Monedha e përbashkët është zhvlerësuar ndjeshëm në tregun e brendshëm gjatë ditëve të fundit, duke arritur sot në nivelin më të ulët të gati një viti.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 139.11 lekë, duke shënuar ulja për të shtatën ditë radhazi dhe duke arritur nivelin më të ulët që nga fundi I gushtit 2014, sipas statistikave të BSH-së.
Dobësia e euros në tregjet ndërkombëtare është një nga arsyet që ka nxitur rënien e euros në tregun vendas. Një euro u këmbye me 1.12 dollarë gjatë ditës së sotme, nga 1.145 që tregtohej të premten e javës së kaluar, duke arritur nivelin më të ulët në një muaj. Megjithatë, euro e rimori lehtë veten të mërkurën në tregjet ndërkombëtare pas rënies së ditës së martë e të mërkurë.
Në të kundërt, dollari është forcuar në tregun vendas, në linjë me zhvillimet ndërkombëtare, duke u këmbyer sot me 124.88 lekë, 0.42 lekë më shumë se një ditë më parë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.