Nga 1 janari mënyra e daljes në pension ka ndryshuar kryekëput. Pension social, 65 mijë lekë për ata që nuk plotësojnë kushtet. Fillon rritja graduale e moshës për gratë dhe burrat, për të arritur 67 vjeç në vitin 2057. Hiqet kufizimi i pensionit maksimal dhe kontributet derdhen duke llogaritur vetëm një kategori të pagës minimale. Fermerët humbasin privilegjet. Ja të gjitha risitë e reformës më të madhe të dekadës
Ashtu si edhe me shumë ligje të tjera fiskale, qeveria është e vonuar në miratimin e akteve nënligjore që mundësojnë jetësimin e reformës së re të pensioneve, që hyn në fuqi që nga 1 janari i vitit 2015. Më shumë se sa uljen e deficitit dhe rritjen e përfitimeve për qytetarët, skema e re arnon disa deformime të bëra në sistemin aktual në dy dekadat e fundit. Risitë themelore lidhen me rritjen e moshës së daljes në pension dhe dhënien e një pensioni social rreth 6500 lekë edhe për ata që nuk plotësojnë kushtet për të përfituar pension.
Në ligjin e ri, pensioni bazë do të zëvendësohet me pensionin social. Veç kësaj, do të hiqet kufizimi i pensionit maksimal deri në dyfishin e pensionit minimal. Reforma synon të zhdukë diferencën mes pensioneve rurale e urbane dhe nuk ofron më privilegje të veçanta për fermerët, por i përfshin ata në skemën e vetme të vendit.
Sistemi aktual i pensioneve nuk i ka përmbushur funksionet e tij themelore gjatë tranzicionit dhe tani vuan nga disa probleme të mprehta. Hendeku ndërmjet arkëtimeve nga kontributet dhe shpenzimeve për pensionet arriti në 60% këtë vit, duke e çuar kështu skemën drejt një falimenti të sigurt. Skema aktuale karakterizohet nga elemente të theksuar padrejtësie, pasi disa grupe kontribuuesish përfitojnë pensione shumë të larta dhe kontribuojnë shumë më pak se, të tjerët. Duke funksionuar në këtë mënyrë, shpenzimet vjetore të buxhetit për pensione kapin shifrën e 1 miliard dollarëve këtë vit, ndërkohë që arkëtimet nga kontributet janë pak më shumë se, 400 milionë dollarë. Shpenzimet për pensionet zënë gati 25% të totalit të buxhetit vjetor, duke zënë kështu hapësirat për shpërndarjen e shpenzimeve edhe në sektorë të tjerë. institucionet financiare ndërkombëtare, Fondi Monetar dhe Banka Botërore e kanë kërkuar me ngulm zbatimin e një reforme të re për pensionet. Qeveria dhe Parlamenti e kanë miratuar atë në qershor të këtij viti dhe realizimi i saj shënon implementimin e një prej tre reformave më të rëndësishme të dekadës.
Pension edhe për ata që nuk paguajnë sigurimet
Çdo person që nuk mund të paguajë sigurimet shoqërore për arsye të ndryshme dhe për rrjedhojë nuk plotëson kushtet për të përfituar pension pleqërie, me skemën e re të pensioneve trajtohet me një pension social rreth 6500 lekë në muaj. Kjo vlerë përfitohet në moshën 70 vjeç dhe nëse vërtetohet se, përfituesi nuk ka asnjë të ardhur tjetër. Ky trajtim është konsideruar si i ashtuquajtur minimum jetik dhe në skemën aktuale kjo zgjidhej nga dhënia e ndihmës sociale. Ekspertët nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) pohojnë se, nevoja e vendosjes së pensionit social diktohet nga fakti se, në kushtet e ekonomisë së tregut, evidentohet të ketë kategori të veçanta njerëzish, të cilët, për arsye nga më të ndryshmet, nuk kaenë arritur, që nëpërmjet punësimit apo aktivitetit ekonomik, të plotësojnë periudhën minimale, 15 vite të sigurimit për të përfituar një pension.
