INSTAT: Në vitin 2013, 28% e ndërmarrjeve drejtohen nga femrat, nga 23% që ishte ky raport në vitin 2005.
Niveli i papunësisë tek femrat është më i lartë sesa tek meshkujt, sipas raportit të publikuar në “Konferencën Rajonale mbi Statistikat Gjinore në Shqipëri”, që po mbahet aktualisht në Tiranë, i organizuar nga INSTAT dhe UN Woman.
Në nisje të fjalës së tij, kreu i INSTAT Gjergj Filipi prezantoi publikimin “Femra dhe Meshkuj”, i cili sipas tij synon të ballafaqojë të dhëna statistikore të disponueshme për raportet gjinore në Shqipëri, i dyti raport, pas 14 vitesh tashmë.
“ Shqipëria përgjatë dhjetë vjeçarit të fundit ka njohur ndryshime të vrullshme demografike, si për sa i përket emigrimit dhe kthimit nga emigrimi jashtë vendit, ashtu edhe për sa i përket migrimit të brendshëm. Ky fenomen i ka prekur në mënyrë të pabarabartë meshkujt dhe femrat. Raporti që ju po merrni në duar sugjeron se emigrimi i 10-vjeçarit të fundit është më i balancuar, por migrimi paraqet një situatë ndryshe, ku 59% e femrave kanë lëvizur drejt zonave urbane të zhvilluara”, deklaroi Filipi, duke u bazuar në treguesin e parë në raport, atë të emigrimit dhe migrimit.
“Numri i lindjeve është ndoshta treguesi me ndryshimin më të shpejtë përgjatë dy dhjetë vjeçarëve të fundit. Treguesi i numrit të fëmijëve në raport me gratë në moshë riprodhuese ka rënë nga 3 fëmijë për nënë në vitin 1990, në 1.58 fëmijë për nënë në vitin 2008. Gjatë viteve të fundit ka pësuar një rritje të ngadaltë me 1.76 fëmijë për nënë. Kemi hasur edhe fenomenin pozitiv të rënies të shpejtë të numri të vdekshmërisë foshnjore, e cila ka rënë nga 40 për mijë lindje të gjalla, në 6.5”, u shpreh në vijim Z. Filipi për treguesin e dytë në raport.
Ndërkaq, i ftuar në aktivitet Sokol Gjoka, Drejtor i Përgjithshëm i Marrëdhënieve Dypalëshe, Ministria e Punëve të Jashtme, duke përshëndetur këtë Konferencë Rajonale, e cila është edhe në kuadër të Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Evropës Juglindore, ku Shqipëria ka kryesinë deri më qershor 2015, theksoi se ky shkëmbim informacionesh edhe më vendet e tjera të rajonit është një metodologji interesante, duke qenë se jep një tablo të plotë të gjendjes aktuale por edhe të tendencave për të ardhmen. Raporti Femra-Meshkuj, sipas tij, është një temë e rëndësishme dhe gjetjet nga ky studim janë të rëndësishme për fokusimin dhe planifikimit të politikave të mëtejshme, në kuadrin socio-ekonomik.
Më tej, të dhëna të tjera sipas raportit të INSTAT, norma e papunësisë tek femrat në fund të vitit 2013 ishte 49.9% tek femrat dhe 29.8% tek meshkujt.
Femrat janë 20% më pak të zëna me punë, në raport me meshkujt dhe kjo shifër përbën sipas raportit, një hendek të madh gjinor. Ato mbizotërojnë në sektorin privat bujqësor, ku 54.4% e të punësuarve janë femra. Raportet përmbysën në sektorin privat jo bujqësor, ku mbizotërojnë meshkujt me 66.6% të të punësuarve. Kryesojnë në ndërtim meshkujt, ndërsa femrat në industrinë përpunuese dhe shërbime.
Një dukuri positive e konstatuar nga INSTAT është rritja e numrit të femrave në pozicione drejtuese. Në vitin 2013, 28% e ndërmarrjeve drejtohen nga femrat nga 23% që ishte ky raport në vitin 2005. Qarqet me përqindjen më të lartë të ndërmarrjeve me në krye femra janë Tirana me 32%, Korça me 31% dhe Vlora me 28%.
Sipas të dhënave të tjera, të referuara nga INSTAT, përqindja e familjeve të varfëra me gra kryefamiljare është ulur në 9.8% në vitin 2012, nga 20.4% që ishte në vitin 2002. Në të kundërt, familjet e varfëra me kryefamiljarë burra janë rritur nga 12.4% në 14.8% për të njëjtën periudhë.
Për sa i përket pjesëmarrjes në fuqinë punëtore, kryesojnë meshkujt me 76.4 %, në raport me femrat 60.8 %, ku ka patur një rritje të lehtë që nga 2007.
Për sa i përket matjes së nivelit të jetesës, diferencat gjinore në kosumimin e alkoolit çdo ditë, tregojnë se mëshkujt janë ata që në 8.3 % pijnë alkool, kurse femrat 0.7 %. Ndërkaq, meshkujt janë përdorues më të shumtë të teknologjisë. Në vitin 2012, rezulton se 29% e meshkujve përdorin kompjuterin krahasuar me 22% të femrave dhe për përdorimin e internetit, 26% meshkuj me përkatësisht 19% femra.
Në numrin më të madh për punë të papaguar kryesojnë femrat me 91% dhe vihet re se femrat shpenzojnë më tepër kohë në shtëpi se sa meshkujt (58% me 36%). Për sa i përket ditës së punës së paguar, meshkujt kryesojnë me një raport 7:39 përkundrejt 6:11 orë, pra mesatarisht 1 orë e gjysmë më të gjata. Burrat gjithashtu punojnë më tepër orë në javë, 40 orë ose më shumë, krahasuar me femrat 36 orë.
Përgatiti: Deada Hyka
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.