Ekonomia e Bullgarisë u rrit me 1% në tremujorin e parë të vitit 2022, tha Instituti Kombëtar i Statistikave (NSI).
Në terma realë, Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) në Bullgari, në periudhën janar-mars, ishte 30.4 miliardë lev, ose 15.54 miliardë euro.
Në terma vjetorë, rritja ekonomike në tremujorin e parë ishte 4.5%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.
Të dhënat e rregulluara sezonalisht treguan se konsumi i brendshëm u rrit me 1.7% në tremujorin e parë dhe konsumi ishte 6.6% më i lartë në bazë vjetore. Formimi i kapitalit fiks bruto u rrit me 0.7% në periudhën janar-mars, por pësoi një rënie prej 6.1% krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2021.
Eksportet u rritën me 5.3% në krahasim me tremujorin e katërt të vitit 2021 dhe ishin 11.8% më të larta krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar, ndërsa importet u rritën me 3.8% në bazë tremujore dhe ishin 13.6% më të larta në bazë vjetore.
Vendi regjistroi një deficit tregtar prej 721.2 milionë lev në bazë tremujore, ekuivalente me 2.4% të PBB-së, tha NSI-ja.
Publikimet e statistikave të NSI-së, nuk përfshijnë analizat e tendencave dhe vlerësimi i shpejtë i PBB-së nuk përmendi ndikimin që pati në ekonominë bullgare pandemia Covid-19 ose pushtimi i Ukrainës.
Rritja ekonomike e Bullgarisë në tremujorin e parë të vitit 2022, ishte më e lartë se shifra e regjistruar për BE-në në tërësi, sipas të dhënave nga organi i statistikave të bllokut, Eurostat. Ekonomia e BE-së u rrit me 0.4% në tremujorin e parë, ndërsa ekonomia e Eurozonës u rrit me 0.3%.
Në bazë vjetore, rritja ekonomike e Bullgarisë ishte më e ulët, pasi ekonomia e BE-së u zgjerua me 5.2% krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2021, ndërsa ekonomia e Eurozonës u rrit me 5.1%.