Në këto kushte, për këtë kategori qytetarësh parashikohet vendosja e një përfitimi, që emërtohet “Pension Social”. Shuma mujore e pensionit social është parashikuar të jetë, afërsisht, e barabartë me shumën e të ardhurave që ofrohet nga skema aktuale, për një të siguruar që ka minimumin e periudhës së sigurimit prej 15 vjetësh dhe që ka kontribuar mbi një pagë minimale, në shkallë vendi. Pensioni social parashikohet t’u akordohet qytetarëve shqiptarë mbi moshën 70 vjeç, që nuk kanë të ardhura të tjera të përfituara nga pasuritë, trashëgimitë, të ardhura nga investimet etj., pra, kur vërtetohet që nuk kanë mjete të tjera alternative për jetesën. Vendosja e kufirit moshor prej 70 vjetësh është bërë për arsye që qytetarët të inkurajohen të marrin pjesë në skemë, nëpërmjet pagimit të kontributeve. Pensioni social do të jetë i pjesshëm, për atë kategori personash që kanë të ardhura nga burime të tjera, por niveli i tyre mujor është më i ulët se, masa e pensionit social. Kriteret e përfitimit do të caktohen nga Këshilli i Ministrave. Parashikohet që në vitet e para, numri i përfituesve të jetë rreth 5000 persona, me një kosto vjetore prej rreth 400 milionë lekësh në vit, të cilat do të financohen nga të ardhurat e përgjithshme, nëpërmjet buxhetit të shtetit.
Ndërhyrja më e thellë në sistemin aktual është rritja e moshës së daljes në pension, sidomos për gratë. Ligji që hyn në fuqi, pas pak ditësh, parashikon rritje graduale të moshës së daljes në pension për gratë, me dy muaj në vit, për të arritur në 63 vjeç, në vitin 2032.
Që nga viti 2032, mosha e daljes në pension për burrat do të rritet me një muaj në vit dhe për gratë me dy muaj në vit, duke arritur në 67 vjeç, për të dy sekset, në vitin 2056. instituti i Sigurimeve Shoqërore e shpjegon këtë vendim të imponuar edhe nga ndërkombëtarët me rritjen e jetëgjatësisë. Ky fenomen, i evidentuar në shumë shtete të Europës dhe në botë, po haset edhe në Shqipëri. Si rezultat i shumë faktorëve, jetëgjatësia po rritet me një trend mesatar me mbi një muaj në vit. Në këtë rritje, jetëgjatësia te gratë është më e lartë se jetëgjatësia te burrat. Aktualisht, në Shqipëri, koha mesatare e gëzimit të pensionit për të dyja gjinitë është 21.4 vjet, 19.2 vjet për meshkujt dhe 24.2 vjet për femrat. Pra, koha e gëzimit të pensionit për femrat është 5 vjet më e lartë se e burrave, për dy arsye kryesore: jetëgjatësia më e madhe e femrave se meshkujt si dhe dalja në pension pleqërie më herët se ata.
Shumica e vendeve të Europës kanë një trajtim të barabartë për sa i përket moshës së daljes në pension për të dyja gjinitë. Ky ka qenë një rekomandim i përhershëm edhe i Bashkimit Europian në kuadër të kushteve të integrimit. Qeveria pret që rritja graduale e moshës së daljes në pension për gratë do të ndikojë natyrisht në uljen e shpenzimeve për pension dhe të shmangë diskriminimin e deritanishëm me burrat.
Bazuar në regjistrin elektronik të pensioneve, si dhe në parashikimin e numrit të pensioneve të reja, aktualisht, numri i grave që dalin në pension pleqërie është rreth 15 200, me një efekt mesatar vjetor prej 2,6 miliardë lekësh. Për të shmangur efektet sociale është përcaktuar që kjo rritje moshe të bëhet në mënyrë graduale, duke u rritur me vetëm dy muaj në vit dhe efektin e plotë do ta ketë në vitin 2032, ose pas 18 vjetësh. Në vitin 2032 do të dalin në pension, në moshën 63 vjeç, femrat e lindura në vitin 1969.
Mënyrë e re përllogaritje
Duke filluar nga data një janari 2015 e në vazhdim do të bëhet ripërcaktimi i koeficientëve të indeksimit të bazës së vlerësuar, përcaktimi i një page referuese për vjetërsinë e punës në ish-kooperativat bujqësore, eliminimi i dyshemeve administrative, që krijonin shkëputje në llogaritjen e pensioneve fshat-qytet. Duke qenë se në harkun kohor 1994-2014, indeksi i rivlerësimit të pagave për efekt të pagimit të kontributeve ka qenë i lidhur me nivelin e kontributit mesatar, është deformuar e dëmtuar, për shkak të rritjes së tavanit të pagës mbi të cilën paguhen kontributet nga 1/3 në 1/5, duke filluar nga viti 2002, por edhe për shkak të uljes së normës së kontributit ndaj pagës nga 42,5 në 24,5%. Për këto arsye, paga e rivlerësuar minimale mbetet rreth 20% më e ulët se paga minimale aktuale. Për efekt të llogaritjes së pensioneve, me datë fillimi pas 1.1.2015 e në vazhdim, baza e vlerësuar mesatare do të llogaritet bazuar në pagat referuese, sipas llojit të punës, ose funksionit përpara datës 1.1.1994, si dhe mbi pagat individuale mbi të cilat janë paguar kontributet, sipas viteve, nga 01.01.1994 deri në 31.12.2014.
