Eksportet kanë shënuar ecurinë më të mirë në katër vitet e fundit, duke e mbyllur vitin në nivelin e 273 miliardë lekëve, ose rreth 2 miliardë euro, me një rritje me bazë vjetore prej 12.1%.
Rritja është udhëhequr nga dy grupe kryesore, “Tekstile dhe këpucë” dhe “Materiale ndërtimi dhe metale”, që kanë ndikuar së bashku në 78% të rritjes.
Performancën më negative e shënoi grupi “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike”, i vetmi me rënie. Në rritje, ndonëse më të lehtë në vlerë absolute dhe me një peshë të vogël ndaj totalit ishin dhe grupet e tjera “Ushqime, pije, duhan”, dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi”, ndërsa për “Produkte kimike dhe plastike”, “Lëkurë dhe artikuj prej lëkure”, zgjerimi ishte i papërfillshëm.
Por, pavarësisht rritjes, eksportet tona vijojnë të jenë të varura nga krahu i lirë i fuqisë punëtore dhe shitja e burimeve natyrore e materialeve të ndërtimit, që zunë rreth 75% të totalit të eksporteve, duke treguar për një nivel të ulët diversifikimi dhe teknologjie.
Shitjet e “tekstile dhe këpucë” arritën në 117 miliardë lekë, duke mbetur si grupi kryesor që gjeneron hyrjen e valutës në vend. Eksportet e këtij grupi u rritën me 10%.
Destinacioni kryesor mbetet Italia, e cila ka rigjallëruar kërkesën për Shqipërinë, duke shfrytëzuar avantazhin e afërsisë gjeografike dhe kostos së lirë të fuqisë punëtore. Edhe këtë vit, operatorët e këtij sektori, kanë pohuar për Monitor se presin një zgjerim të ngjashëm me 2017-s. Pesha e “tekstile e këpucëve” ndaj totalit është 43%, duke treguar për një varësi të lartë ndaj një grupi, që nga ana tjetër është me regjim përpunuesi dhe sjell vlerë të ulët të shtuar në ekonominë kombëtare.
Grupi i dytë, që ka pasur dhe ecurinë më të mirë në 2017-n ishte ai i “Materiale ndërtimi dhe metale”, që arriti në 34.8 miliardë lekë, me një rritje prej 37%. Rigjallërimi i industrisë së çmientos, rivënia në punë e Kurum, teksa është në fazë ristrukturimi pas shpalljes së falimentit kanë ndikuar në këtë ecuri pozitive. Drejtuesit e kompanive të çimentove kanë pohuar për Monitor se 2017-a ka qenë i mbarë. P.sh., ANTEA Cement është munduar që të mbaje në një nivel të konsiderueshëm edhe eksportet kryesisht drejt Italisë, Malit të Zi dhe Maltës. “Materialet e ndërtimit dhe metalet” kanë kaluar për herë të parë si grupi i dytë më i madh i eksportuar në vend, me 16% të totalit.
“Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” kanë vijuar për të katërtin vit radhazi me performancë negative. Në 2017-n ato arritën në 43 miliardë lekë, me një rënie prej 7% me bazë vjetore, duke u përgjysmuar në krahasim me 2013-n, kur ishte dh evitim ë i mirë. Koniunktura e pafavorshme e çmimeve të naftës dhe fakti që Bankers Petroleum, operatori më i madh në këtë fushë i ka shitur një pjesë të prodhimit kompanisë IRTC, që shfrytëzonte rafinerinë e ARMO-s kanë ndikuar në këtë ecuri. Edhe energjia nuk ka qenë në ditët e saj më të mira për shkak të thatësirës të tejzgjatur. Pesha e këtij grupi zbriti në 15.8%, duke zbritur në vendin e tretë (në 2013-n ishte grupi më i eksportuar në vend.
Grupi i katërt, ai i “ushqime, pije dhe duhan” ka vijuar ecurinë pozitive, duke u rritur me 19% në 30 miliardë lekë.
Aktivitetit pozitiv i është rikthyer edhe grupi “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi”, që u zgjerua me 34% në 15 miliardë lekë. Hyrja në vend e kompanisë gjermane Forscher Albania, e cila eksporton tela dhe kabllo ka ndikuar pozitivisht.
Grupet e tjera kanë një peshë relativisht të ulët në totalin e eksporteve.
Bilanci tregtar përkeqësohet
Pavarësisht rritjes së eksporteve, kjo nuk ka qenë e mjaftueshme për të përmirësuar bilancin tregtar, teksa eksportet janë sa 43% e importeve. Shqipëria vijon të jetë me deficit të thellë, që arriti në një nivel prej 18.5 miliardë lekësh, me një rritje prej 30% në krahasim me vitin e mëparshëm.
Importet u rritën me ritme më të larta sesa eksportet, çka solli përkeqësimin. Shqipëria bleu mallra nga bota me vlerë 626 miliardë lekë, ose 4.7 miliardë euro, me një rritje prej 8% me bazë vjetore. Ndikimin kryesor në këtë rritje e dha grupi “minerale, lëndë djegëse dhe energji”, i ndjekur nga “ushqime, pije e duhan” dhe “produkte kimike e plastike”.
Burimi: INSTAT
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.