Flet Nikolin Jaka, kryetari i DHTIT
Ndryshimet fiskale që nisin zbatimin nga 1 janari 2022, subvencionet e ulëta për fermerët dhe rritja e çmimeve të inputeve bujqësore po penalizojnë prodhuesin vendas të qumështit, sipas kryetarit të DHTIT, Nikolin Jaka në intervistën për “Monitor”. Jaka pohon se para një situate të tillë, kur përpunuesve të qumështit u janë rritur kostot dhe tkurrur fitimet nga heqja e skemës së TVSh-së të kreditueshme, industria nuk ka zgjidhje tjetër, vetëm se do të rrisë çmimet e produkteve të bulmetit.
Çfarë po ndodh me sektorin e përpunimit të qumështit, a ka rënë prodhimi i qumështit nga fermerët?
Industria e përpunimit të qumështit në Shqipëri, prej disa vitesh po përballet me vështirësi shumë të mëdha në treg, duke bërë që një pjesë e kompanive të përpunimit të qumështit të falimentojnë apo të jenë në vështirësi financiare, për shkak të problemeve të ndryshme, mungesës së skemave mbështetëse për blegtorinë, skemës disfavorizuese të TVSH-së, favorizimit të importeve, barrierave të shtuara për eksport, cilësisë së dobët të qumështit në ferma dhe tregut informal.
Prej kohësh dhe në mënyrë sistematike, kjo industri ka ngritur zërin lidhur me kapacitetet reale të fermave blegtorale, të cilat nuk janë në gjendje të plotësojnë nevojat e fabrikave të përpunimit të qumështit, si nga ana sasiore, cilësore, duke përfshirë edhe sigurinë ushqimore.
Sipas INSTAT, në vitin 2020, prodhimi i qumështit te fermat ishte 1,05 milionë tonë, me një rënie prej 5,4% krahasuar me vitin 2019. Sasia e qumështit të grumbulluar për përpunim në vitin 2020 raportohet të jetë rreth 119 mijë tonë, ose 11% e sasisë së qumështit të prodhuar në ferma, duke shënuar rënie me 14,8% krahasuar me vitin 2019.
Industria e përpunimit të qumështit furnizohet me qumësht lope në një sasi rreth 897 mijë tonë, ose 85% e qumështit të prodhuar në ferma. Pjesa tjetër e furnizimit është e ndarë pothuajse në mënyrë të barabartë midis qumështit të deleve dhe qumështit të dhive (rreth 76 mijë tonë). Vetëm 22% e qumështit për konsum shitet në treg formal, 33% e baxhove rezultojnë të formalizuara, 15% e fermave kanë NIPT.
Numri i gjedhëve në vitin 2020 shënoi rënie me 12,76%, në krahasim me vitin 2019.
Fragmentimi dhe struktura e fermave në Shqipëri ndikon dukshëm në sektorin e qumështit, ku rendimenti mesatar vjetor i qumështit të lopës, është rreth 2,9 tonë qumësht për lopë në vit, një vlerë mjaft e ulët krahasuar me vendet e BE-së.
Si pasojë e rritjes së çmimeve të inputeve bujqësore dhe ushqimeve për kafshë, fermat blegtorale po shkojnë drejt mbylljes. Kjo ka bërë që fabrikat e përpunimit të qumështit të detyrohen dhe të rrisin nevojat për import për qumësht.
Sipas statistikave për vitin 2020, janë importuar 10,500 tonë qumësht. Importojmë nga 16 vende europiane dhe nga rajoni, ku më kryesoret janë Italia, Bosnjë-Hercegovina, Serbia deri edhe nga Kosova. Ndërsa për vitin 2021, kjo shifër ka ardhur duke u rritur rreth 15,000 tonë.
–Mbështetja me subvencione e blegtorisë, nëpërmjet skemës kombëtare është shumë e ulët dhe nuk përafrohet me masat mbështetëse që ofron rajoni. Kostot për fermerin po bëhen të papërballueshme, duke çuar fermerin drejt shitjes së krerëve dhe drejt mbylljes së aktivitetit.
Cilësia e qumështit të prodhuar po kalon gjithnjë e më shumë në fokus dytësor, sepse primare është arritja e mbulimit të kostove dhe garantimi i mbijetesës së fermerit.