Ndryshojnë kufijtë pagave për llogaritjen e kontributeve
Duke filluar nga viti 2015 e në vazhdim, kontributet do të derdhen duke llogaritur vetëm një kategori të pagës minimale. Aktualisht, paga minimale, për efekt të derdhjes së kontributeve, është e ndryshme nga paga minimale në shkallë vendi, ndërkohë që, për shkak të defekteve të formulës së pensionit, përfitimi është i njëjtë. Kjo do të sjellë automatikisht një rritje të pagës minimale për të vetëpunësuarit, e cila aktualisht është 19,406 lekë, teksa ajo do të barazohet me pagën minimale në shkallë vendi (për të punësuarit dhe punëdhënësit), që është aktualisht 22 mijë lekë. Nga ana tjetër do të rritet edhe paga maksimale, e cila do të llogaritet si pesëfishi i pagës minimale të unifikuar (pra 22 mijë lekë) dhe jo më si pesëfishi i pagës minimale për të vetëpunësuarit (19,406 lekë). Si rrjedhojë, paga maksimale për efekt të llogaritjes së kontributeve nga 1 janari do të jetë 110 mijë lekë, nga 97,030 lekë, që është aktualisht, pra një rritje prej 13.3%.
Aktualisht, kontributi llogaritet dhe paguhet mbi pagën bruto, brenda kufijve të pagës minimale në shkallë vendi dhe pagës maksimale për efekt kontributi për sigurimet shoqërore, miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, e cila është në fuqi deri në datën 31.12.2014. Ligji i ri specifikon se, pas datës 1.1.2015, paga maksimale për efekt kontributi indeksohet në të njëjtën kohë dhe në atë masë që indeksohet paga minimale në shkallë vendi. Kontributi minimal për personin e punësuar, punëdhënësin dhe të vetëpunësuarin është i barabartë dhe llogaritet mbi bazën e pagës minimale në shkallë vendi.
Ekspertët e ISSH-së shpjegojnë se, vendosja e një page minimale, të vetme, për të gjithë kontribuuesit si dhe indeksimi i pagës maksimale, me të njëjtin indeks si paga minimale, do të çojë në shmangien e defekteve aktuale në barazimin e pensioneve minimale dhe do të kryejë uniformizimin e përfitimeve, krahasuar me kontributet e paguara. Skema e re heq kufizimin për pagën maksimale me qëllim përfitimin e një pensioni më të lartë në pleqëri. Kufizimi i pensionit maksimal me dyfishin e pensionit minimal bën që të humbasë sasia e kontributeve të paguara dhe tendenca për ta shndërruar pensionin në të sheshtë. Nuk ka nxitje për të rritur periudhën e sigurimit përtej 35 viteve, pasi dy kufizimet e masës së pensionit zhvlerësojnë llogaritjen e pensionit sipas formulës, dhe ka mungesë stimuli për të deklaruar pagat e vërteta për të punësuarit me pagë të lartë.
Formula e re për përllogaritjen e pensionit
Për rivendosjen e parimit kontributiv dhe forcimin e tij në ligjin e ri parashikohet ripërcaktimi i formulës së përllogaritjes së pensionit, duke zëvendësuar pensionin bazë me pensionin social dhe duke rritur atë pjesë të pensionit që lidhet drejtpërdrejt me madhësinë dhe vitet e kontributeve të paguara.
