Agjencia Kombëtare e Falimentimit ka njoftuar fazën e re të shprehjes së interesit për ata që duan të jenë administratorë falimentimi.
Në një njoftim të bërë në Fletoren Zyrtare thuhet se tashmë është publikuar kjo kërkesë dhe pas plotësimit të harkut 15-ditor të saj mund të nisë paraqitja e kërkesave.
“Pas përfundimit të afatit 15-ditor të këtij publikimi, individët e interesuar për t’u licencuar si administrator falimentimi paraqesin kërkesat e tyre me dokumentacionin shoqërues, duke i dorëzuar ato në portalin e-Albania, në linkun, brenda një afati 15-ditor sipas parashikimeve të nenit 5, pika 3, të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 294, datë 17.5.2023, “Për përcaktimin e kritereve dhe rregullave, për paraqitjen e kërkesave, për të vepruar si administrator në procedurat e falimentimit, si dhe për procedurën për dhënien e heqjen e licencës”.
Tarifa për pjesëmarrje në provimin e kualifikimit është 10 mijë lekë dhe paguhen në llogarinë bankar e të Agjencisë Kombëtare të Falimentimit, pas publikimit të listës përfundimtare të personave që kualifikohen për të marrë pjesë në provimin përfundimtar”, thuhet në njoftimin e bërë publik në QBZ.
Gjatë vitit 2022, sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, Agjencia Kombëtare e Falimentimit planifikoi produktin mbikëqyrja dhe licencimi i administratorëve te Falimentit për periudhën raportuese ka realizuar 20 mbikëqyrje të administratorëve të falimentimit dhe rinovim të licencave nga 25 te planifikuara për vitin 2022.
Sipas kuadrit ligjor në fuqi administrator falimentimi” është administratori i caktuar nga gjykata e falimentimit në vendimin për fillimin e procedurës së falimentimit ose pas hapjes së saj kur zëvendëson debitorin në administrimin dhe drejtimin e veprimtarisë.
Fillimi i procedurës së falimentimit mund të nisë me një kërkesë nga debitori ose kreditori, në formë të shkuar dhe duke ndjekur formatin që përcaktohet në kuadrin ligjor.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.