Raphael Bostic nga dega e bankës qendrore të SHBA-së në Atlanta paralajmëron për ‘pasiguri’ në tregje, pasi Paundi arrin nivele rekorde të ulëta kundrejt Dollarit
Plani i ri fiskal i qeverisë së Mbretërisë të Bashkuar ka shtuar pasigurinë ekonomike dhe ka rritur shanset për recesion global, paralajmëroi një zyrtar i lartë në bankën qendrore amerikane pasi sterlina arriti një nivel rekord të ulët.
Duke folur ndërkohë që paundi pësoi rënie teksa tregtarët po dëgjonin paketën e uljes së taksave prej 45 miliardë paund nga kancelari i Mbretërisë së Bashkuar, Kwasi Kwarteng, Raphael Bostic, president i degës së Rezervës Federale të Atlantës, tha se ky plan “ka shtuar pasiguritë dhe i ka bërë njerëzit të mos jenë të qartë për trajektorjen që do të marrë ekonomia”.
I pyetur nëse ky plan dhe paqëndrueshmëria që vjen prej tij, do të shtojë mundësitë për një recesion të ekonomisë botërore, Bostic tha: “ky plan nuk na ndihmon”.
“Një parim bazë i ekonomisë është se rritja e pasigurisë sjell uljen e aktivitetit të konsumatorëve dhe të bizneseve,” tha ai. “Pyetja kryesore do të jetë, çfarë do të thotë kjo për dobësimin e ekonomisë europiane, e cila do të ndikojë edhe në mënyrën se si do të performojë ekonomia amerikane.”
Komentet e Bostic erdhën pas një paralajmërimi nga Susan Collins, presidente e degës së Fed-it në Boston, e cila tha se një goditje e jashtme mund ta çonte ekonominë amerikane në një recesion.
Duke folur në një event ditën e hënë, Collins, e cila e filloi mandatin e saj në korrik, theksoi sfidat me të cilat përballet Fed në kushtet e presioneve të çmimeve që janë përhapur në shumë sektorë dhe kanë dëshmuar se do të jenë më të vështira për t’u adresuar sesa pritej.
“Një ngjarje e rëndësishme ekonomike ose gjeopolitike mund ta dërgonte ekonominë tonë në një recesion, në rrethanat kur politikat monetare vazhdojnë të shtrëngohen,” tha Collins, e cila është një anëtare me të drejtë vote në Komitetin Federal të Tregut të Hapur këtë vit, si dhe gruaja e parë me ngjyrë që drejton një nga degët e bankës qendrore të SHBA-së.
Ajo shtoi: “Për më tepër, rakordimi i politikave në këto rrethana do të komplikohet nga fakti se disa efekte të politikës monetare fillojnë të vihen re më vonë”.
Collins dhe Bostic janë ndër zyrtarët e parë të lartë të Fed që kanë bërë komente publike që kur banka qendrore javën e kaluar ndërmori rritjen e tretë radhazi të normës prej 0.75 pikë përqindjeje, duke sinjalizuar edhe rritje të tjera të mëdha që priten në të ardhmen.
Shumica e zyrtarëve presin që norma e fondeve federale do të shkojë në 4.4 për qind deri në fund të vitit, përpara se të arrijë nivelin më të lartë në 4.6 për qind gjatë vitit 2023. Aktualisht, norma është mes 3 për qind dhe 3.25 për qind.
Gjithashtu, ditën e hënë, Loretta Mester, presidente e Cleveland Fed, foli për pasojat globale të fushatës agresive të Fed për të shtrënguar politikën monetare, gjë e cila ka nxitur rritjen e konsiderueshme të vlerës së dollarit ndaj monedhave të tjera në nivel global.
“Ne do të përcaktojmë politikat monetare që janë të përshtatshme për ekonominë amerikane, por nuk i vendosim ato të izoluar, duke menduar se jemi një ishull i pavarur dhe nuk kemi lidhje me pjesën tjetër të botës,” tha ajo në një event të organizuar nga Instituti i Teknologjisë në Massachusetts./ Financial Times