Nëndrejtori i ISSH, Astrit Hado thotë se, ky ndryshim do të rrisë peshën e pjesës së pensionit që merr për bazë pagën mbi të cilën ka kontribuar gjatë jetës, si dhe gjatësinë e periudhës së sigurimit (vitet e sigurimit). Kështu, për personat që kanë kontribuar më gjatë në skemë ose kanë kontribuar me paga të larta, masa e pjesës së kontributeve të pensionit do të jetë më e madhe, duke krijuar një lidhje më të drejtë midis kontributit të paguar ndër vite dhe pensionit. Ky ndryshim i mënyrës së llogaritjes do të shoqërohet edhe me eliminimin e dy kufizimeve, duke lënë si pension që do të përfitohet vetëm masën e pensionit që del nga llogaritja sipas formulës. Sipas kësaj formule, për personat që kanë kontribuar me paga mbi pagën mesatare, masa e pensionit do të rritet në nivele të pranueshme ndaj pensioneve aktuale dhe bazuar në shumat më të mëdha të derdhura si kontribut.
Pensionistët, që do të dalin në pension nga viti 2015, për një periudhë afatmesme, do të kenë një rritje të moderuar të masës së pensionit, krahasuar me pensionistët aktualë. Ndërsa në periudhën afatgjatë, për personat që kontribuojnë me paga më të larta, pensionet do të jenë më të qenësishme dhe të mbështetur mbi pagat e tyre reale, të deklaruara në listëpagesa dhe të indeksuara sipas rregullave të qarta dhe të qëndrueshme, të cilat do të japin një bazë të vlerësuar më të lartë dhe, për rrjedhojë, një masë më të madhe për pjesën e kontributeve të pensionit. Ndryshimi i formulës së llogaritjes së pensionit është P= PS + Sh, ku “P” është masa e pensionit mujor, “PS” është pensioni social, masa e të cilit është jo më e lartë se masa e pensionit të pjesshëm, që arrihet nga skema e kontributeve, ndërsa “Sh” është shtesa, vlera e së cilës është 1% e vlerës së bazës së vlerësueshme për çdo vit, e cila përfaqëson raportin e kontributeve.
Sipas skemës së re, pensioni i llogaritur nuk mund të jetë më i madh se 75% e pagës mesatare neto në tre vite të njëpasnjëshme në dhjetë vitet e fundit të punës dhe nuk mund të jetë më i madh se dyfishi i pensionit bazë. Praktikisht, këto dy kufizime kanë bërë që kthimi i kontributeve të paguara gjatë gjithë karrierës në formën e pensionit, për të siguruarit me paga mbi pagën mesatare, është në nivele shumë të ulëta (rreth 55%) ndërsa për të siguruarit me paga minimale, kthimi i kontributeve është rreth 150%, që do të thotë që marrin 50% më shumë se sa kanë kontribuar, shpjegon Hado.
Fermerët, dyfishohet masa e kontributit
Ligji i i ri detyron të vetëpunësurit në bujqësi të paguajnë kontribute dy herë më të larta se aktualisht. Duke filluar nga viti i ardhshëm, çdo individ, pavarësisht nga historiku i vjetërsisë në punë, në marrëdhënie me shtetin, me ish-kooperativat apo me kontribute të derdhura nga viti 1994 dhe në vazhdim, do të ketë të drejtë të marrë një pension që varet nga shuma e pensionit social, shuma e kontributeve të paguara dhe gjatësia e periudhës së sigurimit. Një masë e tillë eliminon dy formulat, heq barrierën administrative të ndarjes së pensioneve fshat-qytet, në varësi të gjysmës së periudhës së sigurimit, sjell detyrimin dhe të drejtën për të paguar kontribute edhe për një pension më të lartë.
Sistemi i sigurimeve shoqërore, i vendosur në vitin 1993, trashëgoi nga e kaluara dy skema të veçanta pensionesh, njëra për individët e punësuar në ndërmarrjet shtetërore dhe tjetra për punonjësit e ish-kooperativave bujqësore. Kushti kualifikues për pensionin e pleqërisë ishte 20 vjet anëtarësi në kooperativë. Aktualisht, ISSH zbaton nenin 96 të ligjit nr. 7703 dhe jep pensione të reja fshati, në rastet kur periudha e sigurimit është e lidhur vetëm me punën në ish-kooperativat bujqësore, dhe pensione të përbëra nga dy pjesë, kur periudhës së sigurimit në kooperativat bujqësore i janë shtuar edhe kontribute të derdhura si person i vetëpunësuar në bujqësi.