Gjithnjë e më shumë po distancohemi nga pikëpamja e zhvillimit dhe konkurrueshmerisë me fermat e rajonit, sepse fermeri nuk do të ketë mundësitë për rritje të sasisë së krerëve, apo kryerjen e investimeve për rritjen e cilësisë së qumështit të ofruar. Ka filluar braktisja nga fermeri e këtij aktiviteti, duke ulur numrin e krerëve, pasi është e pamundur mbijetesa në këto kushte të krijuara.
Pse nuk po arrin prodhimi vendas të plotësojë kërkesat e kompanive përpunuese të qumështit?
Cilësia e qumështit të papërpunuar vijon të jetë një nga problematikat kryesore që kompanitë e përpunimit hasin çdo ditë në përzgjedhjen e fermerëve dhe grumbullimin e qumështit në Shqipëri.
Për shkak të kësaj situate, një pjesë e kompanive përpunuese vlerësojnë mundësinë e importit të qumështit të papërpunuar nga vendet e rajonit, pavarësisht kostove të larta të transportit. Kjo për arsye se pse qumështi i fermerëve në Shqipëri në një shkallë të lartë nuk i plotëson kriteret dhe standardet e lejuara për grumbullimin dhe përpunimin e qumështit.
Më pak se 11% e qumështit potencialisht të prodhuar në vend rezulton të kalojë nëpërmjet një procesi kontrolli, përpunimi dhe paketimi të standardizuar në sektorin e përpunimit të qumështit. Nga kjo diferencë, shikojmë se sa e madhe është shifra reale e informalitetit në sektorin e qumështit.
Këtu lindin shumë dilema nëse konsumatori ushqehet me qumësht dhe nënprodukte të tij të kontrolluara dhe të përpunuara sipas standardeve të lejuara të ushqimit, në një kohë kur afërsisht 150 baxho rezultojnë të regjistruara në QKB, nga rreth 450 të tilla që operojnë përgjithësisht në Shqipëri. Pjesa tjetër, rreth 67% funksionojnë plotësisht në treg informal. Grumbullimi dhe transporti i qumështit është një nga pikat më të dobëta që ndikon në cilësinë e qumështit.
Fermat më të vogla shesin më pak se gjysmën e qumështit tek industria përpunuese, ndërsa fermat me më shumë se 3 lopë shesin 95% të qumështit tek përpunuesit.
Në fermat e vogla dhe të mesme të qumështit, lopët zakonisht milen me dorë, gjë që ndikon negativisht në higjienën dhe sigurinë ushqimore. Vetëm fermat me më shumë se 50 lopë zakonisht kanë tankera për ruajtjen e qumështit me sisteme ftohjeje dhe salla mjeljeje (nuk është gjetur një statistikë e saktë, por ferma të tilla janë shumë të pakta në numër).
Fermat që prodhojnë qumësht me cilësi dhe parametra të pranuara nga Bashkimi Europian aplikojnë çmime nga 55-70 lek/litër, për shkak të ofertës së kufizuar, duke e bërë prodhimin vendas shumë të shtrenjtë në kosto dhe aspak konkurrues me produkte të ngjashme në rajon.
Aktualisht, çmimi mesatar i qumështit të papërpunuar në ferma, në vendet e BE-së, rezulton të jetë rreth 35 euro/cent për litër (35 euro/100 litër). Nga ana tjetër, në vendet e rajonit, çmimi i qumështit të papërpunuar në ferma rezulton të jetë rreth 35-40 euro cent/litër, me parametrat e kërkuara sipas standardeve të BE-së.
Kompanitë shqiptare që përpunojnë dhe paketojnë qumësht, pavarësisht standardeve të zbatuara në stabiliment, nuk lejohen të eksportojnë qumësht në vendet e BE-së, apo edhe në vendet e rajonit (përveçse në Kosovë), për shkak të mungesës së evidencave në nivel institucional lidhur me masat e marra në shkallë vendi për zbatimin e:
i) programit kombëtar për mbrojtjen ndaj Brucelozës dhe Tuberkulozit te kafshët e imta;
(ii) sistemit për menaxhimin e kontrollit dhe cilësisë së qumështit të papërpunuar në ferma, për sa u përket parametrave të qelizave somatike dhe nivelit mikrobiologjik të qumështit, nëpërmjet analizave të kryera në laboratorë të certifikuara, me metoda të akredituara dhe
(iii) planeve kombëtare për kontrollin e mbetjeve dhe kontaminimeve të lëndës së parë dhe produkteve ushqimore me origjinë shtazore në përputhje me direktivat e BE-së.
