetit, por në tablotë e tij të veçanta e të jashtëzakonshme magjike, fuqishëm dhe me delikatesë zbulon magjinë e qytetit, të sjellë e të rizbulojë figurat të ndritura të muzikantëve, të risjellë figarat e legjendave e mitologjisë, të hymnizojë e nderojë jetën e përditshme qytetare, të “këndojë” bukurinë e qytetit të tij të dashur. etj. etj.Hila shpesh i pështjell figurat reale (që ai shpesh sa i skicon me penel) me figura ireale , që fluturojnë e enden në qytet si ëngjëjt e tablove të piktorëve italianë të 300.Artisti nuk është indiferent në ngjarjet politike, që sollën ndryshimet demokratike në Shqipëri në vitet 90. Ai kontribon në futjen e një fryme moderne bashkëkohore perëndimore në programet e mësimdhënies në Akademinë e Arteve në Tiranë. Piktura e tij në periudhën e dytë ka karakter social, por kjo pasqyrohet me mjetet figurative simbolike. Në ciklin KONFORT artisti reagon artistikisht, me kodet e tij ndofta pak hermetike mbi dukurinë shqiptar të pas viteve 90, që politika e quajti “periudha e tranzicionit”. HILA në këto vepra ka evidentuar në një formë mjaft intelektuale dhe me mjete alegorike dukuritë sociale si: mënyrat e shpejta abuzive të pasurimit të një shtrese shoqërore, që kanë për sytë e artistit pamje groteske e që krijojnë personalitetet hije. Në ciklin “Portrete shtëpish”, HILA trajton dukurinë e “dhunës” imponuese të pronarëve të rinj ndaj arkitekturës urbane ( banesat e shtrenjtavila) ku mbizotrëon shija e imponuar vulgare, elementë këto tërheqës për piktorin.Prirjes për kthimin e një dukurie, subjekti, imazhi në vëmëndje të tablove të tij i përket dhe cikli “Omazh imazh”, ku pamjet televizive frymëzojnë artistin, duke i kthyer në subjekte të tij për ti pikturuar në një kontekst tjetër.Piktori HILA ka qenë gjithmonë pjesmarrës në të gjitha veprimtaritë e artit si brenda ashtu dhe jashtë Shqipërisë në ekspozitat dhe konkurset që organizonte shteti shqiptar. Pas viteve 90, HILA merr pjesë në të gjitha edicionet e Konkursit të Arteve Pamore “Onufri” (1993 2004), në Mediterrania 1 (1999, në GKA dhe në Bari Itali), në 1998 çel në GKA ekspozitën vetjake “Konfort”. Ai ka marrë pjesë në mjaft veprimtari arti jashtë Shqipërisë: Bienalja e Venecias (1999), KASEL,etj. Piktori HILA ka 10 vepra të ruajtura në fondet e GKA, Tiranë.Për lexuesin e revistës “MONITOR”, piktori Edi HILA ka ofruar 5 vepra të tij. Çmimi i veprave të piktorit HILA varion nga 1 200 – 3 500 euro.
Ylli Drishti
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.