Politikat e ndjekura deri tani i kanë mbajtur kontributet shumë të ulëta, ndërkohë që masa e pensionit është rritur shumë më tepër sesa masa e pensionit të qytetit. Mesatarisht, shuma e kontributeve të fermerëve është afërsisht sa 53% e kontributeve që derdhin të vetëpunësuarit në zonat urbane. Aktualisht, kontributet e drejtpërdrejta, që paguhen nga të vetëpunësuarit në bujqësi, mbulojnë vetëm 18.7% të shpenzimeve për pensionet rurale. Veç kësaj, pavarësisht subvencioneve të kontributeve nga buxheti i shtetit, këto subvencione, bashkë me kontributet e drejtpërdrejta arrijnë të mbulojnë vetëm rreth 66% të shpenzimeve
Në ligjin aktual është përcaktuar se një fermer merr pension qyteti kur, veç punës në ish-kooperativat bujqësore, ka më shumë se 17,5 vite të siguruara si i vetëpunësuar në bujqësi. Kjo ka sjellë që shumë fermerë, pasi plotësojnë këto kushte, nuk kontribuojnë më në skemë. Pavarësisht këtyre kushteve shumë favorizuese për banorët e zonave rurale, pjesëmarrja e tyre në skemën e pensioneve mbetet shumë e kufizuar.
Pensionet suplementare reduktohen
Ligji i ri për sigurimet shoqërore e detyron qeverinë që me akte të posaçme nënligjore të ulë përfitimet për disa kategori që përfitojnë pensione suplementare. Nga ky rishikim që duhet të bëhet më 2015 rrezikon të pësojnë ulje të masës së përfitimit rreth 31 mijë persona, me funksione politike, si ish-deputetë dhe zyrtarët e lartë, ish-ministrat dhe ushtarakët. Ligji i ri e detyron qeverinë që të aplikojë të paktën pesë vite rritje të moshës së daljes në pension për kategoritë në fjalë. Gjithashtu do të ndryshojë edhe formula që përllogarit përfitimin e pensioneve suplementare. Të gjitha këto masa synojnë uljen e masës së përfitimit që aktualisht është në përpjesëtim të zhdrejtë me kontributet që paguan kjo kategori. Trajtimi në këtë mënyrë ka ndikuar në thellimin e deficitit të skemës aktuale.
Ndalon rritja, tani vetëm indeksim
Duke nisur që nga viti që vjen, qeveria është e detyruar të ndjekë një politikë të moderuar të rritjes së pensioneve. Ligji i ri ndalon rritjen vjetore të pensioneve më shumë se sa ritmet e rritjes së inflacionit. Kështu, nga më shumë se 5% që ishin rritur pensionet deri vitin e kaluar, tani kjo rritje nuk do të jetë më shumë se 2%, sa është mesatarisht inflacioni. Treguesi i shpenzimeve të skemës së sigurimeve shoqërore ka shënuar të njëjtin trend sikurse numri i pensioneve, pra me rritje graduale e normale në vite. Shpenzimet, në vitin 2006, ishin 50.2 miliardë lekë, me një rritje 4,7 herë ndaj vitit 1994. Rritje e shpejtë e shpenzimeve evidentohet gjatë periudhës 2006-2011, kryesisht si pasojë e rritjes së masës së pensioneve, pasi numri i përfituesve ka pësuar rritje mjaft normale. Krahasuar me vitin 2005, në vitin 2013, shpenzimet për përfitime janë rritur me mbi 95%, dhe, në këtë kontekst, rritjen më të ndjeshme e kanë përfitimet nga pensionet e fshatit, me rreth 134%, ndërkohë që numri i përfituesve është ulur. Siç shihet, gjatë dhjetë viteve të fundit, masa e pensionit është rritur shumë më tepër se norma e inflacionit dhe, në zonat rurale, është rritur me ritme më të larta se në zonat urbane. Kjo rritje e shpenzimeve u shoqërua me një ulje të normës së kontributit, çka, rrjedhimisht, e thelloi edhe më shumë deficitin e skemës. Nga viti 2005 deri në vitin 2013, deficiti është rritur në mënyrë dramatike, me 160%.
Risqet e reformës së re
Reforma e pensioneve rrezikon të mospërmbushë misionin e saj pikërisht nga politikat e reja që do të ndiçen. Masa të tilla si pensioni social, heqja e kufizimit për pagën maksimale si dhe dyfishimi i masës së kontributeve për të vetëpunësurit në bujqësi nxisin informalitetin. ideja se, pavarësisht se, paguan ose jo kontribute, siguron një pension social, mund të nxisë shtresa të caktuara të popullsisë të mos i paguajnë kontributet. Gjithashtu si pasojë e njehsimit të kontributeve të skemës rurale me normën më të lartë të kontributeve të skemës urbane, ekziston mundësia që një pjesë e kontribuuesve në skemën rurale mund të mos kontribuojnë më fare. Ekspertët e ISSH kanë parashikuar se, ndërkohë që vendi vazhdon të urbanizohet, numri i kontribuuesve ruralë do të vazhdojë të ulet dhe moskontribuimi do të ketë më pak ndikim mbi balancën financiare të skemës së propozuar në këtë projektligj.
