Një ekspert japonez i viruseve shprehet “pesimist” mbi faktin nëse Lojërat Olimpike, do të zhvillohen, siç është parashikuar, vitin tjetër.
Kentaro Iwata thotë se, edhe nëse Japonia do t’ia dalë ta mbajë nën kontroll epideminë në kohë, nuk ka asnjë garanci që edhe vendet e tjera pjesëmarrëse do të jenë në një pozicion të ngjashëm. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) konfirmoi se Lojërat Olimpike do të shtyhen në vitin 2021, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Kjo është hera e parë në histori që Lojërat Olimpike shtyhen në kohë paqeje. Vetëm në vitet 1916, 1940 dhe 1944, zhvillimi i Lojërave Olimpike është anuluar për shkak të Luftërave Botërore.
“Dua të tregohem i sinqertë, mendoj se Lojërat Olimpike, me shumë gjasa, nuk do të zhvillohen vitin tjetër” tha profesori i sëmundjeve infektive në Universitetin Kobe.
“Japonia mund të jetë në gjendje ta mbajë nën kontroll këtë sëmundje deri në verën e ardhshme, por mendoj se kjo nuk do të ndodhë kudo në botë, kështu që në këtë drejtim jam shumë pesimist për zhvillimin e tyre verën e ardhshme”.
IOC angazhohet për sigurinë
Disa ekspertë e vënë në dyshim mundësinë për të organizuar Lojërat Olimpike si zakonisht, nëse nuk del një vaksinë ndërkohë. Iwata sugjeron që një opsion mund të jetë zhvillimi i tyre me dyer të mbyllura ose ndryshimi i plotë i strukturës së kompeticionit, si për shembull kufizimi i numrit të pjesëmarrësve.
Megjithatë, IOC thotë se nuk planifikon që do ta ndryshojë formatin dhe do të vijojë të monitorojë situatën pavarësisht pesimizmit të ekspertëve mjekësorë.
“Ne do të ndjekim masat e menaxhimit dhe frenimit të rrezikut, të përcaktuara nga OBSH për tubimet masive në kontekstin e epidemisë aktuale COVID-19” lexohet në një deklaratë të CIO dërguar CNN Sport.
“Ne do të vijojmë të ndjekim parimin që ka drejtuar gjithë vendimet tona deri më tani, që është ai i organizimit të Lojërave Olimpike në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit e përfshirë. Ne angazhohemi që të ndjekim këtë parim edhe në të ardhmen”.
Burimi: CNN