Edhe sot në rend dite të seancës së Kuvendit është Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike nga pandemia COVID-19.
Ky projektligji duhet të kalojë nëse votohet nga deputetët. E ndaj tyre me thirrje konkrete kanë dalë Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane dhe Oda e Afarizmit të Kosovës.
Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës që duke u bazuar në nevojën e bizneseve për veprim të shpejtë për zbatimin e masave të rimëkëmbjes ekonomike, të arrijnë konsensusin e nevojshëm që do të mundësonte krijimin e legjislacionit përkatës për zbatimin e këtyre masave.
“Duke qenë të vetëdijshëm që përmbajtja e projektligjit për rimëkëmbje ekonomike ka nevojë për plotësim të mëtejmë me dispozita të tjera që adresojnë vështirësitë e sektorit privat, në fazën aktuale, por edhe në fazë afatgjatë, Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane u kërkojnë deputetëve që në seancën e sotme të aprovojnë në lexim të parë projektligjin e proceduar nga ekzekutivi, duke hapur mundësinë e plotësimit të mëtejmë të tij deri në leximin përfundimtar”.
Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane kanw treguar se shumë ndërmarrje vazhdojnë të ballafaqohen me kërcënim serioz në aspektin e mbijetesës dhe ruajtjes së vendeve të punës.
“Janë bërë gjashtë muaj nga vendosja e masave të para kufizuese me qëllim të parandalimit të përhapjes së pandemisë COVID19 të cilat kanë shkaktuar ndërprerje të paprecedentë të aktiviteteve ekonomike dhe rrjedhimisht vështirësi të mëdha në operimin e ndërmarrjeve të të gjitha industrive në Kosovë. Derisa reagimi institucional në fazën emergjente ishte i mangët dhe i vonuar, shumë ndërmarrje vazhdojnë të ballafaqohen me kërcënim serioz në aspektin e mbijetesës dhe ruajtjes së vendeve të punës”.
Këto dy institucione ekonomike kanë bërë me dije se është koha të shpëtohen ndërmarrjet dhe punonjësit.
“Veprimi i shpejtë i përcjellë me masa që adresojnë në mënyrë proporcionale dëmin e shkaktuar në ekonomi, është thelbësor për shpëtimin e ndërmarrjeve dhe punonjësve të goditur nga pandemia COVID19, si dhe përmbajtja e thellimit të vështirësive ekonomiko-sociale, në një kohë kur vendet e tjera janë shumë para Republikës së Kosovës në aspekt të ndërhyrjes shtetërore me qëllim të drejtimit dhe zbatimit të programeve të rimëkëmbjes ekonomike. Në të kundërtën, situata ekonomike dhe sociale do të vijojë të bëhet edhe me e rëndë”, thuhet në njoftimin për media.
Edhe Oda e Afarizmit të Kosovës ka kërkuar nga deputetët e Parlamentit të Kosovës që ta votojnë Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike dhe të shqyrtojnë kërkesat e bizneseve dhe punëtorëve, me qëllim të ofrimit të përkrahjes për bizneset që kanë pësuar dëme të mëdha si pasojë e pandemisë në mënyrë që të mund të ndalet largimi i punëtorëve nga puna, si pasojë e rënies së qarkullimit apo mbylljes së bizneseve.
OAK thekson se të gjithë punëtorët e sektorit privat që mbesin pa punë, mbesin në mëshirën e rrugëve sepse qeveria nuk e mbështet asnjë punëtorë që ka punuar me vite dhe mbetet i pa punë.
“OAK shprehet tejet e shqetësuar për mos shqyrtimin e kërkesave të biznesit dhe mosvotimin ende të këtij Projektligji dhe kërkojmë përsëri nga deputetët që të veprojnë më shpejtë në kalimin e Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike, i cili është mëse i nevojshëm. Kjo shtyrje do të rrezikojë në humbjet e mëdha financiare dhe humbjet e vendeve të punës”, thuhet në njoftimin për media.
OAK thekson se në rast se nuk merren parasysh kërkesat e parashtruara të bizneseve në këtë Projektligj, atëherë bizneset e Kosovës do të kenë të pamundur të funksionojnë, gjë e cila do të rezultojë me mbylljen e tyre e largimin e së paku 50.000 deri në 100.000 punëtorëve.
“Oda e Afarizmit të Kosovës bën thirrje deputetëve të reagojnë më shpejtë dhe të mos i neglizhojnë kërkesat e qytetarëve të punësuar në sektorin privat sepse kemi mbetur shteti i fundit për krijimin e një alternative për mbrojtjen e ekonomisë pas pandemisë”.
Në mungesë të kuorumit javën e kaluar deputetët e Kuvendit të Kosovës sërish kishin dështuar të miratojnë Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike nga pandemia COVID-19. Në seancë kishin marr pjesë në votim vetëm 41 deputetë, ndërsa votimi për këtë Projektligj është bartur për seancën e radhës.
Ky Projektligj, po ashtu nuk kishte marrë votat në lexim të parë as në muajin gusht, pasi Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës refuzuan ta votojnë, ndonëse ministrja e Financave, Hykmete Bajrami bëri thirrje për votimin e tij.
Projektligji parasheh ndryshimet ligjore që mundësojnë tërheqjen e 10-përqindëshit nga Fondi i Kursimeve Pensinonale (Trusti).
Në anën tjetër, ky Projektligj parasheh zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike.
Sipas këtij programi, pritet të mobilizohen mbi 1 miliard euro për dy vite, duke themeluar Fondin për Rimëkëmbjen Ekonomike pas pandemisë COVID-19.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.