Si do të ulet deficiti
Skema e re e pensioneve synon përmirësimin e treguesve financiarë krahasuar me projeksionet e skemës aktuale. Kjo sipas ekspertëve të ISSH do të arrihet nga forcimi i lidhjes mes kontributeve dhe përfitimeve që mund ta bëjë skemën e re më tërheqëse për qytetarët, duke i nxitur ata që të bëhen pjesë e skemës dhe të kontribuojnë në bazë të pagës reale. individët që do të zgjedhin të mos kontribuojnë do të kenë më shumë të ardhura gjatë viteve të punës, dhe kur të plaken, do të përfitojnë pensionin social. Kësisoj, nëse me skemën aktuale, hendeku mes të ardhurave dhe shpenzimeve zgjerohet, duke e bërë skemën financiarisht të paqëndrueshme dhe afatshkurtër, në skemën e re rriten me të njëjtin ritëm, duke sjellë një reduktim gradual të deficitit të skemës. Madje, për periudhën 2043-2057, skema kalon në suficit. Pas këtij viti, deficiti nis e thellohet sërish, por mbetet, gjithsesi, në nivele të pranueshme, afërsisht 0.5% të PBB. Krahasuar me skemën aktuale, skema e propozuar në këtë projektligj karakterizohet nga një rritje më e shpejtë e numrit të kontribuuesve, nga rritja e pagës minimale kontributive, që në vitin e parë të reformës, si dhe nga rritja graduale e moshës së daljes në pension, e cila ul numrin e pensionistëve të rinj. Të gjitha këto sjellin një reduktim të menjëhershëm të deficitit të skemës. Deficiti është matur si diferencë mes të ardhurave nga kontributet dhe shpenzimeve totale dhe nuk përfshin koston e pensionit social. Kështu, me skemën aktuale, deficiti mbetet mbi 2% e PBB-së deri në vitin 2035, duke arritur pikën kulmore në vitin 2027, me 2.3% të PBB-së. Pas vitit 2027, deficiti nis e ulet gradualisht, duke arritur në 1.5% të PBB-së në vitin 2041, në 1% të PBB-së në vitin 2046 dhe mbetet nën 0.5% të PBB-së nga viti 2062 deri në vitin 2080. Përkundrazi, skema e propozuar në këtë projektligj sjell reduktim shumë më të shpejtë të deficitit. Nga 1.6% i PBB-së në vitin 2015, deficiti zbret në 1% në vitin 2018. Reduktimi i deficitit vazhdon edhe për vitet në vijim, duke arritur në 0.4% të PBB-së në vitin 2030, dhe në 0% të PBB-së në vitin 2043. Pas këtij viti, skema kalon në suficit deri në vitin 2057. Nga ky vit e në vazhdim, për shkak të përfundimit të reformës për rritjen e moshës së pensionit, fillimit të uljes së numrit të kontribuuesve dhe masave të larta të pensionistëve të rinj që kanë hyrë në skemë, duke kontribuar me paga më të larta, deficiti nis e rritet sërish, duke mbetur në nivele normale nga viti 2059 deri në vitin 2080. Për më tepër, shpenzimet shtesë të qeverisë për të mbuluar kontributet e skemës rurale dhe për kompensimet do të ulen në mënyrë graduale, duke qenë se kompensimet do të përfshihen në pensionin social, ndërkohë që edhe shpenzimet për pensionet suplementare do të reduktohen. Këto masa do të sjellin reduktim të mëtejshëm të kostove të qeverisë.