Po heqja e skemës të TVSH-së të kreditueshme, si po ndikon?
Tatimi mbi Vlerën e Shtuar/TVSH për vitin 2022, norma e kompensimit të prodhuesve bujqësorë bëhet 0% nga 6% që ishte dhe deklarohet se zëvendësohet me skema subvencionimi.
Një masë e tillë është me ndikim negativ edhe në përpunuesit e qumështit, pasi që prej fillimit të këtij viti, po bie interesi i fermerëve, efektet negative që po krijohen në rritjen e kostove të prodhimit të qumështit, të lëndëve të para dhe duke ndikuar në rritjen e produkteve të importuara, që konkurrojnë produktin vendas. Në kahun tjetër shumë fabrika të përpunimit të qumështit po vihen në vështirësi, pasi ky ndryshim drastik i TVSH-së ka shtuar edhe informalitetin.
Po të marrim në konsideratë gjithashtu shtimin TVSH-së me 10% të inputeve, farave dhe plehrave, bën që të rriten kostot e prodhimit të qumështit, duke e bërë aspak konkurrues me vendet e rajonit.
Norma prej 20% e TVSH është shumë e lartë për industrinë e grumbullimit dhe përpunimit të qumështit dhe aspak favorizuese, kundrejt eksperiencave të vendeve të tjera në rajon dhe Europë, të cilët aplikojnë TVSH nga 5-7% për produktet bazë ushqimore, përfshirë sektorin e qumështit.
Marzhet e fitimit për kompanitë përpunuese në këtë sektor kanë rënë dukshëm, si pasojë e problematikës së krijuar rishtazi me skemën e rishikuar të TVSH, por edhe të presionit të vazhdueshëm nga tregu informal dhe konkurrenca e shtuar nga produktet e importit.
Në mbështetje të problematikave të parashtruara më sipër, me qëllim uljen e informalitetit, rritjen e sigurisë ushqimore, si dhe krijimin e kushteve më të mira të konkurrueshmërisë të prodhimit vendas në sektorin e përpunimit të qumështit, përfaqësuesit e kësaj industrie, në mënyrë sistematike, i kanë kërkuar qeverisë:
uljen e normës së TVSH-së për qumështin dhe nënproduktet e tij jo më shumë se 5-7%; fillimin e procedurave nga qeveria shqiptare për vendosjen e masave mbrojtëse ndaj industrisë së përpunimit të qumështit, duke rritur tarifat doganore;
të gjitha kompanitë që operojnë në industrinë e përpunimit të qumështit, me një kapital poshtë 1 mld lekë, duhet të përfshihen në skemën e financimit nga IPARD-I; të përcaktohet numri i krerëve gjedhë dhe të imta për të klasifikuar kartën e fermerit etj.;
Mendoni se ka hapësirë për rritje të çmimeve të qumështit dhe produkteve të bulmetit?
Para një situate të tillë, industria e përpunimit të qumështit nuk ka zgjidhje tjetër, vetëm do të rrisë çmimet e produkteve të bulmetit. Kjo vjen nga shtimi i kostos, si pasojë e çmimit për lëndën e parë që është rritur mjaft, duke rritur koston e qumështit të prodhuar nga fermerët, heqjes së skemës të TVSH-së të kreditueshme 6% që nisi zbatimin nga 1 janari 2022, rritjes së çmimeve të imputeve bujqësore, plastikës, nga ndryshimet e çmimit të energjisë nga 9 lekë/kW në 33 lekë/kW e furnizuar në tregun e lirë dhe shtrenjtimit të çmimit të karburantit nga 1 janari 2022.
Çmimi i qumështit nga fermerët për këtë vit është rritur rreth 10% më shumë se vjet. Pavarësisht rritjes së tij, industria e përpunimit të qumështit mbetet në presion të përditshëm nga fermerët për rritje të çmimit të qumështit, pasi edhe ata kanë rritje të kostove nga lëndët e para.
Aktualisht po furnizohemi nga fermerët me qumësht 50 cent për litër, kur në Itali, çmimi i qumështit nga fermat shitet me çmim 30 deri 40 cent për litër. Kjo rritje e mëtejshme e çmimeve, do të penalizojë industrinë vendase, pasi në treg do të rritet gama e produkteve të qumështit dhe nënproduketeve të tij nga importi dhe me çmim më të lirë, duke e çuar ne kolaps këtë industri.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.