Gjykata e Tiranës ka vendosur që të miratojë shpërndarjen përfundimtare të masës së falimentit sipas shumave dhe radhës së vendosur për kreditorët e Albanian Airlines. Në një vendim të bërë publik vetëm pak ditë më parë saktësohet se masa e falimentit e dakordësuar është 10.2 milionë lekë. Kjo shpërndarje do të bëhet nga administratorja e Falimentit por kjo do të jetë e mundur vetëm pasi të jetë zhvilluar takimi përfundimtar me kreditorët ku këta të fundit do të mund të japin edhe vërejtjet e tyre.
Referuar pikës 3 të vendimit bëhet me dije se kjo mbledhje do të mbahet në 29 mars 2018 dhe do të ketë në fokus tre çështje si diskutimin e llogarive te paraqitura nga administratori i falimentimit, paraqitjen e vërejtjeve ndaj listës përfundimtare të shpërndarjes dhe diskutimin mbi vijimësinë e procedurës.
“Anëtaret e Komitetit te Kreditoreve kanë të drejtë të paraqesin në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, koment vërejtjet në lidhje me llogaritë përfundimtare të paraqitura nga administratorja, brenda 7 ditëve nga dita e njoftimit të këtij vendimi. Mos përmbushja e këtyre kritereve formale bën vërejtjet të papranueshme për shqyrtim.
Kreditoret e falimentimit kanë të drejtë të paraqesin me shkrim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, deri ne 7 ditë para datës së caktuar, sipas pikës 3 të këtij vendimi, vërejtjet ndaj listës përfundimtare të shpërndarjes, nëse ata kanë. Nëse kreditori i falimentimit është person juridik, kërkesës me shkrim duhet t’i bashkëlidhet një ekstrakt lëshuar nga QKB (në origjinal) dhe një autorizim të posaçëm lëshuar nga administratori për përfaqësuesin. Mospërmbushja e këtyre kritereve formale bën kërkesën e papranueshme për shqyrtim” thuhet në vendimin e Gjykatës.
Historia e Albanian Airlines
Shoqëria “Albanian Airlines” sh.p.k u regjistrua në Qendrën Kombëtare te Regjistrimit Tirane në datë 16.05.1995 duke pasur në objekt të aktivitetit të saj transportin ajror të mallrave e të pasagjereve me mjetet e transportit ajror. Por pas shumë viteve në treg kompania do të kalonte në një gjendje të vështirë financiare që e detyroi të mbyllte aktivitetin por që shpalljen e falimentit do ta bënte shumë kohë më pas. Konkretisht në Gjykatën e Tiranës shoqëria “HAVAS -HAVAALANLARI YER HIZMETLERI A. S” Sh.p.k si aksioneri i kompanisë paraqiti padinë për shpalljen e falimentit në 5 mars 2014.
Hapja e procedurës dhe pranimi i kërkesës është bërë vetëm në prill të vitit 2016. Nga raporti që u paraqit në shkurt të vitit 2017 vlerësuesit e aseteve të Albanian Airlines konstatuan se të paktën 90 për qind e pasurive të luajtshme të kompanisë ishin jashtë funksioni.
Pavarësisht tentativave për të shitur disa herë katër prej avionëve komercialë të kompanisë ankandet kanë rezultuar të passuksesshëm.
Si pasuri e paluajtshme ka ekzistuar vetëm një ndërtesë në territorin e Aeroportit të Rinasit, me sipërfaqe 450 metra/2 si dhe zyrë dhe magazinë brenda objektit me sipërfaqe 225 metra të vlerësuara me një çmim 27 mijë euro. Kjo sipas raportit të vitit 2017 rezulton të jetë shitur.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.