Me skemën e propozuar në këtë projektligj përmirësohen edhe disa tregues të tjerë të skemës së pensioneve. Kështu, reforma sjell ulje të pjesës së popullsisë mbi moshën e pensionit ndaj totalit të popullsisë, e cila vjen si rezultat i rritjes së moshës së daljes në pension. Në qoftë se me skemën aktuale, ky tregues arrin në 35% në vitin 2080, me skemën e re në vitin 2080 ai arrin në 29%. Ulja e numrit të pensionistëve shoqërohet me rritjen e pjesës që zë popullsia nga mosha 15 vjeç deri në moshën e pensionit ndaj totalit të popullsisë, e cila nga 50.7%, në skemën aktuale, në vitin 2080, do të shkojë në 56%. Veç kësaj, reforma sjell një ulje të koeficientit të varësisë së të moshuarve, i cili, në projeksionet e skemës aktuale, do të merrte vlerën 69%, në vitin 2080, ndërsa me në ligjin e ri, në vitin e fundit të parashikimit, merr vlerën 52.3%. Norma e varësisë për të gjithë pensionistët e pleqërisë nga 62 pensionistë për 100 kontribuues, në vitin e parë të reformës, arrin vlerën rreth 66.8 pensionistë për 100 kontribuues, në vitin 2034. Kjo vjen si rezultat i rritjes me një ritëm pak më të shpejtë të numrit të pensionistëve se sa kontribuuesve, por nëse në projeksionet e skemës aktuale, ky raport ndryshonte me 18%, gjatë periudhës së parë të parashikimit, në propozimin e këtij projektligji, rritja do të jetë 5.6%. Më pas ka tendencë në ulje, duke arritur në 55.7 pensionistë për 100 kontribuues, në vitin e fundit të parashikimit, meqenëse, gjatë kësaj periudhe, numri i kontribuuesve rritet me ritme më të shpejta se numri i përfituesve. Në projeksionet e skemës aktuale, norma e varësisë është 118 pensionistë për 100 kontribuues në vitin 2080
Reforma e re, sistemi trekolonësh i paplotë
Reforma e re e pensioneve nuk vë në funksion të plotë sistemin trekolonësh, sidomos kolonën e dytë, që ka të bëjë me investimet e kontributeve që disponon shteti në skemat private. Edhe me skemën e re, fondet private do të funksionojnë në vullnetin e lirë të njerëzve. Megjithatë, qeveria ka marrë disa angazhime që të mbështesë në mënyrë indirekte kolonën e dytë, nëpërmjet lehtësimit nga taksat dhe të tjera facilitite, në këmbim të sigurimit të profesioneve të vështira. Reforma e pensioneve në vend është karakterizuar nga dy ndërhyrje të rëndësishme: E para, reforma strukturore e vitit 1993 dhe e dyta reforma e vitit 2002. Reforma e vitit 1993 është konsideruar “strukturore”, pasi ajo riorganizoi tërësisht sistemin e sigurimeve shoqërore në vend, duke e përshtatur në kuadrin e ekonomisë së tregut. Reforma e dytë në sistemin e pensioneve, e vitit 2002, ishte e tipit parametrik. Ajo u mbështet fort nga Banka Botërore si një mënyrë për të rritur qëndrueshmërinë e sistemit. Skema private vullnetare e pensioneve, edhe pse “de jure” është prezantuar në vitin 1995, filloi të funksionojë vetëm pas 10 vitesh. Në vitin 2005 u licencuan shoqëritë e para që do të menaxhonin fondet e pensionit vullnetar. Skema vullnetare private e pensioneve (kolona e tretë) funksionon si një skemë suplementare e skemës publike. Ajo është tërësisht vullnetare dhe u drejtohet të gjithë qytetarëve të cilët dëshirojnë të kenë të ardhura shtesë gjatë periudhës së pensionit.
Katër dështimet e mëdha të skemës aktuale
Së pari, raporti kontribuues-përfitues ka njohur përkeqësim dramatik në dy dekadat e fundit. Ky raport, nga 4 kontribuues për 1 përfitues, që ishte para vitit 1990, zbriti në kufirin kritik 0,8 kontribuues për 1 përfitues në vitin 1997 dhe, aktualisht, është rreth 1.1 kontribuues për 1 përfitues. Në këto kushte, sistemi aktual i pensioneve ka krijuar një deficit mjaft të lartë, që ka arritur në rreth 1.7% të PBB-së dhe karakterizohet nga prirje të qarta përkeqësimi. Vëllimi i të ardhurave për sistemin e sigurimeve shoqërore ka arritur në rreth 3,8% të PBB-së dhe vlerësohet si një tregues i ulët krahasuar me normën e kontributeve, ndërkohë që shpenzimet për degën e pensioneve kanë arritur në rreth 5,5% të PBB-së.
