Investimet e huaja duhet të orientohen në sektorin e prodhimit, teknologjisë, komunikacionit, bujqësisë dhe minierave, sektorë që mund të gjenerojnë vende të reja pune, thonë ekspertë për çështje ekonomike.
Autoritetet duhet që të krijojnë kushte që investimet e huaja të fokusohen në këto fusha, thotë Lumir Abdixhiku, drejtor i institutit “Riinvest”. “Këto investime duhet të orientohen drejt sektorëve të cilët mund të gjenerojnë vende të reja të punës. Dhe gjenerimi i vendeve të reja të punës mund të bëhet përmes investimeve në prodhim, pra në prodhimin vendor dhe në përgjegjësi në sektorë që mund të tregtohen. Sektori si telekomunikacioni, teknologjia informative, përpunimi i ushqimit, tekstilit, mund të jenë sektorë me mjaft interes për Kosovën”, thotë Abdixhiku.
Naim Gashi ,profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se kategoria kryesore ku duhet të orientohen investimet e jashtme në Kosovë është sektori i bujqësisë dhe ai i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të cilat mund të hapin vende të reja të punës dhe krijojnë taksa për shtetin.
“Për investime më të mëdha ka nevojë tregu i telekomunikacionit, minierave dhe mineraleve dhe tregu i energjetikës. Kosova ka resurse të pashfrytëzuara jashtë zakonisht të mëdha në sektorin e energjisë dhe në sektorin e minierave dhe këto resurse fatkeqësisht nuk janë aktivizuar”, thotë Gashi.
Ndryshe, sipas autoriteteve kompetente, patundshmëria, ndërtimtaria, energjetika dhe sektori financiar, viteve të fundit kanë qenë më atraktivë për investitorët e huaj.
Sipas të dhënave zyrtare, në gjashtë mujorin e parë të vitit 2013, nga investimet e huaja janë punësuar 834 punëtorë, 221 nga ta janë punësuar në sektorin e ndërtimtarisë, 155 në sektorin financiar, 140 në tregti kurse 138 në aktivitete shërbyese.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.