Eksportet kanë shënuar një rritje të lehtë në shtator, në krahasim të një njëjtin muaj të një viti më parë, duke shënuar një tendencë pozitive, për herë të parë, që prej fillimit të krizës së Covid-19.
Kthimi i normalitetit në disa sektorë ka nxitur kërkesën për produkte dhe shërbime shqiptare, më e dukshme kjo për sektorin e materialeve të ndërtimit dhe atë të industrisë automotive, ndërsa për tekstilet dhe këpucët kërkesa mbetet e dobët.
INSTAT raportoi se në Shtator 2020 eksportet e mallrave arritën vlerën 25 mld lekë, duke u rritur me 1,2 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe 30,1 %, në krahasim me Gusht 2020.
Gjatë periudhës së karantinës, eksportet kishin rënë përkatësisht me 44% dhe 23% në prill dhe maj.
Si rrjedhojë e performancës negative të mars-gusht, për 9 mujorin, eksportet e mallrave arritën vlerën 195 mld lekë, duke u ulur me 13,6 %, krahasuar me një vit më parë.
Përmirësimi në gusht ka ardhur nga dy grupet, “materiale ndërtimi dhe metale” dhe “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi”.
Eksportet e “materiale ndërtimi dhe metale” u rritën me 22%, duke arritur në 4.2 miliardë lekë, dhe duke kaluan në grupin e dytë më të madh të eksportuar në vend, pas tekstileve e këpucëve. Arif Shkalla, drejtor ekonomik i përpunimit të çelikut, Kurum, që është dhe eksportuesi i dytë më i madh në vend tha se gushti dhe shtatori kanë qenë mjaft pozitive. “Në gusht eksportet ishin 1.4 miliardë lekë dhe në shtator 1.8 miliardë lekë”. Shkalla shton se kanë filluar dhe eksportin direkt në Serbi. Por, ai shton se nuk pret që kjo situatë të vazhdojë gjatë, pasi këto janë efektet e ndalimit të punës në mars e prill. Të gjitha ato ndërtime që u pezulluan gjatë karantinës kanë filluar punë, duke rritur kërkesën për metale. Gjithsesi, për 9 mujorin, eksportet e këtij grupi kanë rënë me 18.3%, për shkak të ecurisë negative të muajve të mëparshëm.
Grupi tjetër “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi”, shënoi një rritje të fortë prej 54% në shtator, në 2.5 miliardë lekë. Për 9 mujorin, ky grup është tkurrur me 4.2%. “Për industrinë automotive kërkesa është kthyer thuajse e njëjtë me para krizës. Problem mbetet zinxhiri i furnizimit, sepse jo të gjithë furnitorët e lëndëve të para nëpër bote e kanë marrë veten 100 % dhe ka vonesa. Për më tepër kërkesa është rritur papritur me hapa të mëdha dhe furnizuesit po e ndjekin këtë ritëm”, thotë Ertjan Çabiri Drejtor Menaxherial i Delmon Group në Shqiperi
Pas përmirësimit në gusht, “tekstilet dhe këpucët”, grupi më i madh eksportues në vend, nuk arriti që të ruajë ritmet rritëse. Në shtator, ato u tkurrën me 3.3%. Për gjithë 9 mujorin, eksportet e tekstile e këpucë ranë me gati 17%, duke shënuar performancën më negative në vlerë nga gjithë grupet e tjera dhe duke ndikuar në gjysmën e rënies për periudhën janar-shtator. Përfaqësuesit e sektorit thotë se e ardhmja mbetet e vështirë, për shkak të pasigurive që ekzistojnë nga një valë tjetër e virusit, që kanë ndikuar në tkurrjen e porosive nga partnerët e huaj, kryesisht atyre italianë.
Negative ishte dhe ecuria e “mineraleve, lëndëve djegëse dhe energji”, që ranë me 27% në shtator. Bankers Petroleum përgjysmoi eksportet drejt Spanjës, që është dhe blerësi kryesor i naftës që nxjerr eksportuesi më i madh në vend. Për 9 mujorin, eksportet e këtij grupi ranë me 22.5%.
Sektori me ecurinë më pozitive dhe që është ndikuar pak nga kriza e Covid-19 është “Ushqime pije dhe duhan”, eksportet e të cilit për 9 mujorin kanë shënuar një rritje prej 8.3% me bazë vjetore.
Sipas INSTAT, për 9 mujorin, Grupet që kanë ndikuar kryesisht në uljen vjetore të eksporteve, janë: “Tekstile dhe këpucë” me -6,7 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -3,7 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -2,8 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të eksporteve ka ndikuar pozitivisht grupi: “Ushqim, pije, duhan” me +0,9 pikë përqindje.
Deficiti tregtar në ulje
Në nëntëmujorin e 2020 eksportet e mallrave arritën vlerën 195 mld lekë, duke u ulur me 13,6 %, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 429 mld lekë, duke u ulur me 10,9 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 234 mld lekë, duke u ulur me 8,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2019.
Ecuria e tregtisë së mallrave sipas vendeve partnere
Në muajin Shtator 2020, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Shtator 2019 janë: Kosova (12,1 %), Greqia (25,9 %), dhe Franca (226,4 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (5,3 %), Spanja (34,9 %), dhe Mali i Zi (1,1 %).
Gjatë periudhës nëntëmujore vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Gjermania (8,9 %), Serbia (7,0 %), dhe Franca (13,0 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (18,4 %), Kosova (20,7 %) dhe Spanja (16,2 %).
Në muajin Shtator 2020, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me Shtator 2019 janë: Italia (2,2 %), Kina (5,1 %) dhe Gjermania (8,1 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Turqia (14,2 %), Greqia (2,9 %) dhe Polonia (1,2 %).
Gjatë periudhës nëntëmujore, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Rusia (26,1 %), Maqedonia e Veriut (2,6 %) dhe Hollanda (7,3 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (14,1 %), Turqia (2,8 %) dhe Greqia (8,3 %).
Shkëmbimet tregtare me vendet e BE zënë 63,3 %, të gjithë tregtisë. Në Shtator 2020, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 75,9 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 57,3 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (32,2 %), Greqia (8,0 %), Turqia (6,9 %) dhe Gjermania (6,4 %).
Shkëmbimet tregtare, për nëntëmujorin e 2020, me vendet e BE zënë 63,0 % të gjithë tregtisë. Në periudhën Janar – Shtator 2020, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 75,3 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 57,4 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (31,2 %), Greqia (7,7 %), Gjermania (7,1 %) dhe Turqia (6,9 %).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.