Nëndrejtori i ISSH-së, Astri Hado, tha se, në këtë përkeqësim ndikon një numër i lartë faktorësh, që lidhen me elementet që dekurajojnë pjesëmarrjen në skemën e sigurimeve shoqërore dhe ç’është më e rëndësishmja, pjesëmarrja ende e ulët në skemë e të punësuarve, të vetëpunësuarve në sektorin privat dhe sidomos e të vetëpunësuarve në bujqësi. Ndikim për përkeqësimin kanë dhënë lëvizjet demografike, nën ndikimin edhe të emigracionit të moshave të reja, dhe tendencat e plakjes së popullsisë. Sistemi i pensioneve në Shqipëri i ka përmbushur funksionet e tij themelore gjatë tranzicionit dhe tani vuan nga disa probleme të mprehta. Së pari, skema jep përfitime të ulëta për disa kategori.
Së dyti, skema karakterizohet nga elemente të theksuar padrejtësie, sepse disa grupe kontribuuesish përfitojnë pensione shumë të larta dhe kontribuojnë shumë më pak se të tjerët.
Së treti, skema e pensioneve vuan nga një deficit i lartë që e bën atë financiarisht të papërballueshme.
Së katërti, ndonëse të gjithë të moshuarit janë të mbuluar nga skema falë punësimit të plotë gjatë komunizmit, një pjesë e madhe e popullsisë në moshë pune sot është e pasiguruar, për shkak të papunësisë së lartë, por edhe informalitetit. Kjo gjë e ka përkeqësuar ndjeshëm raportin mes kontribuuesve dhe përfituesve dhe lë të kuptohet se në të ardhmen shumë të moshuar nuk do marrin fare pension pleqërie. Në këtë mënyrë, sistemi aktual i pensioneve nuk është më në gjendje të baraspeshojë mjaftueshmërinë e përfitimeve me përballueshmërinë e shpenzimeve.
Rajoni drejt rritjes së moshës së pensionimit
Më herët vendet e rajonit, para vitit 2000 kishin tentuar të aktivizonin kollonën e dytë të pensioneve, por shumica prej tyre kanë dështuar. Ashtu si edhe Shqipëria vendet e Ballkanit, pasi dolën nga regjimet totalitare pësuan lëvizje të mëdha demografike të popullsisë, të cilat kanë bërë të domosdoshme rishikimin e skemave të pensioneve. Në të gjitha këto vende, ka dalë në plan të rritja e moshës së daljes në pension. Mali i Zi, Polonia, Greqia, italia dhe Spanja kanë rritur kohët e fundit moshat e daljes në pension në 67 vjeç. Së dyti të gjitha vendet po synojnë drejt një pensioni social për shkak se, një pjesë e konsiderueshme popullsisë në moshë pune nuk i kanë paguar kontributet. Formalizmi i krahut të punë në të gjithë Rajonin nuk po ndodh aq shpejt sa do duhej për të parandaluar rënien në varfëri të një pjese të të moshuarve në të ardhmen.
Trendi i plakjes që Europën e kishte prekur shumë kohë më parë, tashmë është evident edhe në Rajon. Në vitin 2010, 15% e popullsisë ishte mbi moshën 65 vjeç. Deri në vitin 2050, 27% e popullsisë, pothuajse dyfishi, pritet të jetë mbi moshën 65 vjecc. Shqipëria, aktualisht ka vetëm 12% të popullsisë mbi moshën 65 vjeçare. Por numri i të moshuarve në Shqipëri pritet të rritet më shumë se, dyfish, deri në 25%, në vitin 2050. Të dhënat tregojnë se, plakja në Shqipëri do të ndodhë edhe më shpejt se në disa nga vendet më të vjetra dhe Shqipëria parashikohet të ketë popullsi më të madhe me moshën mbi 65 vjeç se, sa vende të tilla si: Franca, Suedia, Serbia dhe Mali i Zi.
Përgatiti: Blerina Hoxha
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Ko kJemi nje pakice kercimtar te operes dhe asamblit shteteror te cilet hynim ne kohen qe kemi dal ne pension ishim kategoria e pare megjith se ne sipas ligjit ne ate koh ne mbushnim moshenme vonse vjet ersia e punes na dergonin ne qendra pune per tengritur grupet e vatrave te kultures ose ne qendra pune me te gjith kontributet e sigurimeve deri sa mbushnim moshen por nuk kemi asnje favor por marim pension me pak se pastruset e rugeve qe ne ate koh pagat tona ishin nga 6500 te vjetra deri ne 7500 dhe sot 168000te vjetra ju faleminderit… Read more »